Kryesore

Pensionet e pleqërisë, hyn në fuqi vendimi për koeficientët e rinj të indeksimit

19:00 - 27.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Disa ditë më parë ka hyrë në fuqi vendimi “Për miratimin e koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për llogaritjen e pensioneve”. Në udhëzimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, publikuar në Fletoren Zyrtare, bëhet me dije se koeficienti i indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2017, për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensionit është 3.7 për qind. “Për efekt të llogaritjes së masës fillestare të pensioneve, me datë lindjeje të së drejtës pas hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 180, datë 4.4.2019, koeficientet e indeksimit të bazës së vlerësuar, të miratuar me vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 571, datë 3.10.2018, ‘Për koeficientet e indeksimit të pagave për efekt të llogaritjes së bazës së vlerësuar për llogaritjen fillestare të pensioneve’, shtohen edhe me koeficientin 3.7 për qind”, – thuhet në udhëzim. Në këtë të fundit bëhet me dije se në vitin 2019, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2018, pas indeksimit të tyre me koeficientet vjetore sipas pikave 1 dhe 2 të këtij vendimi nuk mund të jenë më të larta se: a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, 26,000 lekë, e përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 809, datë 26.12.2018 “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, për pagat e periudhës nga viti 1994- 31.12.2001; b) paga maksimale në shkallë vendi, 114,670 lekë, e përcaktuar sipas kritereve të paragrafit të fundit të nenit 10, të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim.




Rillogaritja
Në vitin 2018 hyri në fuqi një vendim i Këshillit të Ministrave, i propozuar fillimisht nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, që preku të gjithë pensionistët e dalë në pension nga 1 janari i vitit 2018 e në vazhdim. Ndërkohë, Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të bëjë rillogaritjen e masës së pensioneve për të moshuarit, që aktualisht kanë dalë në pension, por që iu janë llogaritur masat me koeficente më të ulët. Kështu pensionet që janë lidhur e që do të lidhen në vazhdim do të shumëzohen me koeficientin 8,76. Në vitin 2018-ën, pagat mbi të cilat janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore deri në vitin 2017, pas indeksimit të tyre me koeficientet vjetore të përcaktuara në këtë vendim nuk mund të jenë më të larta se trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri më 31.12.2001. Ky vendim vlen edhe për vitin 2019-të, ku koeficienti do të jetë 1.00, njësoj si në 2018-ën. Ndërkohë, pagat nuk mund të jenë më të larta se paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave për efekt të pagimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore në vitin 2018, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim. “Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga 1.1.2018 e në vazhdim dhe përballohen brenda buxheteve vjetore, të miratuara për Institutin e Sigurimeve Shoqërore”, – nënvizohet në vendimin e qeverisë.

Koeficientet
Koeficientet e indeksimit janë ato koeficente që kërkojnë që pagën mbi të cilën janë paguar kontributet, ta aktualizojnë e ta sjellin në nivelin e vlerës së pagës sot, pra t’i heqin efektin “gërryes” të inflacionit. Paga e një mësuesi që ka filluar punën me kontribute në 1975-ën deri në janar të ’94-ës, me gjithë indekset e ndryshimet që kanë ndodhur është e tillë që shkon 4110 lekë. Kjo pagë indeksohet sot me një koeficient. Edhe ky indeks është i përshkallëzuar, e fillojnë nga ’94-tra deri në momentin që del në pension. Viti 2018 nuk ka indeks, kurse viti 2014, 2015 kanë koeficientet respektive. Formula e përllogaritjes së pensionit të pleqërisë është: pension social (bazë) plus një shtesë që është 1% për çdo vit sigurimi, për çdo vit punë, të bazës mesatare të vlerësuar për gjithë periudhën që individi ka paguar kontributet. Një qytetar që ka filluar punën në vitin 1975 deri në 2018-ën, pa ndërprerje, pra ka 43 vite pune me kontribute. Pensioni do të llogaritet nga viti ’75 kur individi ka filluar punë për herë të parë, deri në 2018-ën me pagat që ai ka gëzuar. Këto paga referuese i shërbejnë individit nga dita që ka filluar punë deri në 31 dhjetor të 1993-it e këto paga kanë koeficientet e veta të indeksimit. Baza e vlerësuar për llogaritjen e pensioneve llogaritet si raport i shumës së pagave, për të cilat janë paguar kontributet, me periudhën që njihet si periudhë sigurimi. Për periudhën e sigurimit nga data 1.1.1994 e në vazhdim, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merret shuma e pagave për të cilat janë paguar kontributet nga data 1.1.1994 deri në fund të periudhës së sigurimit. Për periudhën e sigurimit në institucione dhe ndërmarrje shtetërore para datës 1.1.1994, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Për periudhën e sigurimit në ish-kooperativat bujqësore, për llogaritjen e bazës së vlerësuar merren pagat referuese të caktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastet kur personi i siguruar ka periudhë sigurimi para dhe pas datës 1.1.1994, baza e vlerësuar llogaritet si mesatare aritmetike e ponderuar e bazës së vlerësuar të periudhave të sigurimit, si ish-punonjës i institucioneve apo ndërmarrjeve shtetërore dhe ish-anëtar i kooperativave bujqësore përpara vitit 1994 si dhe e periudhave të sigurimit si person i punësuar, i vetëpunësuar apo ekonomikisht aktiv pas datës 01.01.1994. Për efekt të llogaritjes së pensioneve me datë fillimi pas 1.1.2016 e në vazhdim, baza e vlerësuar mesatare do të llogaritet bazuar në pagat referuese sipas llojit të punës, ose funksionit përpara datës 01.01.1994 si edhe mbi pagat individuale mbi të cilat janë paguar kontributet sipas viteve, nga 01.01.1994 deri në 31.12.2015, të indeksuara me indeksin që del nga pjesëtimi i pagës minimale në shkallë vendi të vitit 2015 me pagën minimale të vitit 1994 ose me pagën minimale të vitit përkatës. Koeficientet e indeksimit sipas viteve përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Koeficienti i indeksimit para vitit 1994, aktualisht është 8.59. Për llogaritjen e pensionit përdoret formula: PP (Pensioni i pleqërisë) =PS (Pension Social) *(shumëzuar) vjetërsi kontributive të realizuara/vjetërsi kontributive që kërkohet +1/100* (shumëzuar) vite sigurimi* (shumëzuar)BV (baza e vlerësuar).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.