Media

Dalin fotot, shkrimtari i famshëm, Ismail Kadare, kafe me gazetarin….

21:06 - 05.06.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Edhe pse ndan jetën e tij ndërmjet Shqipërisë e Francës dhe një periudhë kohe jo të vogël e kalon në Tiranë ku krijoi dhe realizoi pjesën më të madhe të korpusit të tij letrar, daljet e tij publike pothuaj vazhdimisht përbëjnë lajm, duke zënë faqet e gazetave dhe portaleve të shumta. I ardhur para pak ditëve në Tiranë, shkrimtari me famë botërore dhe njëkohësisht kandidat i çmimit Nobel në Letërsi, Ismail Kadare, para pak ditëve është parë tek lokali i tij i preferuar në periferi të kryeqytetit, në shoqërinë e gazetarit dhe studjuesit të njohur, Dash Kaloçi, gjë e cila duket edhe në këto foto që ka mundur të sigurojë Gazeta Shqiptare.




Ajo që bën përshtypje dhe në një farë mënyre përbën “lajm”, është fakti se Kaloçi vetë, apo dhe të tjerë, nuk kanë publikuar kurrë foto, ku ai të jetë në shoqërinë e Kadaresë, gjë të cilën me shumë të drejtë edhe emra të njohur publik të niveleve më të larta, deri kryeministra e presidentë, me shumë kënaqësi i publikojnë menjeherë në faqet e tyre në rrjetet sociale. Veç të tjerash, ajo që dihet publikisht nga raportet apo lidhjet e Kaloçit me shkrimtarin e madh, është ajo se këto katër-pesë vitet e fundit, Kaloçi, në bashkëpunim me botuesin e UET PRESS, Henri Çili, kanë botuar dy tre libra voluminozë me dokumente arkivore sekrete të panjohura më parë. Si p.sh.: “Kadare i denoncuar”, “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave”, “Kadare dhe regjimi komunist”, libra të botuar në pesë edicione dhe me një tirazh shitje të lartë, të cilat duhet thënë se trazuan “ujrat e ndenjura” të regjimit komunist të para viteve ’90-të, apo siç është shprehur në një nga parathëniet e këtyre librave, studjuesi i njohur, prof. dr. Sadik Bejko, “…Librat e Kaloçit, treguan anën e pasme të errët dhe të ndyrë të pasqyrës….”. Këto libra kanë pasur një jehonë dhe impakt të madh publik, aq sa si rrallë herë në këto tre dekada pas shëmbjes së regjimit komunist, shkaktuan një vale debatesh polemikash e përplasjesh tepër të forta në mediat e ndryshme vizive dhe të shkruara, ku u përfshinë emra nga më të njohurit e publicistikës shqiptare, botues, drejtues emisionesh, gazetarë, analistë, shkrimtarë, artistë, politikanë, ish-të përndjekur politik, etj etj. Aq e madhe ishte zhurma që shkaktuan librat e Kaloçit, saqë sipas burimeve të UET PRESS, libri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave”, prej kohësh është duke u përkthyer në anglisht nga një shtëpi e njohur britanike që ka treguar interes të madh për të kaluarën e shkrimtarit tonë të njohur dhe si parathënie do ketë një intervistë të gjatë të Kadaresë me botuesin londinez. Ndoshta kjo ka qenë dhe tema e takimit për të cilën ata mund të kenë biseduar në atë lokal ku siç duken në foto po bisedojnë të qetë dhe pa njerëz të tjerë rrotull. Apo takimi i tyre ka të bëjë me ndonjë intervistë që gazetari Kaloçi ka dashur të realizojë për emisionin “RREFIM” në Tv Scan ku ai punon prej vitesh, ose ndonjë intervistë a pronocim për ciklin e dokumentarëve televiziv “Përballje me të kaluarën” në Radio Televizionin Shqiptar, ku trajtohet tema e krimeve të komunizmit në Shqipëri, gjë të cilën Kaloçi vijon prej dy vjetësh ta realizojë me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë. Gjithsesi këto janë vetëm supozime dhe Gazeta Shqiptare me shumë dashamirësi i bën publike këto foto ekskluzivisht për lexuesin e saj. Dhe njëkohësisht duke iu uruar shkrimtarit të njohur Ismail Kadare suksese në punën e tij krijuese dhe pak fat në këtë vjeshtë që vjen kur dhe pritet shpallja e çmimit Nobel në Letërsi. Po kështu i urojmë suksese edhe kolegut Kaloçi, i cili për një dekadë me rradhë ka qenë pjesë edhe e stafit tonë (Gazeta Shqiptare dhe Tv News24) me rubrikën speciale dossier dhe emisionin me të njëjtin emër. Gjë të cilën ai nuk e ka harruar dhe “na kujton” herë pas here me shkrimet që na dërgon. (G.Sh.)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.