AKTUALITET

Sot protesta e opozitës, Basha: Mori fund koha e Ramës, asnjë hap pas

09:00 - 25.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita do të protestojë sërish sot me kërkesën e dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie transitore. Një ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës në institucionet kryesore, Kryeministria, parlamenti dhe Ministria e Brendshme vendosen barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos të hipin në to. Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gatishmëri, por plani që kanë për t’iu kundërpërgjigjur një sulmi të mundshëm nga ana e protestuesve mbahet ende sekret. Jo zyrtarisht thuhet se 1500 policisë janë angazhuar për ruajtjen e sigurisë, shifër e cila u përafrohet protestave të tjera. Të gjitha repartet e policisë, duke filluar nga FNSH dhe RENEA do të jenë aty. Protesta fillon sot në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë. Mësohet se Lulzim Basha do të mbajë një fjalim para Kryeministrisë. Ky tubim pritet të përcaktojë edhe axhendën e protestave të opozitës në të ardhmen.




Ftesa
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ftoi dje të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestën e sotme të opozitës. Basha shprehet se nuk ka asnjë hap pas. “Të gjithë në Tiranë më 25 maj në orën 19:00, për të treguar vendosmërinë tonë për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira e një qeveri nga populli, të popullit dhe për popullin, për Shqipërinë si e gjithë Europa. Asnjë hap pas! 25 maj Shqipëria si Europa”, shprehet z.Basha. Kurse pasditen e djeshme në takimin e fundit në Burrel para protestës së sotme, Lulzim Basha përshëndeti angazhimin e ndërkombëtarëve dhe në mënyrë të veçantë të Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri, por u shpreh i vendosur për të mos negociuar kushtin e PD-së që Rama të largohet nga posti i kryeministrit. Basha akuzoi kryeministrin Rama se duhet të ishte larguar me dhjetëra herë deri më tani, por sipas kryedemokratit, kreu i qeverisë nuk ka dinjitet dhe nder. “Beteja jonë ka mbledhur gjithmonë e më shumë njerëz dhe sot është shumicë absolute e çdo shqiptari patriot, kundër një grushti tradh-tarësh, kopukësh, hajdutësh që mendojnë se mund të marrin peng të ardhmen tonë në 30 qershor. Le ta marrë përgjigjen edhe sot nga Mati, siç do të kumbojë nesër (sot) në Tiranë, se koha kur Edi Rama dhe një grusht horrash mbanin peng një Shqipëri të tërë mori fund. Një shoqëri e lirë, e përbërë nga njerëz të drejtë mund ta humbë përkohësisht rrugën, të humbë kohë, por vjen një moment që një shoqëri ka nevojë të përballet me të keqen, ta mundë frikën”, theksoi kreu i opozitës. Përpara qindra matjanëve, Basha përmendi se në një vend normal europian, ky kryeministër me shumë skandale duhet të kishte dhënë me kohë dorëheqjen. “Edi Rama po të kishte pasur një të njëmijtën e nderit dhe dinjitetit të Tereza Mayt, apo Sebastian Kurtz, apo të një kryeministri normal ballkanik, do të ishte larguar me dhjetëra herë. Do të ishte larguar kur u zbulua se solli në parlament trafikantët e vajzave dhe grave shqiptare, narko-trafikantët dhe vrasësit dhe i bëri deputetë. Për pushtetin e tij kriminalizoi parlamentin. Duhet të ishte larguar kur u zbulua se nën urdhrat e tij dhe të yllit të tij Saimir Tahiri, Shqipëria u shndërrua në një hambar droge dhe në një bahçe të krimit të organizuar. Duhet të ishte larguar kur ministri tjetër, Fatmir Xhafaj u kap me skandalin e vëllait të tij që e mbronte, duhet të ishte larguar kur Damian Gjiknuri u kap në vjedhje pas vjedhjeje nga skandali i OSHEE, te skandali i Unazës së Madhe. Edi Rama nuk ka as të njëmijtën e dinjitetit dhe nderit të asnjë kryeministri në botë. Jo, Edi Rama nuk ka nder, nuk ka dinjitet, ka vetëm kusari, etje të babëzitur për pushtet që e shtyn në paktin e tmerrshëm me krimin”, deklaroi z.Basha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.