KULTURË

Shqipëria, mes komunizmit dhe kapitalizmit, lindjes dhe perëndimit, bankave dhe bunkerëve

18:00 - 10.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ambasada austriake në Tiranë dhe Akademia e Filmit dhe Multimedias ‘Marubi’ organizojnë shfaqjen e filmit “Shqipëria- Një vend në lëvizje”- një udhëtim përmes jetës artistike dhe kulturore të Shqipërisë.




Reportazhi 45-minutësh u prodhua në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018 nga Clever Contents sh.p.k në partneritet me Ministrinë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë. Shfaqja e tij bëhet me 11 qershor, ora 20:00 në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Filmi do të shfaqet në gjuhën gjermane me titra anglisht.

Reportazhi 45-minutësh në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018 i çon shikuesit drejt një udhëtimi emocionues në jetën artistike dhe kulturore të Shqipërisë – një vend në ndryshim të vazhdueshëm. Mes komunizmit dhe kapitalizmit, lindjes dhe perëndimit, bankave dhe bunkerëve. Një vend krenar. Dhe një vend shpesh i keqkuptuar. Paragjykimet dhe hija e gjatë e diktaturës komuniste janë ende të dukshme në të gjithë vendin.

Për shumë, Shqipëria është një vend i panjohur. Një diamant i papërpunuar shpesh i nënvlerësuar. Vitet e fundit ka shumë ndryshime: arti dhe jeta kulturore lulëzon. Një brez i ri artistësh kanë pushtuar vendin. Në kryeqytetin Tiranë, arti i egër politik ndeshet me patosin socialist. Metropoli ballkanas është një “work in progress” i pa ndërprerë. I larmishëm, jo konvencional dhe gjithmonë i mirë për surpriza. Shfaqja e këtij filmi u bë në Vjenë më 27 nëntor 2018. Ky film dokumentar u transmetua në televizionin ORF2, në programin e kulturës ‘matinee’ si dhe në ORFIII.

Folësit/personazhet në film janë: Edi Hila, Kujtim Çashku, Valentina Koci, Edit Pula, Ardian Isufi, Zef Çoba, Johann Sattler, Jonila Godole, Arian Leka, Klodian Dedja, Mirela Kumbaro.

Në kuadër të vitit kulturor Austri-Shqipëri 2018, pika e rëndesës gjatë këtij viti ishte te bashkëpunimi i ngushtë kulturor dhe shkencor midis dy vendeve. Qëllimi ishte forcimi i lidhjeve kulturore austriake dhe shqiptare dhe intensifikimi i shkëmbimit ndërkulturor. Lidhja e ngushtë mes Austrisë dhe Shqipërisë u bë më e prekshme për përkrahësit e kulturës, duke ofruar kësisoj impulse të reja për ide kreative dhe bashkëpunime të qëndrueshme.

Në përputhje me moton “Të rizbulojmë të përbashkëtat” fokusi nuk ishte vetëm në pikëtakimet historike midis Austrisë dhe Shqipërisë, por mbi të gjitha në aspektet e miqësisë aktuale midis dy vendeve. Në këtë kuadër u promovuan kryesisht arti bashkëkohor, kultura dhe risitë e artistëve të rinj dhe studiuesve nga Shqipëria dhe Austria.

Programi përbëhej nga një gamë e gjerë aktivitetesh në fushat e historisë, letërsisë, artit pamor, filmit, muzikës, medias, shkencës dhe dialogut ndërkulturor. Ky vit kulturor u çel zyrtarisht më 19 nëntor 2017, me rastin e 105-vjetorit të festës kombëtare të Shqipërisë. Koncerti çelës, i quajtur “Vienna Salutes Tirana”, u zhvillua në “Konzerthaus” në Vjenë me pjesëmarrjen e artistëve të njohur austriakë dhe shqiptarë.
Një pikë kulmore e këtij viti kulturor ishte libri “Të rizbulojmë të përbashkëtat- një kaleidoskop mbi historinë dhe marrëdhëniet austriako-shqiptare në të tashmen”. Libri u botua si në gjuhën gjermane ashtu edhe në atë shqipe dhe u prezantua në mënyrë ceremoniale në Vjenë dhe në Tiranë. Viti kulturor u mbyll më 28 dhjetor përmes një mbrëmjeje gala në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Nën moton “Alles Walzer” 120 artistë të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë performuan nën drejtimin e dirigjentit austriak Claudio Büchner si dhe të koreografit dhe ish-drejtorit artistik të Operës Shtetërore të Vjenës, Renato Zanella.
Në Austri u organizuan gjithsej 33 aktivitete në tetë qytete të ndryshme; në Shqipëri u zhvilluan 70 aktivitete në dhjetë qytete të ndryshme. Aktivitetet në të dyja vendet ishin të fokusuara kryesisht në fushën e muzikës, letërsisë dhe filmit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.