DOSSIER

“Prof. Aleks Buda, dembel, nuk shkruan, prof. Kol Popa, ish-anëtar i Partisë Fashiste, prof. Luan Omari u demoralizua kur i vranë babanë”

14:24 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ekskluzive / Zbulohen karakteristikat e tre krerëve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që u themelua në 10 tetor 1972 – Dokumenti: Prof. Kol Popa po fut marksizëm-leninizmin në fushën e Kimisë




Plot 47 vjet më parë, më 10 tetor të 1972-it u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në krye të saj si kryetar u emërua prof. Aleks Buda, ndërsa nënkryetar prof. Kol Popa dhe sekretar i përgjithshëm i saj, u emërua prof. Luan Omari. Të tre profesorët e nderuar që ishin diplomuar në universitete të ndryshme jashtë Shqipërisë, asokohe, por dhe më pas janë konsideruar kapacitete intelektuale dhe emra nga më të spikaturit në fushat përkatëse, duke dhënë kontribute të mëdha kudo ku kishin shërbyer, në bazë të ligjeve dhe kornizave të asaj kohe. Emërimi i tyre në krye të Akademisë së Shkencave ishte nomeklaturë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, apo më saktë vetë Enver Hoxhës dhe nisur nga ky fakt ata do të kalonin paraprakisht në një “filtër” të hollë duke “shoshitur” gjithçka nga jeta e tyre. Një nga dokumentet kryesorë që futej në “dosjen e kuadrit’ dhe merrej për bazë për karrierën e tyre, ishte dhe dokumenti me karakteristikën personale, ku përshkruhej shkurt dhe me detaje, si ana biografike, ashtu dhe ajo shoqërore, sjelljet në punë, përgatitja profesionale, veset, etj etj. Dhe nisur nga ky rregull, edhe tre krerëve më të lartë drejtues të Akademisë së Shkencave, profesorëve të nderuar: Aleks Buda, Kol Popa dhe Luan Omari, u është bashkangjitur në dosjet përkatëse të kuadrit, karakteristika e tyre, të cilat mbajnë firmën e rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës së asaj kohe, Zija Këlliçi si dhe sekretarit, Deko Rusi. Karakteristikat e tyre janë përpiluar në vitin 1960 kur Tirana zyrtare ende nuk kishte prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe sipas rregullit, ajo (Karakteristika) e ndiqte kuadrin përkatës në çdo punë apo funksion të ri ku ai emërohej. Në të tria këto karakteristika ku shihet qartë se pjesa më e madhe e tyre “është sterrosur”, ka absurditete të tillë, si p.sh. për prof. Luan Omarin, ku thuhet se: “Pushkatimi i babajt, e demoralizoi…”, apo për prof. Aleks Budën: “Eshtë dembel, nuk mban premtimet dhe nuk ulet të shkruaj…”, ndërsa për prof. Popën: “Bën përpjekje të fusë marksizëm-leninizmin në fushën e kimisë”. Gjëra të cilat duhet thënë se sot duken vërtet absurditete, por në atë kohë ishin më se normale për atë regjim. Për më shumë se ç’janë thënë dhe shkruar për tre krerët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë së asaj kohe, na njohin vetë këto dokumente që janë nxjerrë nga një dosje me siglën “sekret” nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së të cilat publikohen për herë të parë ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare.

ALEKS TAQ BUDA

Datëlindja                 7.IX.1911

Vendlindja                 Elbasan

Vendbanimi                 Tiranë, Rruga “Fortuzi”

Profesioni                 Historian

Origjina shoqërore         Tregtar i madh

Gjendja organizative        pa parti

0EAF5CAB-CF50-46E1-8E14-72B5DCF7BD50 912FAC5A-B8C0-4A9B-8386-F9A9AE736B80 363B300B-219C-49C4-9A85-3CD0F0E44AE6 A787910E-A411-4E10-8782-E3A4D1011DEF zxzxz unnamed
<
>

 

           K A R A K T E R I S T I K E

 

Rrjedh nga një familje me origjinë tregtar i madh. I ati i tij përveçse një farmaci, ka pas 20 pendë qe, tokë edhe 500 rrënjë ullinj në Elbasan, të cilat iu shtetëzuan nga reformat e pushtetit popullor.

Qëndrimi politik i familjes dhe i vetë sh. Aleks ka qenë dhe është i mirë. Në shtëpinë e tij janë strehuar shokë të Luftës. Eshtë arrestuar nga fashistët italjanë si pjesëmarrës në demonstratë.

Që në vitin 1942 ka bërë pjesë në Këshillin Nac-Çlirimtar provizor në qytetin e Tiranës dhe në Elbasan, deri në gusht të vitit 1944, datë në të cilën del në ilegalitet dhe punon në terren. Në këtë kohë zgjidhet si N / Kryetar i Këshillit Nac-Çlirimtar i Qarkut t’ Elbasanit. Prej tetorit 1944 thirret për të punuar pranë Qeverisë Provizore në Berat.

Vëllai i tij, Sofokliu ka qenë partizan, po kështu dhe dy nipat, Pirro dhe Niko Dodëbiba, si dhe i vëllai i gruas, Viktor Stratobërdha.

Nuk ka pasur dhe as nuk ka njeri nga farefisi të dënuar ose në rradhët e armikut.

Prej vitit 1920 deri më 1938 ka qenë në Austri, ku ka kryer arsimin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë në fakultetin e Filozofisë (Histori e Letërsi).

Pas mbarimit të studimeve, emërohet si profesor pranë shkollave të mesme, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Mbas çlirimit si shef seksioni pranë Ministrisë së Arsimit, në 1945-46, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, prej 1946 deri në 1957, pranë Institutit të Shkencave dhe tani në Universitet si Profesor, Kandidat i Shkencave.

Pranë Institutit të Shkencave ka qenë anëtar Presidiumi, anëtarë i Institutit dhe Drejtor i Instituti Histori Gjuhësi. Nga funksionet e drejtorit dhe anëtarit të presidiumit, është shkarkuar për mungesë organizmi në punë edhe se nuk ka realizua planet e punës shkencore.

Në vitin 1952, kryesia e Institutit i ka bërë një vërejtje me shënim në biografi, për neglizhencë të tepruar dhe indisiplinë në punë.

Sh. Aleks ka një të metë të madhe se premton shumë por nuk i mban dot premtimet, e ka vështirë të shkruaj se është dhe ca dembel.

Megjithatë sh. Aleks ka cilësira të mira, është punonjës me përgatitje të mirë shkencore, punën e nxjerr me kualitet mjaft të mirë, jep mendime të çmueshme në zgjidhjen e problemeve.

Ndjek me kujdes zhvillimin e shkencës sovjetike dhe përpiqet që të fitojë sa më shumë nga eksperienca e saj.

Mban urdhrin e Punës të kl. të III-të.

 

  1. KOMITETIN E PARTISE TE UNIVERS. REKTORI

Sekretari / Deko Rusi /                 Zija Këlliçi

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

                 

                        KOL SIMON POPA

Datë – lindja               5 gusht 1913

Vend – lindja               Elbasan

Vend – banimi               Lagjia Guerrile, Rruga Qemal Stafa

Profesioni                  Kimist – Farmacist

Origjina shoqërore         Nëpunës I mesëm

Gjendja organizative       Pa parti

 

              K A R A K T E R I S T I K E

 

Qëndrimi i tij politiko – moral i tij dhe i familjes gjatë Luftës ka qenë indiferent, i ati i tij gjithmonë ka ushtruar profesionin e tij, mjek.

Shoku Kol shkollën fillore dhe atë të mesme (Normalen) e ka mbaruar në Elbasan, ndërsa në vitin 1930 regjistrohet në Fakultetin Kimi – Farmaci në (Itali), dhe në 1935 e mbaroi.

Që në mbarimin e studimeve dhe deri në vitin 1940 ka punuar si profesor i Shkollës Normale të Elbasanit pastaj deri në 1946 si farmacist në fillim në dyqanin e tij privat dhe mbas çlirimit në farmacinë e shtetit. Më vonë ka punuar pranë Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Qarkut të Elbasanit me detyrën e përgjegjësit të Shëndetësisë dhe afro tre vjet në Ministrinë e Arsimit në Degën e Teksteve (më parë si referent dhe pastaj si K / Dege).

Kola nga Dhjetori 1939 ka qenë anëtar i Partisë Fashiste dhe me detyrë N/Federal i Fashios së Elbasanit dhe në Maj 1940 ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion.

Familjarisht janë të prekur nga reformat e pushtetit, duke ju shtetëzuar farmacia dhe 60-70 drurë ulliri. Vllaj i tij, Vlash Popa, për arsye studimi, që prej vitit 1940 ndodhet në Itali. Familja ka pasur korrespodencë deri në vitin 1946, ndërsa nga kjo kohë dhe më tej nuk kanë patur më lidhje.

Për aktivitetin e tij në punë në Ministrinë e Arsimit në vitin 1950 është dekoruar me medaljen e punës.

Nga Qershori i vitit 1950 e deri në gusht 1957 ka punuar në Institutin e Shkencave (Në Laboratorin e Kërkimeve) më parë si Kimist – Farmacist dhe më vonë si bashkëpunëtor i ri shkencor (Drejtor i Laboratorit).

Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës emërohet shef i katedrës së Kimisë Organike, njëkohesisht dhe drejtues i Laboratorit të Kërkimeve, si i tillë në punë është i aftë dhe nji nga krijuesit e Laboratorit të Kimisë Organike, dhe nga ana tjetër është për t’u theksuar se është përpjekur në maksimum për të përfituar sa më shumë nga profesori sovjetik.

Leksionet (dhe praktikat) e studentëve janë përgatitur dhe zhvilluar në naltësinë e duhur tekniko-shkencore nga ana e tij.

Eshtë studjoz i madh, vazhdimisht bën përpjekje për të përvetësuar marksizëm-leninizmin, këtë duke e shtrirë në zgjerimin e njohurive të tij shkencore dhe sidomos fushën e Kimisë.

Me rastin e 10 – vjetorit të Institutit të Shkencave është dekoruar me Urdhërin e Punës të kl. II. Mban titullin docent.

 

                                     R E K T O R I

                                    (Zija Këlliçi)

…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

 

                      LUAN  BAHRI OMARI

 

Datë – lindja         16 qershor 1925

Vend – lindja         Tiranë

Vend – banimi         Lagjia Partizani, rruga Kongresi i                   Përmetit, Nr. 63 Tiranë

 

Origjina shoqërore     Nëpunës i lartë

Profesioni             Jurist

Gjendja organizative   A. P.

 

                 K A R A K T E R I S T I K E

 

Rrjedh nga një familje borgjeze. I ati i tij Bahri Omari prej vitit 1925 deri në verën e 1939-ës ka qenë në Itali (instaluar në qytetin Bari). Në vitin 1927 n’Itali shkon dhe Luani dhe mëma e tij. Gjatë okupacjonit të Italisë Fashiste në Shqipëri, Bahriu ka patur funksione të rëndësishme: me krijimin e Ballit Kombëtar ai bëhet eksponent e flaktë i tij. Me okupacjonin gjerman nga shkurti deri në majin e vitit 1944 ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Qeverisë së kuislinge të Rexhep Mitrovicës. Për këtë aktivitet fashist në dëm të popullit shqiptar, Bahriu u arrestua në nga pushteti jonë popullor dhe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si armik i popullit.

Luani ka patur me Ballin dhe kanë qenë në burg dy djem të hallës, Isa dhe Hivzi Kokalarin.

Shoku Luan, qysh në gushtin e vitit 1942 ka filluar të punojë në favor të lëvizjes nac.çl. duke u aktivizuar në një grup agjitacioni të rinisë, që formohet në atë kohë nga shoku Nako Spiro, dhe në fillim të vitit 1943 hyn në redaksinë e “Kushtrimi i lirisë”.

Në marsin e vitit 1944 bëhet anëtar i Komitetit të Rinisë Antifashiste të Tiranës. Kur do të bëhej Kongresi I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare, ishte caktuar delegat i rinisë së Tiranës, por nuk shkoi me preteksin e sëmundjes së mëmës. Më vonë është penduar duke e konsideruar këtë një gabim të pafalshëm.

Pushkatimi i të atit (Prill 1945) shkaktoi te Luani, një ndjenjë impresioni dhe e demoralizoi mjaftë: ai mendoi se trajtimi i tij nuk do të ishte i njëjtë (nuk do të shikohej me sy të mirë), por në qershorin e atij viti (1945) kur u caktua në punë si antar i kolegjumit të gazetës “Bashkimi”, e ndryshoi mendimin dhe filloj t’i ngrihet morali duke e konsideruar këtë një provë besimi që ka kundrejt tij Partia dhe Pushteti.

Shoku Luan për qëndrimin e tij të mirë u dërgua nga ana e Qeverisë sonë të kryej studimet e larta nga fundi i Janarit të vitit 1947 e deri në Korrik 1948 në Institutin e Drejtësisë të Beogradit. Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, për të plotësuar studimet u dërgua në Sofje (Bullgari), dhe në Marsin e vitit 1951 u diplomua si jurist. Porsa u kthye në Shqipëri në prillin e atij viti e deri në gushtin e 1955 ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë me përgjegjësi të ndryshme si Shef seksioni e kryetar dege.

Me fillimin e vitit akademik 1955-1956 emërohet si Zv. Drejtor i Institutit të Lartë Juridik dhe me krijimin e Universitetit emërohet dekan I Fakultetit të Drejtësisë.

Në detyrë është i kujdesëshëm dhe me ndërgjegjie e kryen punën vazhdimisht. Tregohet në nivelin e duhur lidhur me organizimin, forcimin dhe drejtimin e fakultetit.

Shoku Luan jep edhe mësim dhe si i tillë bënë një përgatitje të mirë të leksioneve dhe i zhvillon mirë me studentët.

Me punën është i lidhur dhe i disiplinuar. Për ngritjen e tij tekniko-profesionale bën përpjekje të vazhdueshme. Nuk mban ndonjë dekoracion.

R E K T O R I (Zija Këlliçi)

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.