KULTURË

Më fal motër, që virgjëria jote duhet të shënjojë vulën e moralit tënd

15:10 - 25.05.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E dashur motër.
Më fal,
Më fal që nuk e kam një grusht të fortë,
si Migjeni.
E t’i bije ne mes ta shkallmoj këtë mentalitet të dreqit,
Ta thyej këtë rrotë fati që nuk thyhet dot.
Që n‘mëngjeset e ftohta të dimrit,
Zgjohesh duke jetuar,
Kur në fakt nuk je.
Kur distanca më e largët qe ke udhëtuar në jetën tënde ka qenë 100 kilometra,




Më fal.
Që ti ke lindur femër,
E unë,
Unë kam privilegje më shumë se ti,
Ne këtë botë burrash.
Ku virgjëria jote,
Duhet patjetër të të shënjoj me vulën e moralitetit tënd.

Më fal,
Që nëna ime të quan të brishtë,
Të paaftë për të jetuar vetëm,
Të mbush trurin me gjëra që nuk janë tuat.
Kur ti je një shkëmb,
Shumë më e fortë se aq, se unë, e se tjerët.

Më fal.
Më fal që kam bole.
E m’u deshën kaq shumë vite të kuptoj që kam jetuar në gënjeshtër,
Që për të shkuar deri në dyqan,
Duhet të të përcjell unë,
Që sytë e egër të shitësit mos të të lenë të zhveshur.
Të pambrojtur, e më pak të ndershme në sy të botës.

Më fal.
Që në venat tona na rrjedh gjaku i njëjtë,
Por, jemi kaq të ndryshëm,
Që nuk u rritëm njësoj,
Qe ty t’u mohua e drejta e fjalës më shumë se mua,
Që ty s’të deshën kurrë siç ishe.
Që kurrë nuk jetove e lirë.
E fjala liri për ty,
tash mbet veç një abstrakt i paprekur.

Më fal.
Që përqafimet e mia janë kaq të ftohta,
E ti mban fotografinë time në ekranin e telefonit tënd,
kur unë nuk e meritoj.
Se në orët e para të mbrëmjes,
Ti duhej të ishe në shtëpi.
E unë jo.

Më fal,
Që për ty isha ai vëllau i ndjeshëm,
Që s’kam aq shume forcë,
Sa të gozhdoj fjalë nëpër mure.
Fjale te mira qe te lënë shenjë terë jetën,
Të të rrëfej se sa shumë të dua,
se sa shumë të adhuroj
e se sa shumë të kam motër.

Më fal,
Një mijë herë më fal,
se fustanet e shkurta në vendin tonë ta ndalin rriten,
E ku fjalët e fisit të lënë mëkatare.
Mëkatare që ti fal dashuri.

Më fal,
Që ti, edhe pse u linde para meje,
Detyrë e imja m’u bë të të mbroja ty,
Të të këshilloja ty,
E ti,
Ti të më dëgjoje mua.

Më fal,
Që na rriti botë e ngushtë e mëhallës,
Që nuk u zhvilluam kurrë bashkë.
Kur në klase të tretë më pyetën të them fjali që tregon pronë,
Dhe thashë që “Unë kam një motër”,
askush nuk më tha gjë.
Se ma morën për të saktë.
Se ti ishe pronë,
Pronë e imja, e babait tim, e burrit tënd.

Më fal,
Më fal për të fundit herë,
Që sot Unë nuk të fal dot.
Që as ti nuk e kishe një grusht të fortë,
E t’më bije midis fytyre,
Të më theje turinjtë sa herë flisja,
Sa herë bërtisja,
Dhe po o motër po,
Të më theje turinjtë njëherë e mirë,
sa herë që unë mëkatoja.

*Poezi e shkruar nga Redon Elshani


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.