Tomas Strakosha po përjeton një moment fantastik në karrierën e tij, një lider absolut te Lacio, një titullar fiks dhe një nga portierët më të mirë në Serie A. Prej kohësh Strakosha është vënë në shënjestër nga Totenhemi, por “gjelat” me sa duket nuk janë skuadra e vetme në Premier League e interesuar për shërbimet e gardianit kuqezi. Sipas “La Repubblica”-s, në garë për Strakoshën është futur dhe Arsenali, një tjetër “big” i futbollit britanik. “Topçinjtë” janë vënë në kërkim për të gjetur një portier pas lamtumirës së Peter Çeh. “24 vjeç, 193 cm, reflekse fantastike dhe mbi të gjitha i aftë të luaj shumë mirë me këmbë, Strakosha është një portier i gjeneratës së re, një investim i sigurt për çdo ekip”.
Gjithnjë sipas “La Repubblica”, për Strakoshën parashikohet një derbi londinez pasi dhe Totenhemi prej kohësh është vënë në ndjekje të tij. As finalistët e Champions League nuk kanë ndërmend të vazhdojnë për shumë kohë me Hugo Loris në portë, Strakosha do të ishte pasuesi ideal i francezit. Në çdo rast Lacio është e qetë, Strakosha largohet nga kryeqyteti italian vetëm për një ofertë të parezistueshme.