OPINION

Denoncimi i “Bild” dhe engjëjt e zbritur nga qielli

07:20 - 07.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gazeta e mirënjohur gjermane “Bild (në gjermanisht “Fotografia”) është gazeta më e madhe në Evropë, me 2 milionë kopje të shitura në ditë dhe e gjashtëmbëdhjeta në botë për nga tirazhi. Në këtë gazetë, pas shkrimit të tij me titull “Kryengritje në Shqipëri: përse digjet Ballkani?” të datës 14 maj, gazetari i “Bild”, Peter Tiede publikoi pardje shkrimin e dytë me titull “Si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri”. Në këtë shkrim, Tiede jep 5 fragmente përgjimesh telefonike të prokurorisë shqiptare, në të cilat një nga anëtarët e grupit të strukturuar kriminal nga Durrësi që çonte drogë në Itali komunikon në celular me kryetarin e Bashkisë së Durrësit për veprimtarinë e tij në ndihmë të sigurimit të votave për PS-në në qarkun e Durrësit. Gazetari gjerman shprehet: “Në të vërtetë vendi po zhytet në kaos. Është në udhëkryq – në kushte demokratike apo në humnere, si një republikë e mafies” (https://www.bild.de/politik/inland/politik-inland/bild-exklusiv-abhoerprotokolle-der-ermittler-wie-die-mafia-in-albanien-wahlen-ma-62395878.bild.html). Më 29 maj 2019, Komisioni Evropian publikon raportin e tij vjetor për vendin tonë (Progres-raportin). Në të thuhet: “Në vitet e fundit, Shqipëria vazhdimisht ka treguar përkushtim për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Shqipëria lejon monitorimin ajror nga një shtet anëtar i BE-së (vrojtime ajrore nga “Guardia di Finanza (Roja Financiare)” italiane, bashkëfinancuar nga BE). Në dy sezonet e kaluara të prodhimit, pothuajse asnjë parcelë kanabis nuk është kultivuar në ajër të hapur në Shqipëri”. (faqe 33, fragmenti i dytë. https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/sites/near/files/20190529-albania-report.pdf). Kujt t’i besojmë? Mendoj se e vërteta qëndron diku në mes. Zgjedhjet tona janë prekur historikisht nga parelinj me të kaluar të dyshimtë të të bërit të parasë. Sipas partive që kanë qenë në pushtet, i kanë mikluar fort ato, duke u sjellë para për aktivitete zgjedhore, por sidomos vota dhe influencë në zonat ku vepronin. Dhe duke kërkuar në këmbim favore në tendera apo leje ndërtimi, kur kishin biznese të deklaruara, ose në shitblerje pronash dhe tokash, sidomos në bregdet. Kjo është arsyeja pse në komunikimin me kryetarin e Bashkisë së Durrësit (viti 2016), përfaqësuesi i grupit kriminal i përmend se po priste të përfundonte punë me filanin (emrin e një ish-drejtori të Hipotekës Durrës, të ardhur nga një parti më e vogël, me të cilën PS ndante pushtetin në vitet 2013-2017). Këto pazare të ndyra dhe trafik influencash janë bërë rëndom tek ne. Edhe me përfaqësues të grupeve ose klaneve që tregtonin drogë dhe askush nga politikanët ose përfaqësuesit e pushtetit vendor të tri partive tona kryesore nuk mund të sillet sot si engjëll i zbritur nga qielli. Partia socialiste, mbi të cilën miklimi i elementëve kriminalë në zgjedhjet e vitit 2017 ishte i jashtëzakonshëm (prej këtej dhe ndijimi jo fare pa bazë i opozitës sonë të vetëmërguar nga Kuvendi se zgjedhjet dy vjet më parë ishin të trukuara) duhet të bëjë urgjentisht shkëputjen nga ish – “hambarët e votave”, siç i quanin me respekt e gati përkëdheli të gjithë në PS drejtuesit-pashallarë në Durrës, Elbasan apo gjetiu, të mësuar me drejtim absolut të pashallëqeve të tyre për 12 vjet (tri mandate kryetari bashkie). Jo vetëm këtë shkëputje të heshtur e si fajtore që ka bërë kjo parti nga ata, duke mos i rikandiduar, gjoja se vetë pashallarët ishin të lodhur e nuk pranuan të garonin për sarajet(?!). Me denoncimin e “Bild”, partia socialiste nuk ka ç’të humbë nga çjerrja e plotë e maskës së drejtuesve-pashallarë të pushtetit vendor. Duke deklaruar “mea culpa”-n (faji është imi) se u mbështet në mënyrë gati romantike mbi këta “hambarë votash” apo gladiatorë fals zgjedhjesh për disa mandate rresht. Edhe duke pasur shumë të dhëna ose indicie (gjurmë) se këta pashallarë kishin lidhje me elementë me të kaluar të dyshimtë. Qëllimi nuk justifikon mjetin, kur kërkon zemrën e popullit. Nëse do thjesht votën e tij të devijuar, atëherë prano epitetet e gazetarit fantazist e idealist (kjo nuk i shkëput asgjë nga nuhatja e tij hetuese) Peter Tiede të gazetës gjermane “Bild”.




 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.