DOSSIER

Dokumenti sekret: Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari inkurajuan të dënuarit për revoltën

18:00 - 29.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ngjarja e datës 22 maj 1984 e njohur ndryshe si Revolta e Qafë Barit, e ndodhur plot 35 vjet më parë, përmban një dosje voluminoze që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së Brendshme nga ku herë pas here janë bërë publike në media një numër dokumentesh që hedhin dritë mbi atë revoltë që duhet thënë që asokohe tronditi jo pak regjimin komunist të Tiranës (gjë të cilën e tregon fakti se në shenjë hakmarrje dhe terrori, pak ditë më pas, ridënoi me burgime të gjata plot 24 të dënuar të akuzuar si protagonist të asaj revolte dhe pushkatoi të dënuarit, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli, ndërsa kishte mbetur i vdekur nga torturat, Sandër Sokoli dhe i plagosur me plumb, Kostandin Gjordeni). Vetëm pesë ditë pas asaj revolte të të dënuarve politik që vuanin dënime të rënda në atë kamp pune të detyruar me kushte nga më të vështirat, më datën 27 maj 1984, komanda e Repartit 311 të Qafë Barit, bëri analizën për ngjarjen duke renditur kronologjikisht gjithsa kishte ndodhur aty, (me emrat e të dënuarve dhe efektivave të policisë e kuadrove drejtuese të atij kampi), si dhe arsyet që çuan në atë ngjarje dhe masat e marra me detyrat përkatëse që do të zbatoheshin nga efektivat dhe komanda e atij reparti në të ardhmen. Kjo gjë, pra analiza për atë ngjarje ndodhet në dosjen në fjalë të sipërcituar, e cila nuk është bërë asnjëherë publike dhe nisur nga ky fakt ne po e publikojmë të plotë ekskluzivisht për Gazeta Shqiptare. Në pjesën e dytë të këtij shkrimi që po publikojmë sot, vazhdojmë me dokumentin e analizës së bërë nga komanda e Repartit 312 të Qafë Barit, e cila është firmosur nga komandanti Riza Musollari dhe kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës, Edmon Çifligu, tregohet se si vazhdoi dinamika e ngjarjes e datës 22.V.1984 pas ardhjes në atë kamp-burg të zv/Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Drejtorit të Drejtorisë së Zbatimit të Veprave Penale dhe më tej jepen me detaje dhe hollësira “shkaqet dhe mangësitë që çuan në atë ngjarje e detyrat dhe masat konkrete për përmirësimin e gjendjes në të ardhmen”, duke dhënë edhe emrat konkret si nga ana e efektivit ushtar-policë-oficer, “të cilët në kushte të pabarabarta numerike, treguan guxim dhe trimëri gjatë përleshjes me të dënuarit”, si dhe disa emra të dënuarish, si “Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari, të cilët me veprimet e tyre nxitën dhe inkurajuan të dënuarit në atë revoltë”.




(vijon nga numri i kaluar)
Kur erdhi zv/ Ministri të dënuarëve që morrën pjesë në këtë revoltë ju bë thirrje që brenda pesë minutave të mblidheshin në vëndin e caktuar të gjithë ata që do të dëgjonin emrin sipas listës që u lexua, gjë e cila u zbatua menjeherë pa asnjë hezitim dhe sipas rregullit të dënuarit u lidhën dhe u shoqëruan për në Degën e Puneve të Brendëshme në Pukë, 24 të dënuar ndaj të cilëve organet e hetimit dhe të prokurorisë morrën masat e nevojshme.

Për këtë ngjarje të rëndë që ndodhi në repartin tonë, e cila as na çudit, sepse armiqtë mbeten gjithmonë armiq e ata kudo dhe kurdoherë mundohen që të na pengojnë në rrugën tonë, as na trembin, sepse ne jemi të fortë dhe të pamposhur me Partinë dhe shokun Enver në krye, ne duhet të nxjerrim dhe të përcaktojmë drejt shkaqet e kësaj ngjarje, mangësitë dhe dobësitë e punës sonë dhe detyrat që na dalin për të përforcuar më tej vigjëlencën dhe gatishmërinë për sigurimin e plotë të të dënuarëve.

Dine Fratari Kampi i Qafe-Barit ne Puke. Foto e viteve 80-te 1 IMG_1112 8A65AC51-D602-4B01-B990-6113F26EA0CE 20180420_103023
<
>

Së pari: Zbulimi e goditja nga Partia dhe shoku Enver poliagjentit Mehmet Shehu dhe bandës së tij: Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu etj, u ka prerë shpresat armiqëve të brendshëm e të jashtëm për të marrë kalanë nga brenda, e për rrjedhojë veprimtaria armiqësore edhe në repartet e riedukimit e veçanërisht e atyre për krime kundër shtetit është intesifikuar në forma nga më të ndryshmet: të gjoja trajtimit jo të mirë, të kundërshtimeve për zbatimin e rregullave, ankesave të shumta që nuk u ndeshën me të dënuarit të cilët ju kundërvunë policisë, por me qëndrimin e tyre i inkurajonin ata, e kjo ndodhi se në Këshillin e Riedukimit dhe në organikat e brendëshme ishin vënë element armiq të betuar që asnjëherë nuk mund të kthehen nga rruga e tyre armiqësore, si Dalip Zhabolli dhe Hajredin Fratari, bir krimineli dhe sabotator, për të cilët mbajmë përgjegjësi përse nuk i kemi shikuar me sy klasor, por jemi nisur vetëm nga aftësitë e tyre për ta kryer këtë detyrë.
Ngjarja e datës 22.5.1984 në repartin tonë është një ngjarje që tregoi edhe njëherë se armiku nuk bëhet kurrë mik dhe ai është siç ka thënë Partia dhe shoku Enver gjithmonë është përpjekur dhe do të përpiqet të pengojë ndërtimin e socializmit në vëndin tonë, por nga ana tjetër kjo ngjarje tregoi edhe njëherë gatishmërinë, vigjëlencën dhe urrejtjen klasore të efektivit tonë ndaj armikut të klasës, këtë konkluzion e nxjerrim sepse gjatë përleshjes që ndodhi brenda në regjimin e të dënuarëve, efektivi i repartit, kuadro e policë, ndonëse në raporte jo të barabarta, treguan guxim dhe trimëri ndaj tyre e nuk morrën parasysh asnjë pasojë që mund të vinte për jetën e tyre, por me urdhër dhe me vështirësi u tërhoqën jashtë rrethimit. Në këtë ndeshje u dalluan të gjithë shokët që morrën pjesë, por veçanërisht oficer Mersin Haska, policë Simon deda, Fiqëri Çakalli, Beqir Vrenezi dhe Pëllumb Burnazi, si dhe i gjithë efektivi ushtarë të cilët e kishte bërë të pakalueshëm rrethimin e repartit dhe për disa ditë me shërbim tepër të përforcuar nuk është dukur dhe nuk duket asnjë shenjë lodhje e ulje vigjëlence. Kjo tregon se efektivi ynë i udhëhequr nga mësimet e Partisë dhe të shokut Enver, është i gatshëm të japë dhe jetën për mbrojtjen e atdheut tonë socialist.
Por megjithatë nga analiza në tërësi e kësaj ngjarje, ne evidencojmë disa të meta dhe mangësi që favorizojnë elementin armik, për t’ju kundërvënë kërkesave të regjimit të brendshëm e të rregullave të vendosur në formën më të ashpër.

Me gjithë masat e marra rregulli i fortë që vendosën në repart kur erdhën të dënuarit për krime kundër shtetit ato nuk u mbajtën e u ndoqën me atë vigjilencë që duhej nga efektivi në përgjithësi, e veçanërisht nga efektivi i policisë në regjimin e të dënuarëve, kështu p.sh. kontrollet e hyrje-daljeve në regjim nuk janë bërë me vigjëlencë të lartë sipas kërkesave të rregullores, por janë krijuar koncepte jo të drejta ndaj disa të dënuarëve, e veçanërisht të atyre të dënuarëve të organikave të brendëshme duke i konsideruar të riedukuar e të padëmshëm, kontrollet periodike të bëra nga ana jonë ndonëse janë bërë në rregull nga pikpamja numerike ato nuk i kanë shërbyer sa dhe si duhet qëllimi e kjo nga fakti se grupi i të dënuarëve që veproi ndaj efektivave kishte të fshehura shumë sende dhe mjete të ndaluara, si thika, leva, baromina, etj, të cilat ishin të pazbuluara nga ana jonë, po kështu edhe të dënuarit e caktuar në organikat e brendëshme, në zyrat dhe lokalet e tyre u gjendën raki, pinca, gërshërë, sqepar, etj, kështu p.sh. Kryetari i Këshillit të Riedukimit, Dalip Zhabolli tha se rakinë ja ka sjellë familja në takim dhe e ka futur në repart pasi nënoficeri i rojes nuk i bënte kontroll të ushqimeve sipas rregullave. Këto vërtetojnë se efektivi i policisë nuk e ka kryer detyrën si duhet dhe se ne si komandë nuk e kemi ushtruar kontrollin si duhet.
Për këto të meta mbajmë përgjegjësi ne si komandë reparti, komandanti i togës së policisë, shoku Edmon Caja, shefi i stërvitjes dhe shërbimeve shoku Avdulla Dervishi, i cili pak është marrë me problemet e forcimit të regjimit të brendshëm.
Dobësi dhe të meta evidencohen edhe në punën e punëtorit operativ, Miti Kurici, i cili në qoftë se na ka informuar dhe ndihmuar mirë për për tendencat dhe rrezikshmërinë e të dënuarave në ruajtje, të cilën siç e thamë dhe më lart e njihnim, nuk ka ndjekur e njohur më nga afër dhe më thellë disa probleme dhe dobësi që përmëndëm në regjimin e brendshëm për njohjen më mirë të personave që punonin në Këshillin e Riedukimit dhe organikave të brendëshme, të cilat siç u vërtetuan nga ngjarja, ishin njerëz jo të përshtatshëm për këto detyra.
Për këto të meta dhe mangësi ne jemi të ndërgjegjshëm dhe i premtojmë Partisë dhe udhëheqjes së Ministrisë se në të ardhmen nuk do të lejojmë më dobësi të kësa natyre.

Në të ardhmen, veç masave konkrete që u muarrën nga udhëheqja e Ministrisë për stabilizimin e plotë të gjendjes në repart, na dalin dhe këto detyra:
1. Të forcohet puna për edukimin politik dhe ideollogjik të efektivit për të krijuar bindje të shëndosha për rrezikshmërinë e të dënuarve në ruajtje duke e lidhur këtë me ngjarjen e datës 22.5.1984, për të forcuar vigjëlencën dhe gatishëmrinë luftarake për të kuptuar dhe zbatuar praktikisht luftën e klasave në marrdhënie me të dënuarit dhe familjet e tyre

2. Për të rritur aftësitë profesionale kryesisht në njohjen dhe zbatimin e kërkesave të rregulloreve të bëhet një program i veçantë dhe të punohet me efektivat e policisë dhe kuadrot.

Afati brenda datës 30.5.1984
Nga kuadrot oficer Avdulla Dervishi dhe Edmon Caja

3. Të shkarkohet nga detyra Këshilli i Riedukimit dhe të zëvëndësohet me të dënuar të tjerë që punojnë dhe sillen mirë dhe që aktivizohen në luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe elementëve negativë.

Afati deri më 30.5.1984
Kryejnë M. Haska, N. Asllani e M. Kurici

4. Të bëhet organizimi i ri i brigadave dhe turneve të punës, ndarja nëpër fjetore sipas brigadave dhe studimi i organikave të brendëshme duke e zëvëndësuar të gjithë elementin negative dhe indiferent.

Afati deri më 30.5.1984
Kryejn M. Asllani, E. Caja, M. Haska, M. Kurici

5. Të merren masa të rrepta që të mos lejohet asnjë lëshim në zbatimin e normave dhe të rregullores gjatë hyrjeve dhe daljeve të të dënuarëve në regjimin e brendshëm si dhe gjatë takimeve me familjet e tyre.

Detyrë e përherëshme
Ngarkohet gjithë efektivi, kuadro dhe policë.
Kontrollon Komanda e Repartit.

6. Të bëhet mbledhja me të gjithë punonjësit e lirë që punojnë me të dënuarit dhe duke marrë shkas nga ngjarja t’u flitet për rrezikshëmrinë e të dënuarëve e për rrjedhojë për qëndrimin që duhet të mbajnë ata, rritjen e vigjëlencës e veçanërisht të atyre që administrojnë dhe përdorin lëndët eksplozive.
Afati deri më 10.6.1984
Kryen komanda e repartit.
7. Të merren masat që të mbahet në gatishëmri mjetet e ndërlidhjes dhe të bisedohet me Ministrinë për rregullimin e linjës Qafë Bari-Tuç
Afati deri më 30.6.1984.
Kryen komanda e repartit.

Komandanti i Rep. 312 Kryetari i Degës së P. të Brendëshme
Riza Musolllari
Edmond Çifligu


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.