OPINION

Letër më ke çu atje në kufi…

07:30 - 25.05.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Komunikimi i ditëve të fundit nëpërmjet letrash publike të rimon disi me fjalët e këngës së njohur të Bashkim Alibalit “Letër në kufi”. Kjo, ngaqë edhe opozita jonë e votuar ndodhet në një pikë të largët të panjohur më parë të betejës së saj politike. Një hap e ndan nga një detashment dhune. Ndodhet në një tokë të askujt. Edhe vetë ajo duket e tronditur dhe e pasigurt në terrenin ku është zhvendosur. Nuk ka marrë mesazhet që priste nga mbështetësit dhe votuesit e saj. Asgjë nga çfarë kishte llogaritur në mes të shkurtit nuk i ka dalë. Për të mos folur për mbështetjen e kërkuar apo pritur nga faktori ndërkombëtar. Opozita jonë po e kërkon një zgjidhje, që nuk është domosdoshmërish dhuna revolucionare. Janë të rrallë, shumë të rrallë brenda saj, ata që u duket vetja Çe Guevarë të rinj. Ithtarët e dhunës me çdo kusht për të arritur qëllimin. Opozita jonë e votuar është e frustruar, e goditur dhe e tronditur njëkohësisht, por kurrë tërësisht e karikuar për dhunë. Një demokraci e shëndoshë ka një tregues themelor, dialogun e përhershëm mes drejtuesve të pozitës dhe opozitës. Ai shpesh mund edhe të ashpërsohet dhe të jetë i ngarkuar me akuza të ndërsjella. Por kur mbahet i gjallë, dëshmon për një klimë demokratike të mirëfilltë. Vendet me demokraci të hershme, të zhvilluar dhe me tradita demokratike, si Britania e Madhe, SHBA-të, Australia, Gjermania, Franca e me radhë, letra publike të drejtuesve (sidomos atyre të opozitës drejtuar pozitës për ndërgjegjësim) i kanë praktikë të zakonshme komunikimi. Të pamësuar me këtë lloj nisjeje klime dialogu dhe shkëmbimi mesazhesh të drejtpërdrejta, qytetarët pyesin të çuditur “Ç’po ndodh?”. Pse dy letra publike njëra pas tjetrës të kryeministrit? Që kanë marrë edhe dy përgjigje të menjëhershme publike “Jo” të kryetarit të opozitës së votuar dhe të vetëlarguar nga parlamenti. Ngaqë asnjë argument i ri nuk ka dalë nga letrat dhe përgjigjet, disa pyesin “Ku po rref ky i gjati? Mos ka ndonjë gjuhë të koduar mes tyre me këtë mënyrë komunikimi?”. Është normal të jemi të prirur pas teorive konspirative, pse nuk u besojmë politikanëve tanë. Aq më tepër që këta të dy që sot po komunikojnë me mesazhe në distancë, dy vjet më parë qëndruan kokë më kokë tri orë dhe dolën me një marrëveshje që shpëtoi ekonominë tonë dhe jetën normale të qytetarëve të këtij vendi nga një pothuajse ‘97-të e dytë. Nuk ka shumë rëndësi nëse të dy pastaj akuzuan reciprokisht njeri-tjetrin për mosmbajtje të fjalës dhe prishje të marrëveshjes. Me apo pa këto teori konspiracioni, sprova për dialog edhe nëpërmjet letrave dhe përgjigjeve publike në distancë është një mënyrë komunikimi që vetëm e çtensionon situatën. Opozita nesër ka protestën e radhës dhe urojmë që bomba molotov apo kazanë të djegur të ketë sa më pak. Sa më pak që të ketë, aq më shumë ka mjete dhe mënyra për të arritur në një dialog. Sado ende i pamundur të duket ai sot. Diçka e madhe është arritur dhe ajo është zbutja deri diku e palëve. Pavarësisht nga përbetimet e rënda të opozitës për të bërë gjëmën ditën e zgjedhjeve. Pozita duhet ta kuptojë se pa opozitën e votuar në zgjedhje, ajo është e humbur edhe për vete. Nuk mund të boksojë e vetme në ringun e votimit popullor. Përfytyroni një ndeshje boksi me një boksier të vetëm në ring. Sa më shumë afrohet data e zgjedhjeve, aq më shumë pozita e kupton këtë gjendje të pamundur, ku akti i pashoq i opozitës së votuar nga shqiptarët e ka sjellë vendin. Prandaj dhe duhet të japë maksimumin e saj, ta kthejë opozitën në garë. Mund të jetë mision i pamundur, ose mision me një dështim të sigurt. Por, është në nderin e shumicës së sotme ta mbajë dorën e saj nderur për dialog. T’i provojë të gjitha në emër të tij. Dy letrat e njëpasnjëshme të drejtuesit të saj janë diçka. Edhe pse u kujtua disi vonë. Por, të mos vajtojmë mbi qumështin e derdhur. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Sikur edhe letra të tjera të vijojnë “atje në kufi”, pas protestës së 25 majit, vetëm mirë bëjnë. Deri në gërmimin e një shtegu mirëkuptimi mes palëve, që do të jetë shumë i vështirë për t’u gjetur, por që nuk është i pamundur. Duhet dikush të bëjë hapin e parë. Dhe sinqerisht i takon pozitës. Dy letra-dallëndyshe nuk e sjellin dot pranverën.





Shfaq Komentet (1)

Leave a Reply to kRIST Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zotit Fatos Rilindja ! Shkrimin e fillon ,me letren e bosit te vet,por shskruan vetem per opoziten,More Fatos,kur do behesh pinier,dhe me pastaj edhe anetar rinije,se mbete fatos.Dhe kujdes kur flet per maxhorancen,se mos ja prish humorin dhe pastaj….

    Përgjigju ↓