SPORT

Reja mendon si të thyejë Moldavinë: Duhen 3-4 ndryshime si dhe tifozët

11:08 - 11.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Tri pikë në tri ndeshje zbehin shumë shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në “Euro 2020”. Kuqezinjtë pësuan një humbje të rëndë në transfertë kundër Islandës, ndërsa këtë të martë përballen me Moldavinë në “Elbasan Arena”. Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, flet përpara këtij takimi në konferencë për shtyp nga qendra stërvitore e ekipit kuqezi. Trajneri italian i Kombëtares kuqezi, Edi Reja, në vijim të konferencës së tij preku edhe temën e rreshtimit të ekipit, ndërsa la të ditur se mund të ketë ndryshime. Gjithashtu, ai u shpreh se nuk mund të zgjidhë çdo problem në kaq ditë, teksa u bëri thirrje tifozëve të jenë në stadium. Në fund, italiani e vuri theksin edhe te situata në grup, ku nënvizoi se pavarësisht gjithçkaje, ende asgjë nuk ka përfunduar dhe se Kombëtarja do të futet në fushë për të fituar. Ai vlerëson eksperiencën në një ekip përfaqësues, e para për të pavarësisht viteve të shumta që ka mbi supe, teksa i vë kapak edhe çështjes së kapitenit.
Skema 3-5-2




“Unë nuk pashë probleme në mbrojtje dhe në sulm, por jam dakord që lidhja mes tyre është një problem, duhet punuar për një koordinim sa më të mirë. Duhet të gjejmë zgjidhje për të sulmuar, të çojmë më shumë topa në zonë. Po përmirësohemi në lëvizje, në lojë ofensive, tani duhet konkretizuar puna që kemi bërë, sepse në mbrojtje luajtëm një ndeshje të shkëlqyer. Na mungoi finalizimi, ata nuk arritën të bënin më shumë se sa një rast në portë”.

Ndryshimet
“Do të shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet të dubluara dhe vetëm ata që janë në 100% do të luajnë. Mbrojtja mund të jetë me 3 ose 4. Në mesfushë do të ketë ndryshime dhe në sulm padyshim, pasi ka lodhje. Në fillim duhet të flas me lojtarët dhje pastaj do shihni formacionin. Kemi dhe 24 orë ende për të parë”.

Potenciali
“I kemi të gjitha mundësitë, na duhen disa mesfushorë të mirë për të kaluar më para. Me Islandën pamë anën e djathtë që ishte shumë mirë, do të shohim dhe repartet e tjera ku çaluam”.

Formacioni
“Nuk kam vendosur ende. Kam Uzunin dhe Sadikun që janë gati. Mund të jenë tri-katër ndryshime dhe do të vlerësohen me tej. Mbrojtja ka bërë mirë, por mund të ketë ndryshim”.

Islanda
“Në Islandë luajtëm, zotëruam lojën. Ata patën një rast dhe shënuan. Siç tha Hysaj, ne duhet të vazhdojmë në rrugën e drejtë, të punojmë më fort”.

Problemet
“Nuk i zgjidh dot për një javë a 15 ditë. Do bëjmë maksimumin, po rritemi dhe në krahasim me ndeshjet e mëparshme, kemi luajtur më mirë, besoj se jemi dakord për këtë pjesë. Është e qartë që nëse nuk vijnë rezultatet, do të kritikohem unë, por dua që njerëzit nesër të vijnë në stadium e të na mbështetin, duke pasur durim edhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet në ndonjë moment”.

Situata në grup
“Nuk mund të flasë për Turqinë dhe Francën, unë duhet të shoh shtëpinë time. Është diçka që nuk ndodh brenda ditës ose javës. Ne duam mbështetje dhe nesër besoj se do ta kemi. Objektivi është që skuadra të përmirësoheshe vazhdimisht. Ndeshjet nuk kanë përfunduar do të luftojmë deri në fund. Nuk do futemi për barazim, por për të filtruar. E rëndësishme është të dalim nga ndeshja me kokën lart. Nuk më pëlqen të futem me mentalitetin për barazim. Do të hyjmë për të fituar në fushë. Nëse e bëjmë këtë, aspekti moral do të jetë në nivel të jashtëzakonshëm. Fitoret janë të mira për të të bërë të besosh të ecësh përpara. Lojtarët kanë nevojë të ndihen të shpërblyer për atë që kanë bërë deri tani. Do ta kërkojmë këtë me të gjitha forcat tona”.

Ndjesia në Kombëtare
“Është ndryshe, në Kombëtare nuk ke kohë të bësh punën e përditshme që bën në klub. Megjithatë, skuadra është paraqitur me shumë dëshirë dhe është vënë në dispozicion. Janë të gjithë lojtarë profesionistë, shumë prej tyre luajnë në Itali, por edhe në kampionate të tjera dhe kanë filozofi të ndryshme futbolli, Zvicër, Kroaci, Gjermani, Itali. Unë duhet të gjej mënyrën për t’i ndërthurur si duhet filozofitë e tyre të lojës, pastaj jemi në Ballkan dhe është pak e vështirë të punosh qetë në aspektin psikologjik”.

Kapiteni
“Nuk ekziston si problem. Nëse do të jetë Mavraj, do të jetë ai, nëse jo, do të Hysaj. Kjo është zgjedhja përfundimtare, kjo është linja”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.