KULTURË

Fatos Kongoli/ Shpallet autori i viti në Prishtinë për “Gënjeshtarë të vegjël”

14:00 - 10.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ikja me “I” të madhe e karakterizon librin e Fatos Kongolit ku të gjithë duan të ikin pa e ditur as vetë se ku. Thjesht duan të ikin, dhe ikin. Me vete të gjithë mbartin një gënjeshtër. Rovena mbart gënjeshtra të vogla. Të vogla i quan dhe preferon më mirë të mos i rrëfejë. Ose të rrëfejë shumë gënjeshtra pa u identifikuar me asnjërën. Gazetarja Arta Marku e përshkruan kështu librin më të ri të shkrimtarit Fatos Kongoli. Për këtë roman, ai u shpall dje autori i vitit nga Shoqata e Botuesve të Kosovës gjatë Panairit të Librit në Prishtinë. Ky është çmimi i dytë pas atij të Fierit, në vetëm pak muaj pas botimit të librit.




Më herët, Kongoli ka rrëfyer kthimin e stërmundimshëm në procesin e të shkruarit të librit të ri, “Gënjeshtarë të vegjël”, të cilin e kish nisur kohë më parë se të sëmurej e tek i cili do të gjente shpëtimin e dytë, atë të krijuesit ka shkruar Arta Marku; Kongoli ka folur për ankthin që nuk e ka më si dikur pas përfundimit të një libri, sepse çfarëdo që mund të shijojë tashmë qar e ka; për herën e parë të të shkruarit nga fillimi në fund të një libri jo më në letër apo në makinë shkrimi, por direkt e në laptop (pra teknologjia, siç e pranoi, ia kishte ndryshuar krejt procesin, por dhe lehtësuar jashtëzakonisht shumë).

Romani më i ri i Fatos Kongolit “Gënjeshtarët e vegjël” ka si antihero personazhin Alpi, i cili rrëfen në vetën e parë dashuritë e tij, zhgënjimet, si dhe një univers të tërë përditshmërie ku njerëzit gënjejnë njëri-tjetrin.
“Në dukje mund të jetë një temë e vogël, por e trajtuar në mënyrë të jashtëzakonshme nga Kongoli, me psikologjinë e njeriut të thjeshtë dhe jo me heronj të mëdhenj”, ka thënë në fjalën e saj drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi, në promovimin e romanit “Gënjeshtarët e vegjël” të Kongolit, të premten, në ditën e tretë të Panairit të 21-të të Librit në Prishtinë. Interesimi i lexuesve për librin e shkrimtarit shqiptar bëri që të harxhoheshin të gjithë ekzemplarët e librit qysh në ditën e dytë të Panairit.
Në moshën 75-vjeçare, i përkthyer në afro 20 gjuhë botërore, ai mendon se ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët dhe artistët, jo politikanët. Sipas tij, gjithçka do të jetë kalimtare dhe e harruar, përpos disa emrave nga fusha e letrave që do të mbahen mend kurdo.
Shkrimtari Fatos Kongoli u shpreh për Koha Ditore se “jam një çikë pesimist në rolin që mund të luajë letërsia. Kjo është pasqyrim i ndërgjegjes kombëtare. Politikanët le të bërtasin sa të duan, por nuk e bëjnë ndërgjegjen kombëtare. Ata s’janë ndërgjegjja kombëtare, megjithëse kanë frenat e gjithçkaje në dorë. Ndaj, duan apo nuk duan, ata nuk janë ndërgjegjja e kombit. Ndërgjegjja e kombit janë shkrimtarët dhe artistët. Këtë s’ma heq askush nga mendja”.

PJESË NGA LIBRI
Ajo e mori në telefon në mes të natës. Prej gjashtë muajsh shiheshin vetëm kalimthi, me raste, nuk komunikonin dhe emri i saj ishte i fundit që priste t’i shfaqej në ekranin e celularit. Ai mbeti në mëdyshje, t’i përgjigjej, apo jo; kapitullin me Emën e quante të mbyllur. Kapitulli me Emën ishte mbyllur dhe rihapur më se një herë, por gjashtë muaj të shkuar ai qe bindur përfundimisht: midis tyre nuk funksiononte. Ajo ishte e bukur, e lirshme, ndërsa ai xheloz. Kështu e akuzonte vajza. Dhe grindeshin.

Pasi grindeshin, atij i ndodhte të vuante deri në atë masë sa, për të shpëtuar, ishte gati t’ia këpuste vetes. Ose të vriste Emën. Doemos, nuk bënte as njërën, as tjetrën. Përkundrazi, ajo zotëronte një aftësi të rrallë për të vendosur paqe midis tyre, kështu ai çlirohej nga idetë ogurzeza dhe gjithçka rifillonte si të mos kishte ndodhur asgjë.

Këtë mendoi edhe atë mesnatë gushti, kur në ekranin e celularit iu shfaq emri i saj; po t’i përgjigjej, rrezik të binte pre e dobësisë së tij. Kjo do të thoshte të riniste historia e vjetër. Ai s’kishte kurrfarë dëshire për të rinisur historinë e vjetër.
Gjashtë muaj të shkuar, pas përplasjes me Emën – thjesht një pretekst ky – kishte vendosur të ndërmerrte disa veprime, që i bluante prej kohësh e që do të mund të quheshin radikale. Mbi të gjitha, të shkëpuste më në fund çdo marrëdhënie me kompaninë “Luga”, ku ishte i punësuar në zyrën e financave plot pesë vjet të shkuar. Mirëpo, tashmë i kishte ardhur në majë të hundës, nuk duronte dot më. Disa fytyra, duke nisur nga ajo e bosit, ia shpifnin. Kështu, i ngarkuar për gjashtë muaj radhazi me idenë e vjetër të një rebelimi, në kushtet e përballjes së përditshme me poshtërimin e vetes, ai mundi të hiqte dorë vetëm nga Ema, asgjë më shumë.
“Çfarë dreqin kërkon ajo prej meje tani, – mendoi, – ç’hall mund të ketë që më telefonon në mes të natës?”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.