KULTURË

Gjinushi: Lashë PSD, s’jam dekretuar. Fuga: Zgjedhje kundër ligjit

12:20 - 08.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Njoftim! Nesër, datë 7 qershor 2019, ora 11.00, kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, akademik Skënder Gjinushi jep një komunikatë për mediat. Në sallën “Aleks Buda”.
Ky njoftim u shpërnda të enjten në orën 21:00 nga faqet zyrtare të Akademisë së Shkencave. Dje, në orën 11:00, Gjinushi bëri një komunikatë 5-minutëshe, ku tha se “është zgjedhur nga asambleja si kryetar i Akademisë, çka ende nuk është bërë efektive, sepse nuk është dekretuar. Kështu që ndryshe nga ç’rendin të thonë, nuk kryej prej kohësh as funksionin e PSD-së as funksionin e kryetarit të Akademisë”. sipas Gjinushit, zgjedhja e të cilit në krye të Akademisë më 24 maj është pritur me polemika, “ligji ndalon ushtrimin në një kohë të dy funksioneve. Kush kupton nga papajtueshmëria, duhet të dijë që ndalohet ushtrimi në një kohë i dy funksioneve të papajtueshme, çka s’ka ndodhur asnjë sekondë. Veprimet e mësipërme janë çuar për regjistrim në gjykatë dhe në KQZ. Dje gjykata pranoi depozitimin për dorëheqje dhe zëvendësimin tim me Engjëll Bejtja dhe KQZ ka marrë veprimet e veta. Që dje nuk figuroj as formalisht, as në aktet e gjykatës, as në ato të KQZ si kryetar i Partisë Social-Demokrate. Ata që ngatërrojnë jo pa dashje datën e marrjes së një vendimi me fillimin e efekteve të tij, me atë të regjistrimin i kujtoj se datëlindja është dita që fëmija del në dritë dhe merr frymë i pavarur për herë të parë dhe jo dita e regjistrimit në gjendjen civile”. Kjo qe komunikata e shkurtër e Gjinushit. Pyetjes për dekretimin, ai iu përgjigj: “Nuk ka afate të shkruara. Afati për ministrat është për 6 ditë, ndërsa Akademia është organ që zgjidhet dhe është në vullnetin e tij (presidentit) që ta kryejë këtë vendimmarrje”. Kryetari i zgjedhur i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, megjithëse doli para mediave për të sqaruar pozicionin e tij, pas deklaratave se ka shkelur ligjin duke mbajtur njëherazi pozicionin e kryetarit të Partisë Socialdemokrate dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave, nuk arriti të shuajë kritikat. Vetëm pak më vonë akademiku Artan Fuga përmes një reagimi tha se Gjinushi është zgjedhur kundra ligjit.




REAGIMI I FUGËS
Përse gazeta “Bild”, as prokuroria nuk kanë nevojë të bëjë përgjime për paligjshmërinë e zgjedhjeve (dhe jo vetëm) në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë!
Deklaratë për mediat:
Sofizmat juridike të Akademisë së Shkencave do e turpëronin çdo student të vitit të parë juridik në universitetin më të humbur të Shqipërisë.
Sikurse e thotë vetë, as kryetari i Partisë Social- Demokrate dhe as kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi ka bërë sot një deklaratë për mediat. Me të ai deklaron se partia që ai drejton, Social-Demokrate, në aleancë zgjedhore me forcat politike qeveritare për zgjedhjet lokale, paska çuar në gjykatë kërkesën për ta hequr atë si kryetar i asaj partie, e pas kësaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë të gjitha masat juridike për të qenë në përputhje me këtë akt gjyqësor. Deklaroj publikisht se ky veprim, nëse është bërë, dhe kjo deklaratë për median e fundos edhe më rëndë në paligjshmëri Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, kryesinë e saj si edhe e tregon edhe një herë në dritë të diellit për mbarë opinionin publik se zgjedhja e kryetarit të Akademisë të Shkencave, por jo vetëm ajo, është krejt në kundërshtim me ligj dhe një shkelje ligjore e rëndë.
Arsyetimet paradoksale dhe sofiste në këtë deklaratë nuk qëndrojnë dhe nuk kanë asnjë vlerë juridike sepse:

Sipas ligjit në nenin tashmë të cituar 6/1 për Akademinë e Shkencave theksohet qartë se kryetari i një partie politike nuk mund të ishte as anëtar i asamblesë të Akademisë së Shkencave dhe jo më të zgjidhej kryetar i saj. Pra, ligja është shkelur qysh më parë, kur z. Skënder Gjinushi është kandiduar si kryetar i Akademisë së Shkencave kur nuk mund të ishte as anëtar i asamblesë së saj nga del edhe kryetari. Mua më vjen keq, por jam i detyruar të them se i interesuari në ato kushte, në respektim të ligjit, duhej prej kohësh të kishte zgjedhur nëse do të bënte karrierë të lartë politike, apo do të ndiqte rrugën akademike. Tani është shumë vonë për të riparuar një shkelje ligjore flagrante.
Skënder Gjinushi thekson në deklaratën për median se ka shpallur që më datën 18 maj 2019 se nuk do të ishte a se do të ngrinte detyrën e tij politike. Me këtë ai rivërteton se edhe fushatën për t’u zgjedhur si kryetar i Akademisë së Shkencave e ka kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pra e ka nulifikuar juridikisht.

Po ashtu, edhe ditën e zgjedhjeve të paligjshme në Akademinë e Shkencave të datës 24 maj 2019, ai sikurse e pohon tashmë edhe vetë, ka qenë juridikisht kryetar i PSD dhe figuronte në KQZ si kryetar i një partie politike në aleancë me forca qeveritare për zgjedhjet vendore. Është e drejta e tij të zgjedhë kampin e vet politik, pak rëndësi ka, por ka rëndësi që me statusin e tij antiligjor, ai nuk u ka siguruar akademikëve, sikurse e kërkon ligja, mbrojtjen nga presionet e tërthorta ose të drejtpërdrejta politike. Ligja me normat e tij pikërisht prandaj ndalon që kryetari i një partie politike të jetë anëtar dhe jo më pastaj të kandidojë për kryetar i Akademisë së Shkencave.
Prandaj, të gjitha veprimet juridike sot, pasi shkeljet ligjore janë konsumuar, nuk kanë asnjë vlerë dhe janë juridikisht nul. Ka një parim juridik që askush nuk mund të përfitojë nga veprime ose mosveprime, të cilat në kohën që janë kryer përbëjnë shkelje të hapura ligjore. Ky është rasti. Kryetari i Akademisë së Shkencave nuk mund të zgjidhet në kundërshtim me ligjin dhe pasi zgjidhet në këtë mënyrë joligjore, të pretendojë se postfactum të vendoset brenda ligjit!
Do të ishte njësoj sikur një kryeministër të zgjidhej ta zëmë president republike duke qenë edhe kryeministër dhe pasi ta shkelte Kushtetutën me të dyja këmbët, njëherë në fronin e presidentit, pastaj të thoshte se unë nuk jam më kryeministër! Ja absurditetet juridike dhe logjike që gëlojnë në deklaratën për shtyp të as-kryetarit të zgjedhur në më shkelje të ligjit në fronin e kryetarit të Akademisë së Shkencave!
Deklarata e z. Skënder Gjinushi tregon edhe njëherë sesa të sakta kanë qenë të gjitha denoncimet për paligjshmërinë që sundon në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Kjo bën me përgjegjësi ligjore edhe z. Vasil Tole dhe Salvatore Bushati, si të zgjedhur po atë ditë, në një proces zgjedhor të paligjshëm dhe si anëtarë të këshillit ekzekutiv të asaj akademie. Por, nuk është vetëm ky rast. Ja përse unë vazhdoj të insistoj të kërkoj një komision parlamentar, ku të mund të dëshmoj për gjendjen në këtë institucion të rëndësishëm të shtetit shqiptar! A dëgjoni zotërinj dhe zonja deputetë? Akademia e Shkencave është në hall dhe në ankth. Deklarata e as-kryetarit të saj e dëshmon këtë më së miri. A thua se nuk pritej dot që zgjedhjet të kryheshin pasi ndarja e çdokujt nga poste politike të ishte kryer ligjërisht dhe juridikisht! A thua se duheshin bërë zgjedhjet për të uzurpuar në mënyrë të paligjshme pushtetin në Akademinë e Shkencave përpara sesa ligjvënësi të kishte vënë në fuqi kuadrin ligjor reformues për atë institucion të kalbur nga koka te këmbët dhe të zhytur në paligjshmëri!

Dhe më në fund: është ulëritëse injoranca juridike e atij institucioni dhe e juristëve në të saqë lejojnë që në deklaratën për mediat e as-kryetarit të saj paradokset dhe sofizmat juridike të jenë të një niveli që do ta kishin turpëruar edhe një student të vitit të parë juridik në universitetin më të humbur shqiptar!
Unë e konsideroj këtë deklaratë për mediat dhënë nga as-kryetari i Akademisë së Shkencave si një presion që kërkohet t’i bëhet Presidentit të Republikës në çastin kur është ai që do të ndajë nëse do ta ketë Shqipëria edhe këtë precedent, që lëre të tjerat, por edhe kryetarin e Akademisë së Shkencave ta zgjedhë në mënyrë antiligjore!
Gazeta “Bild” me siguri që në këtë rast nuk do të kishte nevojë për përgjime. Po ashtu, Prokuroria e shtetit do ta kishte të lehtë të hapte hetimin për uzurpim të paligjshëm të një posti publik!
Unë kam besim të plotë se Presidenti i Republikës do të dijë të vendosë drejt dhe me paanësi!
Akademia e Shkencave të Shqipërisë është zhytur kokë e këmbë në paligjshmëri. Nuk ka deklaratë për mediat që e zhbën dot këtë.
Me konsiderata,
Artan Fuga


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.