Aktualitet

Bashkitë rrisin shpenzimet për pagat

20:00 - 26.05.19 Gazeta Shqiptare

Mbi 49.6 miliardë lekë kanë shpenzuar 61 bashkitë në të gjithë vendin gjatë vitit 2018. Raporti vjetor i Financave Publike Vendore, tregon se pushteti vendor ka lënë pjesën më të vogël për investime për shërbime publike për taksapaguesit. Ndërkohë krerët e njësive të qeverisjes vendore nuk janë kursyer në shpenzimet për pagat, duke lenë pjesën më të madhe të buxhetit për paga dhe sigurime për personelin, si dhe shpenzime të tjera operative. Konkretisht, shpenzimet korente që përfshijnë pagat dhe shpenzime të tjera për zyrat, shënuan një nivel prej rreth 35.4 miliardë lekë në fund të vitit 2018, në rritje me rreth 5.2 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2017. Ndërsa në të kundërt ka rezultuar ecuria e shpenzimeve kapitale. Edhe pse shpenzimet kapitale ose investimet, përbëjnë një zë të rëndësishëm të buxheteve vendore dhe një parakusht për zhvillim ekonomik afatgjatë, gjatë 2018-ës për këtë zë kanë shkuar vetë, 14.2 miliardë lekë, me një reduktim prej 2 miliardë lekësh krahasuar me vitin paraardhës. Shifrat tregojnë që pushteti vendor ka marrë më shumë para për interesa vetjake, se sa i ka përkthyer taksat e qytetarëve në përmirësim shërbimesh.



Analiza
Analiza e shpenzimeve paraqet një panoramë të përgjithshme mbi mënyrën si janë shpenzuar paratë në dispozicion të bashkive në fund të vitit 2018: sipas burimit të financimit dhe kryqëzuar me kategorizimin sipas natyrës ekonomike (paga dhe sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe investime) dhe sipas funksioneve të qeverisjes (arsim, çështje ekonomike, mbrojtje mjedisi, etj.). Në fund të vitit 2018, mjetet financiare të kanalizuara nga 61 bashkitë në vend, regjistruan një vlerë prej rreth 82.1 miliardë lekë, shifër kjo rreth 2.4% më e lartë se ajo e regjistruar në vitin e shkuar. Përjashtuar shpenzimet e kryera me fonde të trashëguara nga viti i mëparshëm, rezulton se bashkitë kanë alokuar në këtë vit rreth 80.6 miliardë lekë, rreth 7.3% më shumë se një vit më parë. Shpenzimet me fondet e veta të bashkive regjistruan një nivel prej rreth 48.3 miliardë lekë në fund të vitit 2018, duke shënuar një rritje të lehtë krahasuar me vitin e mëparshëm. Shpenzimet e kryera me fonde të kushtëzuara shënuan një vlerë prej rreth 33.9 miliardë lekë, në rritje me rreth 4.7 miliardë lekë në terma vjetorë. Në terma strukturorë, rreth 58.8% e shpenzimeve u krye me fonde të veta, ndërsa 41.2% e tyre me fonde të kushtëzuara. Mesatarisht në tre vitet e fundit shpenzimet korrente janë mbuluar në masën 57% me fonde nga burimet e veta vendore dhe për rreth 43% nga burimet financiare të kushtëzuara. Në të njëjtën mënyrë, shpenzimet kapitale u mbuluan mesatarisht në masën 69% nga burimet e veta vendore dhe në masën 31% nga burimet e kushtëzuara. Në fund të vitit 2018, shpenzimet kapitale u mbuluan në masën 56% nga burimet financiare vendore dhe për rreth 43% nga ato të kushtëzuara (përfshirë këtu fondet nga FZHR).

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *