AKTUALITET

Shoqata e Investitorëve të Huaj: Klima e biznesit, e pafavorshme

16:10 - 08.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Korrupsioni, monopolet, ekonomia informale dhe burokracitë e qeverisë janë problemet që shqetësojnë bizneset e huaja që operojnë në Shqipëri. Shoqata e Investitorëve të Huaj (FIAA) ka prezantuar rezultatet e vëzhgimit për mjedisin e biznesit 2019, të zhvilluar me anëtarët e saj, që janë sipërmarrjet më të rëndësishme në vend, si banka, kompani që veprojnë në fushën e industrisë, naftës, telekomunikacionit, energjisë, konsulencës etj.




Sipërmarrjet vlerësojnë se klima e biznesit në 6 muajt e parë të vitit ishte e pafavorshme. Bizneset janë pyetur të vlerësojnë klimën nga 0 në 100, ku zero është e pafavorshme dhe 100 shumë e favorshme dhe rezultati ishte 39. Pritshmëritë janë pak më pozitive për pjesën e dytë të vitit, me treguesin që rritet në 45, por gjithsesi mbetet poshtë nivelit 50. Bizneset janë pyetur se sa problem janë këto pengesa për aktivitetin e tyre: monopoli & konkurrenca e pandershme; korrupsioni; burokracia e qeverisë dhe ekonomia informale, duke vlerësuar nga zero kur nuk ka pengesë, deri në 100 që është një pengesë e madhe.

Pengesa kryesore e identifikuar nga bizneset është monopoli dhe konkurrenca e pandershme, me 68 pikë, e ndjekur nga korrupsioni me 67, burokracitë e qeverisë me 64 dhe në fund ekonomia informale, me 61. Bizneset vlerësojnë se përkeqësimin më të madh e ka shënuar klima politike (32 pikë, ku zero tregon përkeqësim domethënës), e ndjekur nga transparenca në procedurat qeveritare (38), rregulli e siguria (41) dhe sistemi dhe procedurat e prokurimit publik (42). Procedurat që janë vlerësuar që kanë pasur përmirësimin më të madh janë politikat në sistemin bankar (52), aksesi në financë, rregullat e punës, të drejtat e pronësisë intelektuale, furnizimi me energji. Më mirë në marrëdhëniet me autoritetet shtetërore vlerësohen doganat dhe qeveria qendrore (50 pikë), të ndjekura nga qeverisja lokale, autoritetet tatimore dhe në fund më dobët vlerësohen marrëdhëniet me gjykatat (49).

Ministrja
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e pranishme gjatë prezantimit të rezultateve të mjedisit të biznesit, tha se qeveria është e hapur për dialog të vazhdueshëm me sipërmarrjet. Ajo shtoi që burokracitë janë ulur ndjeshëm, siç konfirmohet dhe në raportin e “Të bësh biznes” të Bankës Botërore. Denaj tha se është e vërtetë që janë larguar 2-3 kompani të huaja, por sipas të dhënave të 5-mujorit nga Qendra Kombëtare e Biznesit janë hapur 89 biznese të reja me aksionerë të huaj. Denaj prezantoi projektin e Fiskalizimit, të cilin Ministria e Financave e ka nisur këtë vit, me synimin që në vitin ’20-’21 të gjitha pagesat të mund të kryhen në mënyrë elektronike. Kjo do të kontribuojë në një ulje shumë të ndjeshme të informalitetit. Ajo u bëri të ditur bizneseve rezultatet e reformave të ndërmarra nga qeveria, si ato që kanë të bëjnë me reformën e deregulimit, me licencat, të cilat sot jepen 99% online. Denaj i ftoi anëtarët e shoqatës të vizitonin shkollat profesionale dhe zyrat e punës në çdo vend ku ata operojnë, në mënyrë që të ndërmjetësojnë më mirë nevojat e të dyja palëve, të punëkërkuesve dhe të punëdhënësve. Një vend të veçantë në fjalën e saj ministrja i kushtoi edhe reformës në arsimin profesional dhe zyrat e punës, të cilat sot kanë një ndërlidhje më të mirë mes tyre në funksion të rritjes së punësimit. Ministrja ftoi investitorët e huaj që të vizitojnë shkollat profesionale dhe zyrat e Punës në zonat ku ata operojnë, në mënyrë që të ketë një bashkëveprim më të mirë mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.