KULTURË

1915 Kujtimet e At Bernardin Llupit: Kur Isa Boletini e theu besën

19:00 - 12.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Lufta që udhëhoqën malësorët me në krye fratin At Bernardin Llupi, aso kohe famullitar në Palç, kundra ushtrisë malazeze që mësynte të copëtonte Shqipërinë dhe të merrte veriun. Janë kujtime të vitit 1915, ku rrëfehen shumë ngjarje të panjohura prej At Bernardin Llupit. Fra Bernardin Llupi nga Shkodra, Frat Françeskan dhe meshtar. I biri i Filipit dhe i Luçes u lind në Shkodër, më 7 shkurt 1886. U shugurua meshtar më 22 gusht 1909. Shërbeu si famullitar në Palç, Rapshë, Bizë, Vlorë (1935-1937), Pejë dhe si ekonom i kuvendit, drejtor i Urdhrit të Tretë, në Troshan dhe në Shkodër. U pushkatua nga komunistët më 25 nëntor 1946, në Prizren. Jetoi 60 vjet.




Botimet Françeskane sapo kanë nxjerrë nga shtypi librin me kujtime “Lufta kundra Malit të Zi” me autor At Bernardin Llupin, OFM. Në këto kujtime del në pah trimëria e malësorëve, bujaria dhe fisnikëria e Bajram Currit, e Prel Tulit dhe shumë prijësve të tjerë malësorë.
At Bernardin Llupi vjen si personazhi kryesor i atyre ngjarjeve. Mbasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore, ai u gjet me shërbim meshtarak në Kosovë. U padit prej agjentëve si propagandist shqiptar e antijugoslav, u nxor në gjyq e gjykua për pushkatim. U pushkatua nga komunistët më 25 nëntor në vitin 1946, në Prizren. U varros në vend të panjohur. Ndoshta vrasja e tij vjen si hakmarrje për veprën e madhe në shërbim të kombit shqiptar. Daktiloshkrimi origjinal i kujtimeve të Át Bernardin Llupit është ruajtur me kujdes të veçantë në arkivin e Gjon dhe Willy Kamsit dhe është botuar sipas origjinalit.

“Ndokush kujtimet e fratit mund t’i konsiderojë ngjarje periferike, apo dikush tjetër mund t’i mendojë pak të randësishme. Në të vërtetë ky libër kallëzon krejt të kundërtën. Ajo qëndresë burrnore shfaqi personalitetin e fratit françeskan në mbrojtje të tokave shqiptare dhe bashkimin e malësorëve rreth fratit, pa dallim katolikë e myslimanë dhe rreth flamurit të Shqipnisë gati me derdhë gjakun për mos cenimin e kufijve të vendit tonë”, thotë Frati Vitor Demaj, që është kujdesur për botimin. Sipas tij, ky kontribut i çmueshëm i shtohet kolanës së shkrimtarëve françeskanë si shërbim i përvujt për historinë kombëtare. Dhe me ketë libër publiku dhe lexuesit e censhëm tashma do të njihen me nji tjetër personalitet të spikatun në radhët e françeskanëve, me fratin martir At Bernardin Llupi.

PJESË NGA KUJTIMET
KREU I
Bashkimi e lidhja e besës së bajraqeve të Malcis së Gjakovës
Porsá mbrrijten te kulla kû ishin kenë të bashkuemë këta të dytët çeta e burrave të Nikajve e të Merturit, qi u kishte prî frati, kund 40 vetë, veshë mirë, shterngue edhe mâ mirë; prá të gjith si kjene u çuenë në kambë, porsá ndienë zânin e fratit, qi u tha: Mirë se rrini e kuvendi i mirë o burrat e Malcís. Ata nji zânit i pergjegjen: Mirë se të bjen Zoti Zotní Pater. Të parët e Krasniqes, Bajram Mani, Bajram Nimani e Zeqir Halili perpara se t’u afrote frati me burrat e Nikajve e të Merturit, kishin ndejë gati tue i dalë para e grishen fratin tue i thanë: Z. pater shka të kesh bajraktarë e krenë merri me vete; tjerët të xanë vend te këta burrat këtû, e na po shkojmë në kuvend kû gjindet Bajram Curri me tjerë. Atëherë pá tjeter i prînë fratit e bajraktarve e krenve. Edhe këtû para se me mbrrijtë te ai livadhi i bukur, u çuenë në kambë e u aviten nja 3 a 4 hapa Bajram Curri, Izá Boletini i Kosovës, Zefi i vogël prej Gjakovet, Halil Brahimi Bajraktar i Gashit bashkë me Rrustem Bajramin, e disá tjerë të permendun. Sá u afrue frati i pershndeti tue u thanë: kuvendi i mirë burra, e ata i a kthenë mirë se vjen. Si u pershndeten me sho-shojnë, Bajrami grishi fratin e per nderim desht me i lshue vendin e vet, por frati s’e prandoi, por u ul njat tijë. Porsá u ulen; të gjith burrat qi kjene aty u hollen ka ‘i cingare të bâme të gjithve, qi kishin ardhë e s’vonuenë me u qitë kafe. Nji heshtim mbretnote at, qi Bajrami e the tue i a hî kuvendit e tue pëvetë fratin: Z. shka kena të ré? Të gjith veshtrojshin fjaltë. Frati atëherë ndisi me folë: Z. Bajram, dje kam pasë letra prej Shkodret e njana nder to thote se devrija e Malit të Zí kishte xanë vend te ura e Buenës e se Shkjau kishte menden me hî në Shkoder edhe këtu nder né. Po, i a kthej Bajrami, veçse pá u merzitë mirë nuk kanë me e lanë.
Në ketë mbledhjë qilluenë të gjith bajraktarët e krenët e Gashit e të Krasniqes, të Bytyçit, të Nikajve e të Merturit. Muer pjesë edhe Bajram Curri, fis prej Krasniqes e mâ i ndershmi i të gjithve, kje njoftë si kryetar i këtij bashkimi e i lidhjes së besës. Kjenë: P. Bernard Llupi, Famullitari i Palçit të Merturit, Izá Boletini kryekomitës prej Gjakove – Kosove, Zefi i Vogel prej Gjakove, Hasem Galica, kryetari i komitës prej Rrjeket, Jah Salihi i Babaj e Osman Aga i Kaskoçit. I persriten edhe nji herë fjalët qi kishin folë para se me ardhë Bajrakët e Nikajve e të Merturit.

Mâ e para punë qi u fol në ketë mbledhje kje, se lidhen besë ndermjet vetit me bajrakë qi u gjeten aty. Besa u lidh si mbas kanunit e i u dha forca e êmni: “BESË GJAJE E ÇOBANI”, e cilla besë â mâ e fortë se besët tjera. Kush e prishë ketë besë, ká per ndeshkim prej të gjitha bajraqeve besëlidhun, qi t’i digjen trí kulla, ase vllaznís së tij e mu shemë, e me i marrë gjobë 24 qese besëlidhunt e së mbramit me metë gjaku me gjak. Per do ngatrresa qi Nikajt e Merturi ankojshin kundra Gashit e Krasniqes e këta me ta; u dá prej burrave e të parve të këtij bashkimi në nji kuvend se do t’i ndreqshin mâ vonë. Këtyne fjalve e lidhjes së besës ju gjegjen të gjith. Mandej lidhën besë e u betuenë me sho-shojnë, muhamedant tue bâ bé n’êmen të Dinit e t’Imanit, tue thanë fjaltë e tue i marrë doren Bajram Currit në shêj dashnije. Të krishtentë tue hjekë ksulen bâne bé n’êmen të Zotit e të Krishtit se do të luftojshin i madh e i vogel e per të gjállë s’do t’u lêjshin Malin e Zí me hî nder vende t’ona, edhe këta tue thanë fjaltë e tue i marrë doren Bajram Currit. Mâ së mbramit u dá prej të gjithve me çue në luftë ká nji per shpí. Vetem Bajram Curri kësohere kshilloi e e bâni Malcín me luftue kundra Malit të Zí; pse tjerët nuk kjene kësi mendimi. Atij qi nuk e njef Bajram Currin, Frati i Palçit, çi ká pasë shum relacjone me tê e suguron se âsht i vetmi muhamedan, qi me tanë Kosoven e nder këto vende, u diftue, jo vetem në nji rasë, por gjithmonë, shqyptarë i vertetë, tue kerkue perherë të mbaren e Shqypnís me dam të vet e t’interesave vehtjake. Tue kenë se të gjith beglerët e agajt janë kundra këtij mendimi âsht i sulmuemë prej të gjithve nder veprime.

***
P. Llupi çili nji fletore t’orove e filloi me persritë fjalët, qi u folen e tha: Qellimi i parë i kësajë mbledhje kje bisedimi, qi të gjith Malcija e Gjakovës lidhi besë simbas kanunit ndermjet vetit e me bajrakë besëlidhun. Qellimi i dytë i mbledhjes kje ankimi qi Nikajt e Merturi kanë me Gash e Krasniqe: u dá nji zâni prej të gjithve se do t’u ndreqshin porsá të kishin rá në fashë. Qellimi i tretë kje se lidhen besë me bé me sho-shojnë, qi mos me lanë asnjani tjetrin në luftë, por me luftue të gjith i madh e i vogel e me dekë mâ parë se me lanë Shkján me hî nder vende t’ona. Qellimi i katert kje se u dha besa, qi se e cilla shpí t’epte ka’i nieri per luftë, e në Qafë të Morinës n’e lypet nevoja i madh e i vogel me rá në luftë e mos me e lshue per së gjallit atmen pá u farue të gjith. Qellimi i pêstë kje mâ i randsishmi (ultimatum), qi i u çue Malit të Zí se s’e lêjshin me hî mbrendë, pá u farue i madh e i vogel. Si kreu së shkruemi, Bajrami e luti, qi mbasi penda gjindej aty, t’i rreshtote nja dy fjalë si të dite mâ mir e mâ, e t’i a ndiste Shkjaut. Frati atëherë pá u vonue muer e hoq nji fletë prej fletores e ndisi me shkrue: Krasniqe 8 Qershuer 1915, Shkelqesís së Tij Z. Vladomirit Vasoviç, Gjeneral i Malit të Zí. Komisjoni dergue prej Shkelqesís s’Uejë erdh e na njoftoj fjalët e dishirit t’Uej, se Shkelqesija e Juej lypte lêje me kalue me ushtrí të veta vetem per me shkue në Shkoder. Prá na Malcija e Gjakovës fíll per ketë punë jena bashkue e nuk e pamë t’arsyeshme me u lêjue neper né mbasi njetin e keni mâ të mirë e të kollajtë. Vetem nji punë na bindë e jo pak se si ju kujtuetë se nuk jena në gjeje të kuptojmë nji marshtrim të pá burrní ká kenë per Z. t’Uej me na thanë se dishrojshi me zaptue vendin t’onë e jo me e ulë vetin me tradhtí tue dashtë me na e marrë. Prá mos t’i u rrejë mendja e mos kujtoni se âsht aq e kollajtë me hî nder vende t’ona, pá u shkrî i madh e i vogel nuk të lamë me hî nder né. Me shum nderime Bajram-Beg Curri, P. Bernard Llupi, Bajraktari i Gashit, i Krasniqes, i Bytyçit, i Nikajve e i Merturit n’êmen të gjith popullit. Sejcilli vuni vulen e vet. Mbasi letra u krye, frati e lexojë me zâ të naltë, qi t’a merrshin vesht të gjith. Si e pat lexue i pëveti, si ishte shkrue. Të lumtë dora se mirë e ké shkrue. Atëherë i a dorzoi letren Bajramit, njiherit edhe Bajraktarit të Krasniqes, e zgoll tre burra të squetë e të gojës tue i porositë t’i a epshin Gjeneralit Vasoviçit e t’i diftojshin njiherit fjalët e vendimit të bajrakve. Këta i premtuen se neser nadje do t’u ndesheshin me Vasoviçin. Bajrami qi nuk dote me lanë gjâ mangut prej anës së vet, urdhnoj, qi nja 10 vetë të shkojshin me hasë ndonji kál per me marrë dy mitroloza, qi i kishte pasë te nji mik, tue u kallxue shpinë e tue u dhanë nji shêj të vetin per me e vertetue punen. Mbasi pat kalue bukur do kohë; frati me gjith bajraktarë e krenë kje grishë me fjetë te Bajraktari i Krasniqes. Grishi edhe Izá Boletinin, Zefin e Vogel, Jah Salihin e Osman Agen e Rraskoçit. Teprica tjeter u shperdá fisit.

KREU III
Shqyptarët lshojnë ballin e luftës
Edhe nji herë para se me dalë pine kafe e tue u bâ gati me shkue, po ndihet prap nji zhurmë e nji poterë e jashtzakonshme n’oborr të kullës. N’e parë kujtuenë se do t’ishin të varruemtë e të dekunt qi ishin tue i bajtë prej luftet e prandej u çuene të gjith në kambë, disá duelen jashtë e disá qiten kryet në dritsore palè a po mujshin me marrë vesht shka ishte gjith ajo zhurmë e poterë. Qe se u muer vesht e të gjith meten të habitun tue pá shum popull qi kishte ardhë te kulla se e dijshin se aty parija kishte ngulë. Diftunë se kishin lshue ballin e luftës e shkakun e të hikunit tue thanë se mbasi panë se Izá Begu Boletin me nja 70 vetë kishte lshue ballin e luftës e muer hiken, edhe tjerve u hini friga e lshunë pritat. Gashi por sá muer vesht hiken e Izá Boletinit, jo vetem se lshoj pritat por i a ndisi me dlirë shpijat e me hikë kahë të mujshin i madh e i vogel. Lufta vijote gjithnji mâ e rrebtë. Kúr Izá Boletini muer hiken e lshoi pritat pá kenë endè i ngushtuemë persë fortët prej Shkjaut, bâni disá me pasë dyshim a thue mos do t’kishte hanger para Shkjaut, tue u bâ marak tjerët per ata të hikun të pa arsyeshem, tue ligshtue edhe tjerët. Të hikunt e tij shkaktoi zhgatrrimin e luftës e kështu njani mbas tjetrit merrshin hiken pá dijtë psehin. Mbas atyne atëherë edhe Zefi i Vogel me çetë të vogel të Begashit, qi ishin kund njiqind vetë, lshoi pritat e shkoi fill te Bajrami me i diftue gjithsesi arsyenë e të hikunit. Bajrami porsá pau Zefin e Vogel e muer vesht fjalët se ushtrija kishte fillue me u demoralizue tue lshue pritat e luftës; si muer vesht se Izá Boletini me gjith ata burra qi pat me veti, hiku, e tue pá se edhe Zefi dote me hikë me ta, i hini nji frigë e madhe, u zbé në fëtyrë e fryma filloi me i mungue. Ah! Ma paç faqen e zezë si na korite e na fike per së gjallit i u suellë e i tha, e të gjith i persriten këto fjalë tue thanë, si mbrrijti me e bâ ketë punë; me hikë para të gjithve pá pasë nevojë. E sjellë kahë Zefi i tha: More Zef, páshë Zotin t’and e fén t’ande, nemose ti rri me né e të qindrojmë së bashkut. Pse tha Zefi na besen e bén i a kena dhanë të gjith shoqi-shojt me qindrue së bashkut e jo dikush po e dikush jo. Shpirt kena të gjith e të gjithve na dhimbet jeta. Këjo punë ishte dashtë m’u mendue para se me u lidhë me besë e fé. Kùr pashë se Izá Beg Boletini s’pat gajle per marre se aq shpejt e kishte harrue benë e bâme e besen e dhanun, atëherë edhe un qi s’kam interesë as gajle se po fiket e po koritet ky kuvend, lshova priten si tjerët e tash jé tue më pá këtu. Të lutem i thotë Bajrami: Páshë Zotin, Dinin e Imán, dredhoni në luftë burra. Zefi u pá kjartë se s’kishte mend me hî mâ në luftë, por per me i a mbyllë gojen e me e xanë ngusht Bajramin i tha: Qe un me gjith çetë t’ême po dredhi; por due mâ parë të më prijnë gashnjanët; pse atëherë jam gati me u shkue mbas. Ndersá Bajrami ishte tue u mundue me i a mbushë menden Zefit e tjerve, shifeshin çetë çetë kahë ushtrija e populli merrshin hiken. Nuk vonuenë e u drodhen edhe kualt, qi kjenë ndisë me mitroloza e me pushkë. Drita kishte ndisë pak me dalë, kur po i a behin disá burra e mâ e shumta prej Gashit, qi të dispruemë prej idhnimit e trâmet, kahë panë se sharruenë me gjâ e me máll, me të madh e me të vogel e kahë panë se Gashi me gjithshka pat nisi me hikë tue lshue vendin; filluenë me u ngatërrue me Bajramin, e me do krenë qi ishin kenë shkaku, per të cillin i kundershtuenë Shkjaut. Prandej mzì mujten me u zhgatrrue perpá u mbytë ndermjet vetit.

***
Atë vend e kishin zaptue do tjerë, qi kahë fëtyra dukeshin t’idhnuem e të dispruem. Dyerët e kullave i kishin të çiluna, mrendë nuk rrite kerkush qi me thirrë mikun me fjalë të zakonshme: Mirë se të pruni Zoti e hoshgjelden. Robnija kur kishin marrë vesht se kishte hikë Izá Boletini e kur paten marrë urdhnin e të zotët e shpís, pá u tallë hiç u vunë në të hikun me gjâ e me mall tue lanë shkret kullat. Gjithkush qi kalote andej pari tue pá kullat e vendin vojtë aq në hall, tue lujtë kryetë prej dhimbet e të thekunit thote: Ah! Medet se çë rrezik na gjet, e ty qi u bane shkaku i këtij rrenimi kurr mos t’a priftë marë Zoti. Rruga qi banë ishte kanë mbushë me gjâ të gjállë e me robni qi i ndlojshin udhtimin shtegtarit, per me shpejtue.
Rrugës s’u ndiete tjeter veçse brim robnijet, fëmish e shtâsësh njaq sá me i u dhimtë deri anmikut. Bajrami e Zefi i Vogel nuk u hetuenë fort rrugës, u grahen njani kalit, tjetri kambve kahë drojshin mos t’u ngatrrote kush me ta e mos t’i ndollte ndo’i rrezik prej popullit, qi prej disprimit mzí çë pritshin me u ngatrrue me ndokend sidomos me ata qi kjene shkaku i rrenimit të tyne. Lufta u ndiete se vijote bukur mirë sado qi ishin pakue mbas fjalve prej 2000 e mâ teper qi kjene në fillim paten metë nja 600 vetë, qi luftojshin si burrat. Lajmi i fratit e i krenve se kishin hikë u hap me ‘i herë e popullit të shkretë i u duk si t’u bite nji rrfè prej së naltit. U ligshtuenë faret e tjeter s’menduenë veçse me hikë. Ky lajm i zí u mbrrijti në vesh luftarve, qi të Diellen në nadje me 13 pa kenë shterngue prej Shkjaut lshuene pritat e u vunë në të hikun sá kû mujten. Shkjet kur hetuenë se Shqyptarët lshuenë pritat e u vunë në të hikun, pa i u vu mbas, por kot, pse s’mujten me xanë kend
***

Burrat e mdhaj atëherë mueren rrugen me Ismi Currin tue dalë pertè Drinin. Disá luftarë qi erdhen prej ballit të luftës lajmuenë se edhe në Qafë të Gjonaj, të Stobers e të Bytyçit i paten kundershtue pak Shkjaut per së largut. Diten 14 Qershuer, e Hane, ushtarët e Malit të Zí u hapen gjatë lumit të Valbonës kahë Sernica, kahë Bukova, Molla e Kuqe, Dushaj e në breg të Drinit. Në ketë ditë disá djelm prej Rajet, prej Nikajve e Merturit i bânë nji kundershtim të letë Shkjaut, per me mujtë me u a ndalë hovin, qi të hikunt të mbrrijshin në kufi të Merturit. Në ketë ditë shka kje shpi, stan e tagjí të Tropojës, të Gashit e të Krasniqes u kje dhanë zjarmi e në ketë ditë Shkjau filloi me ndreqë nji urë të ré në Mulesmanaj. Kur frati erdh në Palç te shpijat e veta, gjet djalin qi pat ndreqë per Shkoder te Korculla i Austrís me letër të përgjegjes. Letra ishte kenë shkrue kështû: Të Ndertve Z. P. Llupit e bajraktarve të Nikajve e të Merturit. Fort keq më vjen pse nuk mundem me u kondendue per me u dhanë do armë e do fyshekë, qi më kanë ndollë. Por t’u bijë nder mênd se mâ mirë me dekë me nderë se m’u zdeshë me marre. Halla Korcull i Austrís.

Shkodër, 12-VI-1915


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.