KULTURË

Gjinushi kryetar Akademie: Meritat i ka matematika, jo politika

14:55 - 25.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Nuk më ka bërë politika as akademik dhe as ministër, më ka bërë matematika. Gjatë kohës që kam qenë në politikë, s’jam përfshirë në akademi, më se dy herë. Para dhjetë vitesh nëpërmjet kapjes së Gjykatës Kushtetuese për të ndaluar reformat që synojnë rithemelimin e reformën në Akademi, të njëjtën gjë po bëj edhe sot”. Ka qenë kjo përgjigja që u ka dhënë dje kritikëve Skënder Gjinushi, ndërsa shpallej kryetar i Akademisë së Shkencave.




Të premten ai mori 35 vota pro dhe 6 kundër duke qenë i vetmi kandidat në garë, çka vjen: dy vite pas dorëheqjes menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Akademisë, pas një reforme të nisur e të pafinalizuar e duke qenë një figurë politike prej më shumë se 30 vitesh. Shumëçka e kompromenton figurën e tij: qoftë farsa e një emri të vetëm, qoftë pozicioni i tij politik ndër vite, qoftë aleanca me Ramën, qoftë zgjedhjet pa kundërshtar. E megjithatë, ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi ka qenë gjithashtu drejtues i grupit të punës për reformimin e Akademisë. Projektligji i dalë prej tij është në proces diskutimi në komisionin parlamentar të edukimit dhe mjeteve të informimit publik.

Këtë vit, pas ndryshimeve ligjore të 2008-ës votoi edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare, përmes postës elektronike. Ndërsa akademiku Artan Fuga nuk ishte i pranishëm, pasi sipas tij këto zgjedhje janë në kundërshtim të plotë me rregulloren që parashikon akademia. Dy ditë më parë, Fatjona Dhimitri, kryetare e Komisionit të Medias, i bëri thirrje të tërhiqej nga gara pasi sipas saj, zgjedhjet në Akademinë e Shkencave janë të jashtëligjshme. Ajo u bëri thirrje akademikëve që t’i bojkotojnë zgjedhjet, çka nuk ndodhi. Nga rreth 44 akademikë që kishin të drejtë vote, 43 prej tyre morën pjesë në zgjedhje. 32 prej tyre ishin të pranishëm edhe fizikisht, ndërsa 11 akademikë, ku mes tyre Ismail Kadare, Marenglen Verli, Jani Thomai apo Anastas Angjeli votuan me postë. Komisioni që numëroi votat u kryesua nga Shaban Sinani.

ZGJEDHJA
Zgjedhjet u mbajtën dje në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave. Të katër kandidatët që prezantuan platformat përkatëse: për pozicionin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, akademiku Skënder Gjinushi, për pozicionin e nënkryetarit të ASH-së, akademiku Vasil Tole, për pozicionin e sekretarit shkencor të ASH-së, akademiku Salvator Bushati, nërsa, për pozicionin e kryetarit të seksionit të Shkencave të Natyrës, Teki Frashëri. Secili u shpall fitues me nga rreth 35 vota. Skënder Gjinushi pas shpalljes kryetar u shpreh për mediat se: “Sot mbyllet një proces i rëndësishëm për reformën në Akademinë e Shkencave, por siç e kemi theksuar, kjo reformë nuk mund të shihet e shkëputur nga shkenca në tërësi, ku Akademia duhet të luajë rol parësor. Kjo është edhe barra e detyra që marrim sot, jo vetëm unë, por kryesia e re e Akademisë, në mënyrë që Akademia të jetë një ndër partneret kryesore të shoqërisë, të qeverisë, të kuvendit për të shtyrë përpara ringritjen e nivelit të kërkimit, të arsimit, si një institucion elitar që është, por edhe që është baltosur me edhe pa të drejtë, por që përkundrazi duhet që të jemi së bashku duhet të jemi krahë më krahë, për t’i çuar gjërat përpara”.
Sa u takon kritikave dhe zgjedhje të para dy viteve ku kryetar u shpall akademiku Gudar Beqiraj, çka kryeministri Edi Rama e kundërshtoi, Gjinushi tha se: “(Rama) Nuk ka quajtur farsë garën me një kandidat, por ka qenë momenti kur akademisë i kërkohej që të bënte reformën. Akademia ende nuk po vepronte. Ishte në fazën kur debatohej me platforma. Tani ka një vit e gjysmë, që e kemi theksuar që Akademia nuk është më ajo që i bëjnë presion për reformë, por është ajo që i bëjnë presion për reformë. Edhe Akademia e ka hartuar projektligjin, ka dhënë kontributin e vet, jemi në konsensus të plotë me kryeministrin, me Kuvendin. Sigurisht, që përsa i takon ekzekutivit, është shumë e rëndësishme që të theksohet se ekzekutivi ka mbajtur një distancë të arsyeshme, duke ia lënë barrën Akademisë, ndërsa reformën do ta bëjnë së bashku”.

Sa i takon numrit të votave, Gjinushi e sheh si mbështetje kur thotë: “Janë 43 akademikë, që votuan edhe e mbështetën këtë proces”.
Mbi debatin për moshën Gjinushi vërejti se: “Lexoni të gjithë ligjet e akademive të tjerë, nëse keni gjëkund që për arsye moshe të heqin të drejtën e votës, kjo është shtruar vetëm vitet e fundit për kriminelët”.
Gjinushi nuk i druhet as mosdekretimin nga presidenti i vendit, Ilir Meta: “Absolutisht jo, sepse zoti Meta e njeh shumë mirë institucionet, plus edhe marrëdhëniet personale nuk janë të tilla, që nuk e dimë se ku i takon vendi njëri edhe tjetrit”.

ARTAN FUGA
Përmes një deklarate në profilin e tij në “Facebook”, akademiku Artan Fuga tha se refuzon ta pranojë puçin institucional, krimin elektoral, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe nuk e njeh rezultatin e farsës zgjedhore të 24 majit 2019, si edhe kryesinë e kryetarin e dalë që andej! “Sot është një ditë e zezë për shkencën dhe arsimin në Shqipëri. Nëpërmjet një puci institucional të denoncuar vazhdimisht nga unë dhe nga forca të tjera intelektuale progresiste, Akademia e Shkencave e nxjerr veten jashtë kuadrit ligjor në fuqi dhe inkriminohet institucionalisht! Sikurse e kam paraqitur tashmë para opinionit publik dhe autoriteteve të heshtura të shtetit, këtë qëndrim e kam mbështetur në dhjetëra prova e fakte”.
Sipas tij, farsa vjen kryesisht nga fakti që kandidati për kryetar i akademisë së shkencave është një politikan karriere prej mëse tri dekadash dhe statusi i tij si kryetar partie politike e ndalonte ligjërisht të ishte anëtar i akademisë jo më të kandidonte për kryetar të saj!
Ai tha se në “votim janë thirrur në kundërshtim me ligjin në fuqi edhe individë 80 dhe madje 90-vjeçarë pa të drejtë vote dhe që e kanë mbaruar mandatin e të qenurit anëtar të rregullt të Akademisë së Shkencave! Kjo masakër në votim ka për qëllim të realizojë masën elektorale për të kryer farsën zgjedhore në Akademi”.

Fuga thekson se kjo farsë elektorale vjen krejt në kundërshtim me vendimet e Asamblesë për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë marrë thuajse dy vjet më parë duke uzurpuar pushtetin në këtë Akademi pa pritur as kuadrin e ri ligjor reformues as përpilimin e akteve statutore dhe as pranimet e reja.
Ai shtoi se “kjo farsë elektorale u bë e mundur edhe në sajë të praktikave të antikushtetuese të ndjekura në Komisionin e Edukimit dhe të Mjeteve të Informacionit, me bllokimin e procedurave atje nga ana e ekzekutivit që i dha mundësinë grupit drejtues në Akademinë e Shkencave të veprojë jashtë çdo kuadri ligjor të reformuar”.

Ai e lidhi këtë me “dështim të madh në politikat qeveritare dhe në angazhimet personale të kryeministrit Edi Rama për gjoja reformimin e Akademisë të Shkencave duke ia shitur atë kryetarit të njërës nga partitë që rezulton në koalicion partiak politik qeveritar. Shkenca u shit për qëllime pragmatiste elektorale politike”.
Në fund, ai kërkon ndërhyrjen e Presidentit të Republikës, kur thotë se “e ka në kompetencë ekskluzive ligjore miratimin ose jo të kryetarit të akademisë të shkencave nuk do ta miratojë këtë farsë elektorale dhe as rezultatin e saj”. Akademiku Fuga shtoi se sapo Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese, ai do të bëjë çmos të motivojë ata që e kanë këtë të drejtë për ta ngritur para saj çështjen e kësaj farse të padëgjuar elektorale. Në të kundërt, nëse edhe këto mekanizma nuk funksionojnë, atëherë thotë Fuga “do të marr të gjitha veprimet e deklaruara për t’u distancuar nga një Akademi Shkencash që do të ishte preja e një puçi institucional dhe e inkriminuar institucionalisht!
Unë mbetem shumë optimist sepse e keqja e arriti kulmin e vet, tani ajo nuk ka se çfarë bën tjetër veçse të njohë humnerën e saj! Për këtë unë nuk do të rresht veprimet e mia duke qenë kurdoherë i motivuar për të kryer të gjitha detyrat në kërkimin shkencor me statuset dhe funksionet që as nuk m’i ka falur njeri as lejoj t’i preki njeri!”, e mbyll reagimin e tij Artan Fuga.

PËRPLASJA ME GAZETAREN
Por Gjinushi si kryetar e ka nisur keq. Gjatë pyetje-përgjigjeve të djeshme me gazetarët ai ka fyer një gazetare vetëm pse pyetjet e saj me gjasë nuk i kanë shkuar për shtat projektimit të tij për detyrën e re, që duket se e ka menduar kur 2 vite më parë ai mori pjesë në takimin e kryeministrit me akademikët. Në atë takim Rama e cilësonte Akademinë një institucion varrimesh duke kërcënuar me prerje buxheti. Ndërsa reforma ka nisur por zgjedhjet farsë të para dy viteve thjesht u përsëritën kreu i ri i Akademisë u tregua në përgjigje “një politikan i pushtetshëm” dhe jo një akademik që ia del të qëndrojë brenda kuadrit dhe ligjërimit të shkencëtarit. Nuk ka mjaftuar dorëheqja nga partia për t’iu kthyer shkencës, logjika dhe komportimi i politikanit modern që fyen ata që guxojnë të pyesin, ka prevaluar mbi matematicienin e dikurshëm që u zhbë kur u bë ministër e kryepartiak.

LULZIM BASHA
“Ne nuk e njohim procesin kriminal që po bëhet në Akademinë e Shkencave, që është treguesi më i qartë i një regjimi injorant, brutal dhe kriminal që do të ekzekutojë elitën e shpirtit dhe të mendjes. Ne nuk do të njohim asnjë akt të këtij parlamenti monist”, deklaroi dje kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi me banorët e Vorës. Sipas tij, për të shmangur një akt të tillë kriminal ashtu si shumë të tjerë nga qeveria e ardhur nga krimi, “ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një rrugë: largimi një orë e më parë i Edi Ramës”.

EDMOND SPAHO
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, deklaroi dje se farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave është paralajmërimi i asaj që kryeministri Edi Rama ka planifikuar më 30 qershor. Sipas tij, PD do të angazhohet sapo të ketë përgjegjësinë qeverisëse për të zhbërë ilegjitimitetin dhe do nisë një proces të vërtetë reformimi në Akademi. Spaho i cilësoi këto zgjedhje si manipulim kriminal dhe simbol tragjik të emergjencës demokratike me të cilën përballet vendi ynë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.