MILOSAO

Visar Zhiti në ndërgjegjen kombëtare

17:00 - 09.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

DR. LUAN TOPÇIU (Parathënia e librit “Aripa Franta”/ Flatra e mundur”, me titull POEZIA – LIRIA QË NUK MUND TË PRANGOSET)




Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, si në çdo vend tjetër të Lindjes, u prit të dilte në dritë “letërsia e sirtarit”, siç është bërë zakon të quhet letërsia e censuruar, e pabotuar, dhe letërsia e burgjeve. Pas shumë dëshmive për dhjetëra dorëshkrime, vepra të pambaruara, drama e romane të shkruara në këtë atelie të ferrit njerëzor – dolën në dritë poezi, romane dhe letërsi që do t’i nënshtroheshin kriterit estetik dhe konkurrencës me letërsinë e botuar.
Një nga shkrimtarët më të talentuar, që kaloi nëpër ferrin komunist do të ishte Visar Zhiti, vepra e të cilit pasuron letërsinë shqipe me një përvojë të panjohur, me një zë që poezia e tejngopur dhe tepër lumtur komuniste nuk e njihte. Visar Zhiti solli në poezinë shqipe pamje nga ferri komunist, përvoja rrëqethëse që do t’i përjetonte vetë si viktimë e komunizmit. Poezia e tij ishte bashkëmoshatare me poezinë e realizmit socialist, e shkruar si në kor e komandë, plot me optimizëm, pa njohur trishtimin, vuajtjen, persekutimin, shtypjen e lirive. Çfarë mund të shënonte një poezi kombëtare që nuk e njihte trishtimin – këtë gjenerator themelor të poezisë-, një poezi që nuk e njihte humbjen, pendimin, brengën, melankolinë, vetminë, që nuk njihte praninë e frikën ndaj Zotit etj. Poezia e Visar Zhitit është pjesë nga e vërteta tragjike, pjesë nga e pathëna dhe e papranuara, është një letërsi që u gatua në errësirën, ku komunizmi u përpoq të mbyllte intelektualët, artistër, zëdhënësit e lirisë. Letërsia e burgjeve ishte një radiografi e shoqërisë shqiptare të kohës, e kryer në pjesën më të dhimbshme e më të turpshme të shoqërisë, në vendin ku shqiptari shtypte shqiptarin që mendonte ndryshe. Me daljen në dritë të kësaj letërsie do të kryej një akt drejtësie në ndërgjegjen kombëtare dhe letërsia shqiptare, aq deficitare ndaj të vërtetës, do të fitonte një përmasë që i mungonte. Me veprën e Visar Zhitit ndërgjegjja e vrarë kombëtare do të rifitonte diçka që e kishte humbur në 50-vjetët e fundit. Zëri që vinte nga kjo “heshtje” ishte tronditës, i rëndë, tragjik – ishte zëri i thellë i ndërgjegjes së lënduar, së shtypur. Ndërgjegjja nacionale kryente një akt pajtimi me vetveten, duke botuar atë pjesë të krijimtarisë kombëtare që ishte mohuar të shihte dritën e botimit.

Visar Zhiti, poeti që u burgos në moshën 27 – vjeçare, pa mundur të afirmohej plotësisht si poet, dënohet për disa poezi të pafajshme dhe detyrohet të kalojë disa nga vitet më të bukura të jetës në burgjet famëkeqe të Spaçit, Qafë Barit etj. Umberto Eco, një nga mendimtarët më të mëdhenj të kohëve tona, do të shprehej kësisoj për nocionin moral, juridik dhe etik të pafajësisë së poetëve të dënuar për shkak të poezisë, duke e ilustruar argumentin e tij me poetin shqiptar Visar Zhiti: Sa e gabuar ishte parathënia e vëllimit të mëparshëm, duke thënë se kishte për qëllim të përkujonte “mbijetesën e shumë shkrimtarëve që u burgosën padrejtësisht gjatë këtyre shtatëdhjetë e pesë vjetëve”. Pse “padrejtësisht”? Me të drejtë, do të thoja unë, të paktën nga pikëpamja e regjimeve që i arrestuan dhe i dënuan ata. Për të justifikuar nevojën e dënimit, nuk është e nevojshme që një shkrimtar të veprojë si subjekt politik, por ashtu si Zenone, ai komploton në mënyrë aktive kundër tiranit.
Shihet qartë në këtë libër rasti i Visar Zhitit: mjaftoi të shkruante poezi të konsideruara nga redaktorët e një shtëpie botuese “të trishtuara dhe hermetike” e pra, kundër regjimit. Pastaj, praktika i kaloi automatikisht Komitetit Qendror të Partisë Komuniste shqiptare e Ministrisë së Brendshme dhe Zhiti fitoi drejtësisht dhjetë vite burg. Kjo poezi i shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, edhe për trëndafila.

Por koncepti “letërsia e sirtarit” nuk është aq i vlefshëm për poezinë e Visar Zhitit, sepse krijimi i saj bëhej në rrethana të jashtëzakonshme, ashtu siç do të dëshmonte vetë poeti: Në fillim nuk i shkrova, por i krijova me mend, mes mureve ciklopike të qelisë, në vetmi e ankth, i thosha dhe i thosha me vete që të sfidoja absurdin dhe tmerrin, hetuesinë dhe boshirin. Poezia do t’i bëhet e njohur publikut shqiptar pas viteve ’90. Visar Zhiti boton disa vëllime poetike “Kujtesa e ajrit” 1993, “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” 1994, “Mbjellja e vetëtimave” 1994 etj. dhe së fundmi, më 2018 në Itali një tjetër përmbledhje në dy gjuhë “Nata është atdheu im”. Poezia e Visar Zhitit – është ajo që krijohet kur njeriu ndodhet në zgrip të jetës, i gjendur atje ku është vështirë të shohësh një pikë dritë (në kuptim të figurshëm dhe te drejtpërperdrejtë), në pikën – limit, ku vdekja është e pranishme, më pranë se kurrë. Poezia shndërrohet në mbrojtësen e tij – mbrojtësja e njeriut të pambrojtur. Nga kjo posturë e skajshme, poezia është shpëtim mendor dhe ekzistencial. Njeriu Visar Zhiti do të ndihej i lidhur ontologjikisht me poezinë, shkaktare e burgosjes së tij, do të shndërrohej në dashuri shpëtimtare. E krijuar si një krijesë e ndaluar, e rrezikshme, kanosëse, e paparashikueshme, tërheqëse deri në aventurë, mikluese deri në mëkat, poezia e Visar Zhitit nuk është një produkt komod profesional, por një përpjekje e mbinatyrshme, një kapërcim, një hop mbi kufijtë e njohur. Kjo poezi nuk është një poezi ludike, e krijuar për të kënaqur e luajtur me fjalët dhe kombinimet e tyre, por poeti do të kryejë këtë lojë të rrezikshme dhe ekzistenciale njëherazi. Krijimi është një problem i rëndë ontologjik. Poezia e Visar Zhitit, kjo parajsë-ferr, kjo liri-robëri, ky dënim dyfish, është një akt sublim. Poeti ka vendosur të flasë, sepse është i dënuar të shprehet, të kuvendojë. Duke folur do të thotë të kalosh përtej – në hapësirën imagjinare – në një çlirues të kohës shkatërruese. Liria duhet të jetë çlirimi nga rreziku i vdekjes dhe dhunës. Poezia, shkaktarja e burgosjes, poezia shtati i vetëm i lirisë, flatra e mundur dhe e vetmja e arratisë. Krijimi – ky mohim i vdekjes – shpëton mentalen dhe shpirtëroren tek poeti. Visar Zhiti, ndonëse pikturon pa e kozmetizuar gjendjen e tij, e sposton lirinë në një terren të papushtueshëm prej askujt, sepse kjo zonë është e dominuar nga subjektiviteti tërësisht i pakontrollueshëm: Duhet shpëtuar fjala/ Duhet shpëtuar kënga deri sa gropat e ditëve të mbillen me mollë/Le të na i pushkatojnë ballet, gjaku im do të hedhë rrënjë/Dhe do të lulëzojë. (Molla e dënimit)

Poezia është liria e paburgosshme. Poeti dëshmon se pikërisht këto zona të shpirtit janë të papushtueshme, ato prodhojnë liri dhe janë liria vetë. As gardianët, as sigurimi nuk mund të burgosin shpirtin e poetit, për fatin e tyre të keq, shpirti i poetit nuk mund të mbyllet. Tekstet, duke qenë se janë të endura (të radhitura, sepse sipas pohimeve të autorit kanë origjinë orale, si vetë gjeneza e vërtetë e letërsisë) në rrethana të skajshme ekzistenciale, nuk kanë shenja artificesh, kërkimesh formale, por burojnë natyrshëm, plot plasticitet, duke u rrekur të thonë të vërteta të mëdha dhe përfundimtare. Kjo lloj poezie nuk ka kohë për poza, modë, trille, gjeste të mistershme e tejet elegante – impaktin ajo e krijon me dëshmitë rrëqethëse, me mesazhin e saj nga “shtëpia e vdekjes”. Të tilla mesazhe do të dërgonin Dostojevski, Lorka, Sollzhenicini, Stainhard, Mitrush Kuteli, Petro Marko etj. Përpjekja për të thënë gjëra përfundimtare, të formuluara në kushte të skajshme jetësore – dëshmon energjinë e fshehtë e mbinatyrore të poetit. Poezia do të jetë rruga e komunikimit me botën – komunikim i ndaluar, poezia do jetë dashuria – dashuri e ndaluar, poezia do të jetë bota – bota e ndaluar. Poeti nuk niset nga ndjesia e formës, por nga vetë ndjenja. Struktura e tij introvertite, e ndjeshme, e trishtuar, zhvillohet përmes një impulsi rrëfyes, si një protestë dhe një thirrje implicite për ndihmë, me një aspekt emocional bruto, duke u gjendur më pranë rrënjëve të lirizmit. Poeti është i joshur të njohë, të përshkruajë me rigorozitet, shumë nga iluzionet, ëndrrat e veta, vuajtjet e veta – për të mos i lënë të vdesin. Zëri i tij është i thellë, tragjik për atë çka dëshmon. Goethe fliste për poezinë se është rregullator i imazheve. Poezia e burgut është vetëm njëra anë e poezisë së Visar Zhitit, por pa dyshim, më relevantja në vëllimin “Flatra e mundur”. Përmes këtyre pamjeve të tmerrshme, rrëqethëse, shokante, poeti krijon poezi, art – ashtu siç do të shprehej Majakovski se poezia zëvendëson bukurinë e thjeshtë të vdekjes në një tjetër bukuri.
Visar Zhiti, vjen përpara lexuesit rumun me librin e tij të tretë Flatra e mundur/Aripa franta. Diçka e re në këtë edicion është se po botojmë poezi të shkruara në Rumani gjatë vizitave të tij në Bukuresht, Konstanca, Curtea de Arge?, Sinaia; shumica e shohin dritën e botimit për herë të parë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.