OPINION

Përshëndetje, jam Kushtetuta…

16:37 - 10.06.19 Nga Besard Jacaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Po, po unë jam. Linda në vitin 1998 kur shoqet e mia nëpër botë kishin rregulluar kriza e ishin bërë të zonjat e vetes sa të mos i cënonte njeri. Qëkur linda, linda si gjysmake. Nuk e di nëse linda shtatanike apo se kisha ndenjur pa dalë më shumë se ç’duhet. Ditën e festës kombëtare të atij viti, Rexhepi doli në mejdan dhe më firmosi mu në ballë. Njerëzit u gëzuan, po kurrë s’më dëgjuan. Shpeshherë janë munduar të më ngacmojnë duke më futur duart, gjithmonë për hatër të popullit, sigurisht(!)




Me presidentët e kam patur punën deri diku mirë. Alfredi, ishte njeri serioz. Mundohej të më mbronte nga njerëz që mendonin më shumë se ç’duhej për hatrin e popullit. Pas tij erdhi Bamiri. Edhe ai serioz ishte, por ndonjëhere ia fuste me top. S’e di a bënte vetë, apo e bënin ta bënte! Pasi ai erdhi, më futën një operacion plastik me silikon e me shiringa. Si duket nuk u pëlqeja siç isha.

Amaneti i tyre për popull po përmbushej shqiptarçe! Ishte viti 2008, kur bëra një çudi aq të madhe, sa s’po e besoja as vetë. Mjekët që më operuan, ishin betuar që s’do dakordësoheshin kurrë me njëri-tjetrin por, pa pritur, veshën bluzat dhe u futën në sallë. Nuk pranuan ndihmës-mjekë. Isha vetëm unë dhe ata. Rama dhe Berisha (kirurgët) dinin si kryhej me sukses nje operacion plastik (për hatrin e popullit).

Dola si dola nga operacioni dhe pas asaj kohe, vite më vonë, në mbrojtje më mori Bujari me nishan. Ai nuk e kishte mirë punën me njërin nga mjekët që më kishin operuar, por thoshte se nuk e lija unë të vepronte siç donte. Sidoqoftë, ai nuk mund të ikte nga posti pa më prekur pak. Në 2017, mjeku Rama dhe infermieri i ri Basha, pasi ishin stërbetuar që nuk do të futeshin asnjëherë në të njëjtën dhomë, ranë dakord (edhe ata, vetëm) që të lëvizja vendit vetëm një jave kohë për zgjedhje të lira dhe të nderÇme.

Pranova, ç’të bëja. Nuk ia prishja dot qejfin Bujarit që për hir të së vërtetes më kishte respektuar. Ishte nderi i fundit për të. Atë verë, rashë në dorë të një njeriu që betohej se ishte i lirë dhe pa të meta.
Por ah, s’ishte e shkruar të gjeja qetësi… Ai nuk shkonte mirë më njërin nga mjekët e 2008-s dhe herë më respektonte, here s’më kuptonte. Shkurt, vepronte si donte! Shtëpia ime (Gjykata) u shemb dhe tani nuk e di çfare do të bëhet.

Mjeku dhe njeriu i lirë e pa të meta veprojnë kundër njëri-tjetrit duke më përdorur e unë s’kam gojë të flas. Infermieri i ri më përmend ndonjëherë, por ditët e fundit s’po ndihet. Pret që të lirohet një karrige e të ulet se ka gjashtë vite në këmbë.

Në 2008-n mjekët ranë dakord që të mos prisja vizita nga populli. Ata më duan, por s’i lë njëri. Tani, ata vetëm luten me duar lart. Nga Zoti dhe Amerika.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.