AKTUALITET

Shoqatat e investitorëve të huaj: Gjeni zgjidhje, po pengoni investimet

10:20 - 25.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas bizneseve vendëse, janë dhomat e huaja të tregtisë dhe industrisë që kanë bërë thirrje të përbashkët për të zgjidhur krizën politike, pasi kjo situatë po pengon investimet ndërkombëtare. Në një deklaratë të përbashkët, Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë (IÇ) pohojnë se po ndjekin me shqetësim të thellë situatën aktuale politike në Shqipëri. Shumë nga anëtarët tanë kanë shprehur frustrim lidhur me pasigurinë politike që po ndikon drejtpërdrejt negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare. “Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë. Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira, veçanërisht qeveria dhe opozita, të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend”, përfundon deklarata.





Reagimi
Pak ditë më parë, Forumit i Dhomave të Tregtisë dhe shoqatave të sipërmarrjes i bëri thirrje unanimisht apel klasës politike në Shqipëri për normalizimin e situatës politike dhe ekonomike në vend. Në deklaratën e tyre thuhej: “Përshkallëzimi i situatës që thellon krizën politike në vend ka krijuar dhe po thellon plagë të rënda në ekonominë Shqiptare. Të shqetësuar nga kjo situatë politike në vend, u bëjmë thirrje liderëve të partive politike të gjejnë zgjidhje pa humbur kohë. Përvoja nga krizat e mëparshme që ka kaluar vendi ynë gjatë 30 viteve kanë treguar se gjithmonë është gjetur një zgjidhje, por diferenca është te kohëzgjatja dhe fatura e paguar. Faturë që e kanë paguar dhe vijojnë ta paguajnë konsumatorët, taksapaguesit dhe e gjithë ekonomia shqiptare. Në kohën e këtij apeli është shtuar hezitimi te konsumatori shqiptar, është shtuar hezitimi për të vijuar me investimet si tek sipërmarrja vendëse, ashtu edhe tek investitorët e huaj. Në këtë situatë të krijuar, më shumë nga të gjithë po cenohet sipërmarrja private, si kontribuuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit, me 85% të prodhimit të përgjithshëm vjetor (GDP) dhe me punësimin, nga ku 9 në 10 shqiptarë sot punojnë në sipërmarrjen private. Apeli ynë ndaj elitës politike është që mosmarrëveshjet që keni, zgjidhini duke demonstruar një sjellje të përgjegjshme dhe duke pasur në mendje jo interesin e ngushtë partiak dhe të pushtetit, por interesin e shqiptarëve dhe të vendit. Në një situatë të tillë politike të krijuar i sjellim ndërmend klasës politike se biznesi vendës dhe i huaj apelon për stabilitet politik, i cili i shërben klimës së mirë dhe qëndrueshmërisë ekonomike të vendit. Klima e tensionuar politike ndikon negativisht për të gjithë ato që kanë në planet e tyre të investojnë në Shqipëri, dhe se sipërmarrja beson vetëm te ligjshmëria dhe dialogu i cili sjell normalitet, zhvillim dhe integrim”. Edhe operatorët turistikë janë shprehur se situata e paqartë politike ka ndikuar në anulimin e rezervimeve nga turistët e huaj, kryesisht ata gjermanë dhe nordikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.