AKTUALITET

Pronarët peng i Kushtetueses, 7 mijë dosje në Gjykatën Administrative

13:50 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pronarët që janë në pritje të kompensimit apo kthimit të pronave të marra në vitin 1945 janë ndër më të penalizuarit nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Avokatit të Popullit, janë të paktën 3 ndryshime në ligjin për trajtimin e pronës, të cilat mbahen peng nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese. Në analizën që iu bë kësaj problematike, Avokati i Popullit ka vlerësuar situatën juridike të trajtimit të së drejtës së pronës nga ligj i ri jo në përputhje me disa parime kushtetuese, qëndrim i cili është pranuar në vendimin nr.01, datë 16.01.2017 të Gjykatës Kushtetuese, ku është vendosur shfuqizimi i pikave 3 dhe 5, të nenit 6, të Ligjit nr.133/2015. Ndërkohë, në kushtet e mungesës së kuorumit të nevojshëm vendimmarrës, Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh për kushtetutshmërinë e parashikimit të kryer në shkronjën “b”, të nenit 6, si dhe në shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 7, të Ligjit nr.133/2015. Edhe pse kërkesa për shfuqizimin e këtyre dispozitave ligjore është depozituar prej shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, pranë kësaj gjykate, Gjykata Kushtetuese prej më shumë se dy vitesh është në pamundësi objektive të shqyrtimit të kësaj kërkese, pasi nuk plotësohet numri i nevojshëm i anëtarëve të trupit gjykues. “Kjo mangësi – konkludon Avokati i Popullit – përbën një nga shkaqet ekzistuese që ndikon në efiçencën e atyre mekanizmave sistemikë, të cilët janë krijuar në nivel kushtetues si garantë të respektimit të së drejtës të pronës si një e drejtë themelore e njeriut, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta edhe në mbrojtjen e kësaj të drejte. Zgjidhja e dhënë për njohjen e pronës në Ligjin nr.133/2015, duke u mbështetur te kompensimi në të holla sipas vlerësimit financiar të dhënë në këtë ligj jo vetëm nuk respekton të drejtën e pronësisë së subjektit pronar, por ka dëmtuar dhe dëmton interesat e taksapaguesve shqiptarë, të cilët do të duhet të vijojnë të paguajnë fatura shumë të mëdha financiare”, – thekson Avokati i Popullit.




Dosjet pa vendim
Agjencia e Trajtimit të Pronave publikon formularin tip që duhet të plotësojnë 7 mijë pronarët, për të cilët ‘Agjencia’ nuk ka marrë një vendim për vlerësimin financiar dhe kompensimin e tyre. Ish-pronarët duhet të tërheqin dosjen pranë ATP-së, për të ndjekur më pas rrugën gjyqësore për të marrë kompensimin mbi pronën e konfiskuan në vitin 1945. Agjencia e Trajtimit të Pronave bën të ditur se pronarët duhet të plotësojnë kërkesën tip për tërheqjen e dokumentacionit të depozituar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. “Kjo kërkesë mund të plotësohet pranë sporteleve të ATP-së, ose të depozitohet e plotësuar nëpërmjet shërbimit postar në adresën: Agjencia e Trajtimit të Pronave, rruga ‘Muhamed Gjollesha’, nr.54 Ju informojmë se pas plotësimit të kërkesës, do të njoftoheni nëpërmjet numrit të telefonit që keni shënuar për të tërhequr dokumentacionin e kërkuar”, – thuhet në njoftimin e ATP-së.

Dosjet
Agjencia e Trajtimit të Pronave mbylli në 23 shkurt të këtij viti procesin e vlerësimit financiar të dosjeve të ish-pronarëve, por pa përfunduar procesin për 6 950 dosje. Me anë të një njoftimi, ATP u kërkon pronarëve t’i drejtohen gjykatës për të marrë vlerësimin dhe kompensimin e pronave, pasi prej tre vjetësh nuk ka mundur të përfundojë shqyrtimin e tyre. ATP kishte marrë përsipër të kryente vlerësimin për 16 462 prona brenda tri viteve, por ky afat skadoi dje, në 23 shkurt. Pronarët që presin të marrin kompensimin për pronën kanë aplikuar që në vitin 2015, por deri tani jo vetëm që nuk kanë marrë kompensimin, por as nuk janë njohur ende me vlerësimin financiar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.