OPINION

Sa do të fitohej po të jetë sot protestë paqësore…

07:20 - 08.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të nesërmen e protestës së parë paqësore të opozitës më datë 26 maj, bukëpjekësi i lagjes sime më tha: ”Sikur t’i kishin bërë protestat të gjitha kështu, do të isha i pari që do të kisha dalë”. I kishte ardhur në majë të hundës nga gjobaxhinjtë e shumtë kontrollorë të administratës sonë tatimore dhe bashkiake dhe me zor duronte pa bërë zë. Opozita reale e vendit deri tani ka kujtuar se me shfaqje revolte të dhunshme mobilizon jo vetëm ithtarët e saj, por edhe qytetarët e thjeshtë që nuk anojnë politikisht dhe që kanë shumë për t’i thënë qeverisjes së sotme. Ka kujtuar gabim! Është me protesta paqësore, me një gandizëm sakrificash që mund të bëjë për vete atë masë me dhjetëra e qindra-mijëra qytetarësh, që nuk janë dakord me këtë qeverisjen e sotme.




Që nuk e tërhoqi dot rrugëve që nga protesta e parë e 26 shkurtit të këtij viti. Është me gandizëm (protestë të gjatë paqësore) që opozita mund të dëshmojë se kauzat që thotë se mbron e u përkushtohet i ka me të vërtetë brenda zemrës dhe frymës opozitare. Është durimi dhe këmbëngulja me mjetet e revoltës paqësore (le të thonë të huajt se manifestimi i 25 majit iu duk si një koncert masiv festiv sa të duan) që mund të ngjisin te njerëzit. Që mund t’u lënë atyre të kuptojnë se e ke seriozisht me idetë dhe shqetësimet që shfaq. Dhe nuk i ke shashka për të fituar gjasa për zgjedhje të jashtëzakonshme nëpërmjet shantazhit të dhunës në përshkallëzim. Denoncimi i përgjimeve të telefonatave të anëtarit të një grupi kriminal eksportues droge në Durrës me kryebashkiakun socialist të Durrësit nga gazeta më e madhe evropiane, gjermania “Bild” mund të duket se do ta karikojë edhe më shumë opozitën sot të kërkojë me dhunë të drejtën e saj të protestës. Në të vërtetë, me gjithë forcën që u ka dhënë argumenteve të opozitës denoncimi i kësaj gazete me emër në kontinentin tonë, me gjithë ndjeshmërinë e ngritur të opinionit se ka diçka të vërtetë nga miklimet e dy viteve më parë të parelinjve me të kaluar të dyshimtë pranë pashallarëve socialistë të qyteteve tona, do të përbënte gabim fatal nëse opozita jonë do t’i mëshonte më shumë pedalit të dhunës.

Nuk do të arrijë asgjë me të. Nuk është më maji i dy viteve më parë, kur opozita kishte pas edhe shumë përfaqësues nga faktori ndërkombëtar. Tani, për shkak të harakirit politik që bëri (daljes pa kthim nga parlamenti), opozita ka humbur frymën opozitare, që është kapitali më i shtrenjtë në një lëvizje demokratike për ndryshim. Padurimi i mjeteve pirotektnike, molotovëve dhe fishekëve plasës vetëm e largon masën e madhe të njerëzve të pakënaqur nga qeverisja e sotme. Ja përse opozita i ka të gjitha gjasat sot të tregojë me durimin dhe vetëpërmbajtjen e saj se ka një kauzë dhe se e mbron atë fort. Me sinqeritet e pastërti. Se nuk i duhen kapuçonët me maska, hedhës molotovësh dhe plumbash plasës. Se i mjafton fryma opozitare dhe po kërkon fort ta rifitojë këtë frymë të humbur. Se për të është i huaj padurimi i rifitimit të pushtetit me çdo mjet, pavarësisht nga gjuha guerilase që ka përdorur dhe përdor. Nëse ua provon këtë shqiptarëve sot, nëse realizon mrekullisht protestën e dytë paqësore në këtë pranverë dhe verë të nxehtë revolte dhe pasigurie, opozita reale e vendit ka një shans të madh. Unikal. T’ia dalë dhe në momentin kur të gjithë thonë se do të jetë e dhunshme, të fitojë zemrat e qindra-mijëra shqiptarëve pikërisht me mosdhunën e saj. Është takim shumë i rëndësishëm për të, ky i sotmi me qytetarët e vendit. Pikërisht nga karikimi i marrë nga denoncimi i gazetës gjermane “Bild”. Pavarësisht se sa herë ka hyrë apo ka dalë në dy vitet e fundit nga vendi ynë gazetari gjerman Peter Tiede, autori i denoncimit. Shkrimi i fundit i “Bild” është i rëndësishëm, sepse mëton një të vërtetë që edhe pse e kemi jetuar dy vite më parë, e kemi pasur përpara hundës, e kemi kuptuar pak. Të vërtetën se sa të kapura janë fushatat tona zgjedhore, nga skifterët parelinj që u sillen rrotull pushtetarëve të sotëm dhe të ardhshëm, të etur për abuzime me tenderat publikë dhe gjuetinë e vendeve të punës në administratë. Se sa prej këtyre skifterëve kanë të kaluar të dyshimtë dhe pasurinë e kanë bërë me miellin apo mishin e bardhë kontrabandë. Opozita e tregoi veten vite më parë pionieren e dekriminalizimit të parlamentit dhe kjo i bën nder asaj. Tani nderi i saj është të japë shpresë për qytetarët vetëm me mjete paqësore. Sot më shumë se kurrë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.