AKTUALITET

Kriza, SHBA-BE: Politika të ulet në dialog konstruktiv

19:00 - 26.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndërkombëtarët u bëjnë thirrje krerëve të politikës shqi-ptare që t’i japin fund krizës në vend dhe të dialogojnë për zgjidhjen e konfliktit politik. Ambasada e SHBA-ve në Tiranë dhe OSBE bëri dje apel para protestës kombëtare të opozitës duke thënë se dhuna hedhja e gurëve dhe shashkave është e papranueshme. Ambasada amerikane në një deklaratë, ajo i kërkon protestuesve dhe forcave ligjzbatuese që të qëndrojnë larg dhunës. “Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv”,-thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. Edhe OSBE kërkoi nga drejtuesit e protestës të jenë të përmbajtur. “Koktejet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme, reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. I nxitim pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, është e papërputhshme me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike,”- thuhet në reagimin e OSBE.




Thirrja
Delegacioni i BE në vendin tonë u bën dje thirrje partive politike shqiptare që të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog. Në deklaratën e tyre ambasadorët e vendeve të BE në Tiranë bëjnë me dije se dënojnë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjnë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata e së shtunës të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. “Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri respektojnë plotësisht të drejtën themelore të qytetarëve të Shqipërisë për të demonstruar. Megjithatë, ne përsërisim rëndësinë e ushtrimit të kësaj të drejte në mënyrë paqësore. Ne dënojmë aktet e dhunës që kanë ndodhur në protestat e mëparshme dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të protestës si dhe autoriteteve shqiptare që të sigurojnë që demonstrata të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Të gjitha palët e përfshira kanë përgjegjësinë për të garantuar sigurinë e atyre që janë në rrugët e Tiranës sonte. Nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore. Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësinë për të vepruar me vetëpërmbajtje, edhe nëse provokohen. Për të mirën e qytetarëve shqiptarë, shumica e të cilëve dëshiron të shohë që vendi të bëjë përpara me procesin e reformave dhe të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ne i bëjmë thirrje të gjitha palëve të mbështeten në ofertën ekzistuese për dialog me synimin për të gjetur një rrugëdalje nga situata aktuale politike si një çështje urgjente”,-thuhet në deklaratën e BE.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.