BLUETOOTH

Klaus Bardeli: Jeta është sfidë, ja formula e suksesit tim në biznes

17:03 - 06.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali  – Emocionet në skenë, qëllimet ambicioze për të ardhmen – “Familja është e shenjtë për mua”




Disa njerëz janë të destinuar për të shkëlqyer ngado. E ardhmja është e atyre që besojnë në ëndrrat dhe potencialin e vetes, që priren drejt së mirës dhe që nuk harrojnë të kthejnë kokën pas, aty ku e kanë nisur. Ai është rasti i artistit në shpirt. Nga rrugëtimi si spiker lajmesh, për të vijuar me skenën, si prezantues e tanimë si menaxher vjen në një rrëfim ekskluziv për “Gazeta shqiptare” një personazh krejt ndryshe nga të tjerët, Klaus Bardeli.

Tek rrëmon nëpër kujtime, ai ndan me ne copëza momentesh nga edicioni më i veçantë informativ, suksesin si prezantues në “Ballkanika Folk Festival”, angazhimet e fundit dhe detaje për jetën përtej personazhit mediatik. E ndërsa rreket të ruaj modestinë, Klausi na tregon për pritjen e ngrohtë të publikut, që përbëhej nga shikuesit e të gjitha vendeve të Ballkanit. Edhe pse i përfshirë rastësisht në televizion, Bardeli ka arritur që të lërë gjurmë në të, të cilat as koha nuk mund t’i mbulojë me pluhurin e harresës. Ai pranon se do të rikthehejë fuqishëm në ekran vetëm po t’i besohej një projekt i rëndësishëm. Megjithatë, Klausi ndihet mjaft mirë me angazhimet e fundit, ku punon si menaxher tek “National Sport Park Resort” dhe “Aloe Vera Albania”. Jo rrallëherë bëhet pjesë edhe e projekteve të Federatës Shqiptare të Tenisit. Një jetë tejet dinamike, me pasionin për drejtësinë, për të vijuar me udhëtimet, librat, palestrën dhe tenisin. I kudogjendur për miqtë, djali shembull për familjen, Klausi ndan me ne çastet më të bukura të fëmijërisë. Ai beson te qëllimet e tij dhe ne kemi bindjen se shumë shpejt do i rezervohet një vend atje lart, në Olimp.

Nga puna si spiker lajmesh, cili ka qenë ai edicion informativ që do e veçoje nga të tjerët?

Pavarësisht edicioneve me lajme nga më të goditurat apo më të rëndësishmet për publikun, edicioni më i veçantë informativ për mua mbetet hera ime e parë, që prezantova lajmet në televizion. Edhe pse kisha pak kohë që punoja në radio, dalja para publikut me zë dhe figurë ishte një emocion i fortë dhe unik.

DSC_0820.1 DSC_1002 DSC_02971 DSC_10891
<
>

Një situatë e sikletshme në studio?

Situata më e sikletshme ka qenë një moment kur më kapi e qeshura me kolegen time ndërkohë që, po jepej lajmi i aktualitetit dhe në momentin, që u rikthyem në studio duhej të lexoja një lajm të rëndë nga kronika. Aty e kam gjetur veten në vështirësi edhe pse e menaxhova ta përfundoja prezantimin e lajmit me sukses.

Ke prezantuar “Ballkanika Folk Festival”. Si je pritur nga publiku?

Publiku më ka pritur mjaft mirë. Gjatë prezantimit në skenë kam qenë i mbushur me emocione pozitive, të cilat janë reflektuar edhe tek sytë e publikut. Komplimentet e ndryshme më kanë dhënë goxha ngrohtësi pasi publiku në “Balkanika Folk Festival” ishte i gjerë duke qenë se përbëhej nga shikues nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Je larguar nga bota e televizionit. Çfarë do të të  rikthente sërisht?

Në televizion jam përfshirë rastësisht, por e kam gjetur veten mirë për aq kohë sa kam qenë aktiv. Televizioni nuk ka qenë ndonjëherë objektiv i imi, pasi edhe studimet i kam mbaruar për një tjetër drejtim. Mbase do të rikthehesha në televizion po të më propozohej ndonjë projekt i rëndësishëm, por nuk e mendoj ta ushtroj moderimin si profesion të përhershëm.

Angazhimet e tua të fundit?

Aktualisht punoj si menaxher i përgjithshëm në “National Sport Park Resort”, menaxher tek “Aloe Vera Albania”, ferma e parë me bimë Aloe Vera në Shqipëri si dhe angazhohem në projekte të ndryshme në Federatën Shqiptare të Tenisit. Gjatë kohës së lirë përpiqem të jem sa më shumë në aktivitet, luaj tenis, bëj palestër, lexoj ndonjë libër ose dal me shoqëri apo familje.

Përtej personazhit mediatik, si është Klausi në familje dhe në rrethin shoqëror?

Mundohem të jem sa më i pranishëm në familje dhe rrethin shoqëror pasi i vlerësoj shumë njerëzit që më mbështesin. Jam i dashur, i drejtpërdrejtë dhe pozitiv. Familja për mua është e shenjtë, por edhe në shoqëri tregohem tejet selektiv.

Si ja bën me njerëzit “mbytës”?

Vetë natyra ime më shtyn të tregohem i drejtpërdrejt me këdo. Njëlloj ndodh edhe me njerëzit e ashtuquajtur “mbytës”. Nëse e ndjej se dikush po bëhet ngjitës nuk përtoj t’ia them dhe t’i jap arsyet përse mendoj ashtu.

Kompleksi më i fortë që ke mundur ta kapërcesh?

Përpiqem të jem njeri pa komplekse dhe të mos vendos i barriera vetes. Gjithsesi për momentin më vijnë ndërmend dy komplekse që janë: të lahem në dushe publike dhe të bëj duart me vaj ndërkohë që ha, por edhe këto komplekse po përpiqem t’i superoj.

Pasionet që të thërrasin së brendshmi?

Gjithmonë kam qenë me bindjen se çdokush duhet të marrë atë që meriton në këtë jetë. Prandaj pasion i imi është drejtësia, mbi të cilin kam zhvilluar edhe studimet e mija. Pasion tjetër kam edhe biznesin dhe idetë inovative, prandaj bëj punën që bëj aktualisht dhe kam qëllime edhe më ambicioze për të ardhmen.

Çfarë do të thotë “ta marrësh jetën siç të vjen”?

Ta marrësh jetën siç të vjen nuk do të thotë të jetosh pa qëllime, por nënkupton që në situata të vështira të jesh i përgatitur. Jeta është një sfidë dhe ne duhet të jemi gati për të. Edhe unë e mbështes këtë thënie në përditshmërinë time.

Në retrospektivë, si ka qenë fëmijëria jote?

Fëmijëria ka qenë shumë e veçantë për mua. Kjo për arsye se kam qenë i rrethuar me shumë familjarë. Kujtimet më të bukura të fëmijërisë sime lidhen me motrën time, me lojërat me shokët dhe shoqet, drekat me familjarët dhe me kushërinjtë e mi të shumtë, fundjavat në mal, në plazh apo tek shtëpia e gjyshes sime të dashur.

Një frazë që të ndihmon ta nisësh ditën mbarë?

“Qëndro i uritur! Qëndro i marrë!” Është një shprehje, të cilën e kam dëgjuar për herë të parë nga fjalimi i Steve Jobs në Universitetin Stanford në vitin 2005. Kjo frazë më motivon të kërkoj çdo ditë më shumë nga vetja dhe të jem aq i marrë sa të besoj tek ëndrrat dhe qëllimet e mija edhe kur bota mund të jetë kundër.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.