SHËNDET

Ylli Merja: Ataku kardiak, si ta parandaloni në mënyra të thjeshta

15:16 - 10.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Zemra është organi që punon gjithë jetën e njeriut pa pushuar e si pasojë lind si nevojë e domosdoshme që të kujdeseni për të, pasi mund të dëmtohet drejtpërdrejt nga mënyra e jetesës dhe të ushqyerit. Ky organ mund të dëmtohet lehtësisht, por pavarësisht kësaj mund ta rigjeneroni atë e ta ktheni në formë normale. Vdekjet në lidhje me sëmundjet e zemrës vijnë gjithmonë duke u rritur. Shumica e njerëzve në ditët e sotme vuajnë nga stresi. Disa arrijnë t’i përballojnë pa u shqetësuar, por ka të tjerë që janë më të ndjeshëm ndaj problemeve e si pasojë dëmtojnë zemrën pa kuptuar. Periudha e verës gjithashtu ndikon në përkeqësimin e punës së zemrës, enët e gjakut zgjerohen shumë dhe ky organ lodhet duke pompuar gjakun në këto enë të zgjeruara, sidomos tek individët që kanë variçe, yndyra të larta, probleme me ankthin etj. Sipas studimeve mjekësore është arritur në konkluzionin se një zemër e dhjamosur është më e predispozuar për t’u dëmtuar sesa një zemër normale. Në stinën e verës duhet bërë shumë kujdes për zemrën, pasi rritja e temperaturave mund të ndikojë në uljen e rrahjeve të organit, e kështu edhe në uljen e tensionit. Ataku në zemër është një dukuri që ndodh shpesh tek individët që kanë probleme me tensionin apo me zemrën, sidomos kur janë në det. Personat që kanë probleme me zemrën mund të kenë simptoma të ndryshme në plazh si ndryshim të tensionit; fryrje të këmbëve dhe krijim të disa vijave të kuqe në pjesën e fundit të këmbës. Gjithashtu, mund të shfaqet edhe një errësim i enëve të gjakut te këmbët apo fryrje e rrathëve të syve. Këto ndodhin për shkak të dobësimit të aftësisë së zemrës për të pompuar gjakun dhe kështu ky i fundit grumbullohet së bashku me ujë të tepërt në pjesën e poshtme të këmbës.




Kategoritë e prekura
Të gjithë duhet të kujdesemi për zemrën gjatë temperaturave të larta, por në veçanti njerëzit mbipeshë, të moshuarit, ata që konsumojnë duhan, ata që vuajnë nga tensioni i lartë ose i ulët si dhe personat me diabet duhet të bëjnë më shumë kujdes. Sipas shumë studimeve kërkimore, ka rezultuar se qëndrimi në ujë të ftohtë kur temperatura e ajrit është e lartë dhe dielli i fortë mund të shkaktojë atak në zemër, pra pushim të menjëhershëm të zemrës. Nëse shikoni dikë me buzë të nxirë në det, do të thotë se është paralajmërim i mosfunksionimit normal të zemrës, prandaj ai individ duhet të dalë menjëherë nga deti. Kjo dukuri ndodh te të gjitha moshat, fëmijë dhe të rritur. Uji i ftohtë i detit mund të sjellë vdekjen e menjëhershme, sepse shkakton çrregullim të rrahjeve të zemrës.

Parandalimi
Uji i ftohtë i detit ka shumë efekte pozitive në organizëm, pasi ndihmon në tonifikimin e trupit, por hyrja e menjëhershme është shumë e dëmshme, sepse e “shokon” trupin. Në momentin që uji i ftohtë vjen te këmbët, personi ndjen vetëm pak të ftohtë të tepërt, por kur ky ujë prek në kraharor individi ndjen shumë ftohtë dhe dridhje të menjëhershme. Kjo ndodh sepse uji i ftohtë prek direkt zemrën dhe ndikon në ndryshimin e çorientimin e rrahjeve të saj. Mënyra më efikase për të mbrojtur zemrën është të lageni pak me ujin e ftohtë, të lagni zonën përpara kraharorit dhe pastaj mund të futeni tërësisht dhe të shijoni freskinë e detit. Nëse shikoni një individ që ka shtrëngim në kraharor, ka buzën të nxirë dhe mendon se ka dhimbje të forta në zemër, mos u trembni, por reagoni menjëherë për ta shpëtuar. Një aspirinë e vendosur nën gjuhë dhe qetësimi i personit në hije është shumë i domosdoshëm. Aspirina qetëson muskujt e zemrës, e ndihmon që ajo të ushqehet me më shumë oksigjen. Në të gjitha ato raste kur një person ka humbur ndjenjat në det apo pasi sapo ka dalë nga deti, si fillim këshillohet të shtypni një aspirinë pa humbur kohë, vendosjani nën gjuhë dhe menjëherë duhet t’i bëni frymëmarrje artificiale dhe shtypje të gjoksit me shpejtësi, pra t’i jepni ndihmën e parë. Kjo ndihmon riaktivizimin e zemrës, ndihmon që t’i jepni organizmit oksigjen dhe sidomos zemrës dhe trurit. Kjo ndihmë e parë është kritike për individin, pasi ju mund t’i shpëtoni jetën. Edhe nëse personi ka gëlltitur ujë në det, gjatë shtypjes në kraharor uji del jashtë. Këshillohet që kur të shkoni në plazh, të konsumoni çdo ditë një gotë me çaj jeshil dhe çaj me boronicë në mëngjes dhe kështu jeni shumë të mbrojtur nga goditjet në zemër. Boronica ka vlera të shumta në pastrimin e gjakut dhe enëve të tij, ushqen muskujt e zemrës dhe të trurit dhe nuk lejon dëmtimin e tyre nga ndryshimi i madh i temperaturave.

Ushqime të domosdoshme për shëndetin e zemrës:

-Salmoni, pasi përmban yndyra të shëndetshme omega-3 dhe ndihmon në mbrojtjen nga aritmia dhe arterioskelroza. Është ushqimi më i shëndetshëm për zemrën dhe trurin.
-Tërshëra, pasi ul kolesterolin, përmban fibra të shëndetshme dhe pastron organizmin nga toksinat.
-Boronica e zezë përmban antocyaninë dhe flavonoide, të dyja antioksidantë të fuqishëm që i shërbejnë zemrës.
-Çokollata e zezë ul rrezikun e goditjes në zemër.
-Portokallet dhe mandarinat përmbajnë flavonoide dhe vitaminë c, largojnë bllokimet në arterie e hollojnë gjakun.
-Soja ul tensionin e gjakut, përmban proteina që ulin LDL si dhe ka fibra dhe minerale të shumta.
-Patatet përmbajnë shumë potasium dhe ulin tensionin e gjakut.
-Domatet përmbajnë shumë potasium, ushqejnë enët e gjakut, ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës.
-Konsumoni gjithashtu perimet, fasulet, verën e kuqe, çajin jeshil, brokolin, spinaqin, kafe në sasi të vogla, fara liri.
Këto ushqime janë të bollshme në verë dhe gjenden lehtësisht.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.