MILOSAO

E sotmja nuk ka ndodhur

18:00 - 26.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ndue Dedaj




DEKRET
Ashtu si breshka mbështillet në zhguallin e vet,
Ashtu si mushka mban mbi kurriz eshkën e buzmit bujar,
Ashtu mbaj unë veshur setrën e epokës së gurit…
E askush s’ma heq.

KALATË
Të gjitha kalatë ishin më parë gra
Rozafa. Argjiroja. Petrela. Kruja…
U flijuan mureve të shekujve, me gjirin jashtë
Kurse statujat për çudi ishin… burra!

JANINA
Frosina nuk pati vdekur atëherë
Dashnore e kështjellës mbi liqen…
Muhaxhire e shekullit njëzet
Dha shpirt në një ylber.

 

MITROVICË
Ura është bërë ujë
Lumi është bërë mur
Mitrovica muranë gjaku
Në dy duar.

Mitrovicë, tetor 2015

QIELLTOKAS
Qielli nuk i mban asnjëherë
rrufetë e ndezulluara për vete,
i lëshon poshtë me rropamë mbi tokë e det
e kurrë lart nuk i pret!…

GJUHADOL
Sa herë shkel mbi kalldramet e (pa)sosun
Ndigjoj tingujt e një kumbone funebre,
Prek qiellin e përhimtë mbi Shkodër.
Nuk kam fjalë! Kam vetëm heshtje…

KISHA E
GJON BUZUKUT
Tash kaq shekuj që e kërkoj kishën tande, imzot
Hyj në një shtjellë motesh e dal në një tjetër.
Më ndjek ngado lutja jote, nën këtë mal.

Bir, nëse askund nuk më gjen dot,
Dije, qysh atëherë u kryqëzova në Meshar…

GURI I VASHËS
Guri i Vashës, fustan nusërie qëndisur në gurgac.
Ca gra e veshin, ca të tjera nuk e veshin kurrë,
Prej mohit u kthye në flamur!
E flamuri në gurrë…

NATYRË E QETË
Mësuesi mban qetësi në klasë,
Polici mban qetësi në rrugë,
Kryeministri mban qetësi në qeveri!
Popull i qetë.

SOZIA
Ra në fushën e luftës
Duke thirrur në kupë të qiellit
Rroftë Mbreti!
Poshtë Mbreti!

MUNELLA
Përkulet majtas e fsheh njërin Fan
Përkulet djathtas e fsheh Fanin tjetër
Si dy dashnorë binjakë…
Përherë të etur!

ÇINARI
Zgjatim i krahëve të mi në ajër
i gishtërinjve, flokëve, syve
unë zgjatim i trungut, degëve, gjetheve të tij,
çelim në njëni-tjetrin mot për mot
pa qenë nevoja të ndërrohen stinët.

2017

LUMENJTË
Të gjithë lumenjtë derdhen në det,
Të gjithë përrenjtë derdhen në lumenj!
Ndryshon puna me njerezit,
Ata rrahin ta ndryshojnë këtë rend…

GURI I MËNGJESIT
Njeriu lind përditë,
me çeljen e syve çdo mëngjes,
hov nga fshehtësia e territ
nëpër hojet e dritës.

E SOTMJA
NUK KA NDODHUR
Jam duke pritur te sotmen të ndodhë,
Por e sotmja s’po shihet n’horizont.
Fjala shtie në shkelm brenda barkut,
S’mund të presë deri nesër të lindë…

RROTULLIM
Nga të gjitha rrotullimet,
Më i pafajshmi rrotullimi i dy vogëlushëve,
Një vajze dhe një djali në livadh,
Herë sipër, herë poshtë…
Imitim i të rriturve në shtrat.

MACJA E ZEZË
Kaloi sot në mëngjes para meje një mace e zezë,
ma preu udhën kur po shkoja të blija gazetën,
trova nëpër dhëmbë, si të ishte hijenë…
pa menduar sa herë ia kisha prerë unë udhën asaj
e ajo nuk kishte truar, as me mend, as me fjalë!

KRAHNEZA
Pemët me kurorat mbuluar me krahnezë dëbore
Stolisur si nuse në sallonin i bukurisë së dimrit,
Pa këtë imazh stina e bardhë do të ishte amorfe,
Pranverës s’do t’i binte fustani lajlelule i prillit.

DAULLJA E GLOBIT
Rruzulli, tam-tam…
ka kohë që zihet me djajtë brenda vetes
lëkura e tij asht ba si e daulles
e rrahin gjithë shkopinjtë njëherësh
deri sa çahet…

ANA TJETËR E MALIT
A mundemi na të viseve të epërme
me e shpue Molungun tejpërtej
me u pa me detin sy në sy, jo për një dorë kripë (!)
e gjytetësit me e pa kullën loce “mbrapa diellit”…
pa dylbij!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.