POLITIKË

Strategjia e opozitës për zgjedhje, PS refuzon komisionerët e KZAZ-ve

12:00 - 24.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mazhoranca ka bllokuar skemën e opo- zitës për t’i prishur zgjedhjet nga brenda. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me votat e anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim për emëruar kandidatët e tyre në Komisionet Zonale të Administrimit të Zgje-dhjeve (KZAZ). Të katër anëtarët e propozuar nga mazhoranca në KQZ këmbëngulën gjatë mbledhjes së djeshme se PD dhe LSI nuk janë subjekt zgjedhor dhe për këtë arsye nuk mund të jenë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve. Sipas tyre, ato nuk kanë interesa të drejtpërdrejta në zgjedhje dhe për këtë arsye nuk kanë pse të kenë komisionerë. “Duhet të ketë të dy elemente, duhet të jetë edhe parti e opozitës parlamentare, duhet të jetë me patjetër edhe subjekt zgjedhor”, – tha nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe anëtarja Edlira Jorgaqi, e cila tha se nuk mund të përfitojë nga e drejta ligjore një parti që nuk ka asnjë përfaqësues të saj dhe që ka refuzuar publikisht të jetë pjesë e zgjedhjet. “Interesi duhet të jetë i drejtpërdrejtë me subjektin politik”, – tha Jorgaqi. Por, përfaqësuesi ligjor i PD-së e quajti të drejtë ligjore që ia jep Kodi Zgjedhor, atë që PD si forca më e madhe opozitare parlamentare të ketë komisionerë.




Gjatë ndërhyrjes së tij, ai theksoi se anëtarët e KQZ-së kanë qenë nën presion për të mos e pranuar këtë kërkesë, ndërsa i paralajmëroi ata se do të përballen me ligjin. “Është një proces zgjedhor i mbushur me paligjshmëri, që në më shumë se gjysmën e bashkive ofron një kandidaturë të vetme. Eksponentë të mazhorancës kanë kërcënuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë komisionerët tanë. Anëtarët e KQZ të mos bien pre e presioneve. Ju paralajmëroj se nëse nuk udhëhiqeni nga ligji, do të ballafaqoheni me forcën e ligjit dhe me përgjegjësi penale në rast të shpërdorimit të detyrës. Ligji është i qartë dhe nuk mund të bëhet objekt debati”, – tha Ivi Kaso. Pro kërkesës së opozitës u shpreh vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, i cili theksoi se ligji përcakton qartë që komisionerët e zgjedhur kryesisht qëndrojnë në detyrë deri sa të zgjidhen anëtarët e partive politike, që në bazë të ligjit kanë këtë të drejtë. “Kolegët e mi, fokusim më shumë moral se ligjor, pasi kemi kaluar gjithë këto hallka ligjore. Ligji thotë se anëtarët e emëruar qëndrojnë deri në emërimin e anëtarëve nga partitë politike, sipas këtij neni, zëvendësimi duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve. KQZ-ja ka marrë vendim, po përmes një shkrese të Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë Kuvendi që na ka përcaktuar se cilat janë partitë politike që kanë të drejtën për të marrë pjesë në KZAZ, duke përcaktuar opozitë dhe mazhorancë”, – tha Zguri. Pavarësisht ballafaqimit të këtyre argumenteve, KQZ votoi dhe me 4 vota kundër dhe 1 pro e rrëzoi këtë kërkesë. Pas kësaj vendimmarrjeje, përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso u shpreh se KQZ-ja iu nënshtrua presionit, ndërsa theksoi se PD-ja do ta çojë këtë çështje në Kolegj. “Ju nënshtruan presionit joligjor dhe i mohuan opozitës së bashkuar të drejtën e saj të garantuar nga Kodi Zgjedhor për të paraqitur komisionerë në KZAZ. Është një e drejtë që opozitës i buron nga fryma e Kushtetutës, nga fryma e Kodit Zgjedhor, neni dhe germa e Kodit Zgjedhor. Pika 5 e nenit 29 të Kushtetutës detajon në mënyrë të qartë që në momentin që një parti parlamentare, më e madhja në këtë rast e opozitës parlamentare, që ka të drejtën të çojë anëtarët në KZAZ, i çon 30 ditë përpara ditës së zgjedhjeve”, – tha Kaso.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.