KULTURË

Deti nuk ka portë

19:04 - 10.06.19 G.SH.
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni




Për Aleksandër Çipën kam pasur një simpati, që rridhte brenda meje si ai mushti, së paku i fermentuar në disa gjasa: ishte djali i një poeti me famën shkruar në ballë, Lefter Çipën, vargjet e të cilit për “grushtin e dheut që pika gjaku” nxirrte apo vargjet gjithë dritë alla Neço Muko për “Bejken e bardhë, ilaçin e çobanit”, etj, etj. Ishte ndër analistët e paqëm, të kthjellët, larg sherreve dhe vulgaritetit, me të vetmin “komandant”: të vërtetën dhe të mirën. Ishte së treti një djalë nga Bregdeti prej nga jam dhe vetë, atje në Pilurin sipër ku qiell e det puthen tutje në nokturnet e mahnitshme të verës. Një himariot atdhetar, sa dhe krenar. Dhe teksa e kishim lënë të pinim një gotë verë së toku këto ditë gjithë zagushi politike, me marrëzitë e të “marrëve” të pandreqshëm, folëm me shqetësim për absurdin e vetë situatës politike të tipit beketian, ku e keqja është sa te të gjithë aq dhe tek asnjë, sa te ty aq dhe tek unë, dhe ku ndoca Urian Hip a minotaurë-briosh shpellash folklorike, hajna e burracakë, sikur lumturohen me “përplasjen civile”, ndjellin “luftën”, që shqiptarët të kridhen rishtazi në udhën pa krye për të ridalë prej andej si prej labirintit “Ptolemeu ergos” kushedi pas sa vitesh, gjithë plagë në trup e në mendje. Nv fund ai më dha librin e tij, “Deti nuk ka portë”. E shikon?! Kishim harruar të flisnim për poezinë, për metaforat, për këndelljen e mendjes mes vargjeve dhe ekstazës që lira poetike jepte. E ku të linin “dreqrit”… Dhe ja, tani po i them ca fjalë për të.

Nëse ju kaplon kërshëria se cili është dhe ku mund ta gjesh heroin poetik të Aleksandrit, ai është brenda tij, është vetvetja, mish dhe fjalë, frymë dhe shqetësim. Një tubë përjetimesh prej njeriu të shqetësuar, në rrokullimën e fatit dhe jetës, “Në mendjen time, fshehur në mish” (vjersha: Nën tjerrje resh). Poeti nuk merr poza dhe të bëjë përbetime për Atdheun, sepse ka një arsye të thjeshtë: “Atdheun e kam të vetmen fe” (Vejushës mërzi). Dhe prandaj në kafshatën e fundit të mërzisë, ai që atdheun e ka fe nuk ikën, por rri aty me shpresën dhe dritën se e mira do të rivijë dhe ikjen do ta përndjekë “atje”. E thashë: Aleksandri është njeriu i shqetësuar për vendin e vet, popullin, Himarën, familjen, dashurinë, babanë, nënën, mikun, vetveten. E shikoni: është tërësia. Një popull  në lëngatë nënshtrimi, lirinë e lyp si robëronjës, thotë ai diku. Duket sikur poeti ndjen brenda dejeve të veta shqetësimin e analistit për rrokopujën politike të vendit ku: “Në visin e ndenjur të marrëzive të vogla,/ ku të diturin turma injorante e vret…” Ai e di se në udhën mes njerëzve dhe fatit, shpirti poetik nuk është një vetmitar i padukshëm i shfrimeve të veta, por ka “arsyet e shumta të më gjykojnë e të më çmojnë”. Ndonjëherë ngjan sikur ai do të vetëizolohet në ishullin e Robinson Kruzosë, i vetëmjaftueshëm me dijen, logjikën, paqësinë dhe qenësinë e vet, por kjo është thjesht porta e një rebusi për të parë e për të ndjerë pas saj pulsin e shqetësimit qytetar. Poezia kushtuar analistit të njohur, të ndjerit Andrea Stefani, është po aq dhe një pohim i vetvetes përballë të keqes dhe sherrnajës politike, tanimë si një ndër analistët e respektuar të vendit tonë, mendjekthjellët, i drejtpeshuar dhe gjakftohtë… (Në sheshin e madh të sherrnajës lindore,/ shpenzojnë fjalë të marrët e atdheut). Dhe të marrët, i nderuari Aleksandër, marrosin krejt një popull, si ai dyvargëshi i famshëm i Dritëroit: Një i çmendur, të gjithë i çmend!

Dhembja për popullin dhe vendin e shpie poetin shpesh drejt mërisë pa cak dhe klithjes për t’i shembur sofrat e makutërisë “me shpurën e vet, mullar marëzie”, dhe një hop mendja e tij mërgon e prek saora metaforën biblike të Krishtit me kamçik, kur dëboi nga tempulli sarafët që ia kishin ndotur “shtëpinë”. Pikërisht “shtëpia” e Krishtit, tempulli, bëhet për atë Atdheu, Liria, Barazia, më në fund i pastruar nga hajnitë dhe marrëzitë (Imprative).

Streha e dytë ku ju mund ta gjeni heroin poetik të A. Çipës është njeriu si vetvete. E ky njeri vjen prej erës, shkëmbit dhe dallgës së detit të Himarës, i pastër si pika e ujit, i tretur si kripa te mirësia njerëzore, pa lakmuar dobësitë njerëzore te tjetri edhe kur e keqja si “hije e mishtë” në mendje nuk i ikën, paçka se koha vdes. Larg kotësisë dhe të zbërdhultës, këtij heroi i mjafton vetmia, e cila ka për ngjyrë natën (nënkupto meditimin, orët e pagjuma për të kuptuar të vërtetën). Këto vargje janë mjaftueshmërisht të pacenueshme si epigramet mbi pergamena, gurë qosheje ku asnjë fjalë nuk mund të hiqet dot, përndryshe rrëzohet krejt hijeshia poetike dhe thellësia e mendimit. Dua t’i citoj të plota: Me ty e plota/ u nda copa-copa/ të thënash./ Më ty e gjitha,/ një e pathënë mbeti…/ …Nga fillimi i jetës, njeriu gjersa fjeti.” E kësaj tipologjie lakonike por plot domethënie e me një konotacion që ngrihet mbi kundërtinë, është edhe vjersha “Moti nën lëkurën e njeriut”, të cilën do doja ta citoja po të plotë: Ngricën e shpiku mungesa/ natyra e ktheu në ajër të ftohtë…/ Njeriu/ gjithëherë nën lëkurë e fshehu/ motin e ngrohtë… Ose kur mërzia, si e mbledhur në grusht nga nata, në diellin e agimit le të rrijë strukur aty, mes grushtit, si dritë. Drita e shpirtit që digjet në një natë, një dritë ndofta e ëmbël, melankolike, ku buis meditimi. Si drita rembrandiane që vjen nga sipër. E kjo na shfaqet e ëndërrt për të gjetur të vërtetat e fshehura të ditës… (Mërzia ndriçuese). Shpesh ai ka qejf të luaj me dialektikën e jetës dhe mendjes, teksa ditët e ngjashme këputen një nga një, por të gjitha bashkë ndryshojnë stinët, sikurse ngjashmëritë gjenetike at-bir kthehen nesër në pangjashmëri, sepse jeta rrjedh pikërisht në këtë udhë dykahëshe: jemi shumë në një, dhe një në shumë; ose ti dhe unë jemi po ata duke qenë të ndryshëm (poezia Humbëm ngjashmëritë).

            Streha e tretë, ku prehet heroi poetik paksa i lodhur nga vrapi dhe helmi i jetës është gjithëpo ajo, e pandryshueshmja dhe e përhershmja strehë e poetëve: Dashuria. Por ky heroi poetik i Sandrit nuk shquan për shfrimet lirike a pikëlime yjesh, në hënat e vërdheme sipër shtratit, kredhur në një romantikë të ëmbël mes nektarit erotik. Them se është disi ndryshe: më e përkorë, më e vetëpërmbajtur, më e humanizuar, fshehur pas velit të meditimit dhe metaforës. Dashuria bëhet avull nën ngricë e brymë, ndërsa dimri kthehet në një shkues të saj, sikurse pema që fle nën akull dhe mbars gjethet në një stinë (Avull në brymë). Por, të ngratit njeri, pranimi i humbjes së një dashurie a miqësie, ku romantika dhe lulet rozë të ribashkimeve nuk funksionojnë më, pasi krenaria qëndron mbi shkëlqimin, ja ku na shfaqet te bukuria përtej skajit të syrit dhe te betimi i prerë tutje llastimit. Prandaj dhe “ka derë që s’hapet kur e mbyll” (Motiv pushkinian). Dashuria shpesh është një kalambur pamundësish dhe keqkuptimesh, kur udha ndahet dysh dhe askush s’e di se si mund të rikthehesh te pika e fillimit. Asihere viset e dashura bëhen viset e humbura, ëndrra ndahet nga e vërteta, teksa “balada e mendimeve të humbura” nuk u këndua kurrë. Por të tjerë bardë nesër do t’i bien lahutave të po të njëjtës këngë, dashurisë si Canti Cantorum që kridhet në pakuptimësinë e mistikes dhe të panjohurës. Sepse dashuritë ikin e vijnë si valët e detit dhe rrahjet e zemrës… Jam ngazëllyer në asi vargjesh, si ky i mëpasmi ku ka e gjen më shumë se një histori; ai peshon më shumë se ankthi, fsheh rrezikun, aventurën: “Aksidentin me ty e ndan një puthje”. Në dukje te kjo vjershë e shkurtër ngjan se vargjet janë thjesht për një grindje burrë-grua gjatë udhës me makinë, por gabohesh, rrethi sakaq është zgjeruar, metafora ka mbërritur paqësisht mbi qiej të tjerë semantikë dhe e gjitha konotohet veçse si aventura e “rrugës së jetës” mes të papriturave, guximit. E pra, veçse dashuria i mban bashkë dy vetë “në një puthje”. Bukur! Ja dhe katër vargje të tjerë  kuptimplotë: Të dish se s’vlen aq pak sa dimë/ për botën, jetën që jetojmë/ Nuk vlen një seks për dashurinë/ as dhe një lot që kot pikon (vjersha, Postlexim Çabej). Dashuria dhe malli gjenden kudo, si ajri a si pjalmi, edhe në një imazh reje diku në qiell që tretet dhe thërret në kujtesë një siluetë, një femër, diku në tokën e mbetur pas. Ajo është e kudogjendshme, mes ujërash, shiut dhe tokës, në arrati onirike sa dhe  tymtaja eterike. Dashuria e fshehur pas mendjes dhe e strehuar në sy, thërret bri saj profetët, gjithë Pegasët e ngarendjes dhe flukseve poetike gjer te Sizifët e vuajtjes dhe mundimit mbërthyer mbi pjerrinën e fatit. Porse dashuria mitin e rrugës e mban lidhur tek të pathënat dhe vetmia, në ditët e pamjafta, si zinxhirët e Prometeut në shkëmbinjtë e Kaukazit, heshtan dhe stoik në kufijtë e së pamundurës.

Një strehë e katërt e heroit poetik të librit është raporti me të tjerët. Ndaj të atit, Lefter Çipës, këngëtarit të mirënjohur të Bregut e Shqipërisë, Sandri ka një mallëngjim të thukët. Ka përdëllim prej biri teksa i thotë se ai do të shkojë te Shën Pjetri “të bëhet fyell”, siluetë-ëndërr dhe për bijtë e tij një fe. E kush?! Ai, kapriçozi gjuhëbukur. Dhe ja ku vargu spërndritet e shkon më tutje se malli prej biri duke hedhur kresë aorën e shenjtëruar: Do të shkosh o i paikshëm/ Ta mbulosh trupin e paktë/ Me një melos të mbulohesh/ Kujë pak, e këngë e gjatë. Jeta nuk është e kalldremtë, por shpesh një theqafje, vërtim shirash e pellgjesh, shkulm rrufesh, por ja që njeriu, pikërisht kur duket se gjemia u mbyt e ylbere s’ka më, diku një “Arkë Noe” rishfaqet qiellnajës, ndofta si një kujtim dhe nevojë për t’u mbështetur, ashtu si kulpra mbi lis, te njeriu i shtrenjtë (Pellg i kujtimit nën shira qiejsh). Jeta gjithashtu nuk është lulnajë dhe rrafshinë vezullimesh, por ajo merr kuptim edhe kur “zënkat bëhen bukë”, sepse pikërisht përmes kundërthënieve gjendet pika e ribashkimit. Dhe kjo ka qenë dhe mbetet formula e përjetshme e  dashurisë për tjetrin, përherë në provë, përherë në dinamikë. Shpesh dashuritë për të afërmin janë të padukshme, sepse mburrja atyre u dhemb gjer në eshtra, andaj dhe mes marrëzish të shumta shija e saj si “kripa në det e tretur mes ujit rri”. Edhe kur nëna merr në telefon, nyje s’ka, sepse dashuria është e “ashtuthënë”, një kod i pandryshueshëm që ka hedhur rrënjë në palcë të marrëdhënies eterne: nënë-bir.

Autori ia blaton dashurinë e vet të pastër edhe qytetit të tij, Himarës së kohëve mitike, sikurse edhe dy këngëtarëve të saj: Lefter Çipës, poetit popullor të fjalës që u dha jetë manushaqeve të gurit e qiejve, dhe poetit të imazhit, Dimitër Anagnostit, atje në Jalë tek kalonte Odiseu, që Himarën në filmat e tij e bëri Atdhe. Dhe i kredhur në këtë dashuri-mallëngjim, përherë sa shkon e ikën atij visi: Në ecje më zunë ca tinguj kambanash,/ Një meshë e kaltër s’e di ç’rrymë jep,/ Në visin homerik të kohës sime,/ Ka përherë grimca për libër të shenjtë.

            Më në fund, në këtë hapësirë të ngushtë shkrimi, dy fjalë edhe për poezinë si të tillë. Çipa te libri i tij i strukturuar në 8 cikle, sjell shpesh në ndihmë paradokset, që e mprehin ndjenjën, dhembjen dhe vetëshprehen si qortim: “Në atdheun tim lartësia- / është vis paqëndrueshmërie” (Lartësitë). Ose: fqinjërojmë me vdekjen si me dashurinë. Ja më tutje edhe gjethet që “bien si një iso në det”. Ose troje figurash që të ngulen në tru si: Thumba të ujtë bien mbi tokë… Tirte gjuhë druri në shkopinjtë e gdhendur… Qelqërim i dhimbjes… Hije e mishtë në mendje… Falë kundërtisë që ai aplikon më së shpeshti jo në formë statike, por si ndërveprim e konvertim kuptimësish, mendimi poetik bëhet lojcak duke u kënaqur me dialektikën dhe filozofinë. Vajtoca pa shi janë sytë, kur njeriu i zëmrës ikën e s’kthehet më… Ngjyrën time të trishtimit, me hala të ujta e pikturon shiu… (vjersha, Në trishtim të ditës).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.