OPINION

Fundi i tmerrshëm dhe tmerri pa fund

07:30 - 10.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lëvizja e pardjeshme e kryetarit të shtetit për të shfuqizuar dekretin e tij të caktimit të datës 30 qershor për zgjedhjet tona vendore dhe për ta shtyrë datën 30 qershor për zgjedhjet tona vendore dhe për ta shtyrë datën për një kohë tjetër të pacaktuar duket se do të zgjasë pranverën dhe tashmë verën e protestave tek ne. Dëmi në ekonominë tonë dhe në imazhin e vendit jo vetëm si një shtet i paqëndrueshëm politikisht për muaj të tërë, por edhe pa një zgjidhje efektive në horizont, pritet të shumëfishohet në javët në vijim. Do të vijojë të tkurret gjithçka: fluksi i turistëve, kreditë për bizneset dhe familjet dhe investimet. Dëmi i matshëm material për ekonominë, i cili deri tani me llogaritje të përafërta ka arritur 90 milionë euro, do të shumëfishohet edhe ai. Me këtë betejë pa mbarim politike, ta harrojmë që do të mund të kapim përsëri këtë vit rritjen ekonomike 4 për qind. Ajo mund edhe të na përgjysmohet shumë lehtë, po të vijojmë kështu. Deri tani, në mes të pasigurisë dhe paqartësisë së skajshme politike tonën, e vetmja gjë e sigurt dukej data e zgjedhjeve vendore. 30 qershori 2019. Fitorja pa kundërshtar real e pozitës së sotme dhe shpata e Damokleut për opozitën e larguar nga Kuvendi. Edhe pse kjo datë shihej me shqetësim nga të gjithë ne për mundësinë e lartë të përplasjeve përpara mjediseve dhe brenda kutive të votimit mes përkrahësve të opozitës që nuk merr pjesë në zgjedhje dhe përkrahësve të shumicës, të eksituar nga mundësia e fitimit të 61 bashkive të vendit.




Edhe pse dukej si dita e kiametit, ku mund të kishim trazira dhe dhunë në të gjithë vendin, prapë se prapë, dita e zgjedhjeve ishte aty. Të gjitha këto gjëra do të ndodhnin (nëse ndodhnin) atë ditë. Më 30 qershor, mirë ose keq, me ose pa incidente dhe përplasje fizike, afër gjysma e qytetarëve me të drejtë vote do të kishin shprehur vullnetin e tyre politik. Dhe aty do të lexohej mbështetja reale e sotme e qytetarëve ndaj pozitës. Dhe të gjitha forcat tona politike, por edhe faktori ndërkombëtar, do të shihnin animin e vullnetit qytetar. Dhe pastaj, me këtë fund, do të vinte qetësia dhe qartësia, njëlloj si pas një furtune. Me këtë prognozë, 30 qershori kishte marrë turravrapin që të vinte shpejt. Me kohën që po e matnim nga një protestë javore e opozitës në tjetrën, ndarë nga takimet e përditshme zgjedhore dhe butaforike të pozitës. Edhe pse kjo datë nga jo pak prej nesh shihej ende me frikë dhe ankth si dita e kiametit, me këtë opozitë të vetëmërguar nga parlamenti, me timonin në një rrugë pa kthim dhe robinë e forcës së shantazhit nga protestat pa mbarim, thoshim me gjithë shpirt: “Ja do Zoti vjen 30 qershori dhe gjithçka përfundon me këtë situatë jashtë çdo logjike normale”.

Si të thuash, do të kishim të paktën një fund të tmerrshëm, në vend të një tmerri pa fund. Nga ana tjetër, data ngjante disi e mbrojtur se nuk do të shndërrohej si ditët e marsit 1997 nga paralajmërimet serioze të ndërkombëtarëve, sidomos të qeverisë amerikane, se kush prek zgjedhjet, do të ndëshkohet me mos-shkelje përjetë në SHBA. Ngjan pak si qesharake që garancinë e mosprekjes së votës së qytetarit, si shtet ta shikojmë më shumë te presioni ndërkombëtar, se sa te policia jonë apo strukturat e tjera të sigurimit të rendit publik. Por kjo është Shqipëria jonë edhe sot, për fat të keq. Mirëpo nuk qe e thënë. 30 qershori, kjo qartësi dhe gur kilometrik brenda paqartësisë së sotme të përgjithshme na u mërgua edhe ai, njëlloj si opozita nga parlamenti. Duke e varrosur qetësinë për ne si qytetarë. Ajo datë që nga pasditja e së shtunës juridikisht nuk është më. Kryetari i shumicës dhe kryeministri i vendit reagoi, duke thënë se e kishte parashikuar këtë lëvizje dhe është gjithnjë tri lëvizje përpara. Mirëpo në kushtet kur na mungon Gjykata Kushtetuese (e cila përfaqëson autoritetin e vetëm që vlerëson se sa kushtetues apo jo është çdo veprim i kundërshtuar fort i kryetarit të shtetit dhe që mund të marrë ajo një vendim për ta ligjësuar apo jo dekretin e shfuqizimit të caktimit të datës së zgjedhjeve më 30 qershor), nuk kuptohet qartë se cilat do të jenë këto lëvizje. Cila do të jetë baza ligjore ku do të mbështeten juristët socialistë për të ankimuar dhe bërë të pavlefshëm këtë vendim, për të shkuar në zgjedhje më 30 qershor, sikurse vijojnë të deklarojnë si kryeministri, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës? Presidenti nuk ka caktuar datë tjetër dhe si zor që Partia Socialiste të mund ta hedhë çështjen në Gjykatën Administrative. Situata duket po aq e paqartë dhe pa rrugëzgjidhje sa ajo e 18 shkurtit, kur opozita la parlamentin dhe braktisi të drejtën e përfaqësimit brenda sistemit të 475 mijë votuesve të saj në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2017, duke i përfaqësuar në rrugë përmes protestave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.