Aktualitet

Karta e Studentit/ Janë shpërndarë më shumë se 10 mijë

13:30 - 12.06.19 Gazeta Shqiptare

Studentët e Universitetit Politeknik bum aplikimesh për të marrë Kartën e Studentit



Veliaj: “Më shumë se 10 mijë studentë janë pajisur me Kartë”; Balluku: “Shërbime të tjera shtesë për studentët”

Më shumë se 2 mijë studentë të Universitetit Politeknik të Tiranës janë pajisur me Kartën e Studentit, duke përfituar kështu nga një sërë shërbimesh falas ose me çmime të ulëta. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Vladi Koliçi, ndoqën nga afër vijimin e procesit të aplikimit dhe tërheqjes së kartës nga studentët e universitetit.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur për ecurinë e procesit në këtë Universitet dhe shtoi se deri tani janë shpërndarë mbi 10 mijë karta. “E kemi kaluar shifrën 10 mijë në të gjithë studentët e Tiranës, pra kemi nisur goxha mbarë. Shpresoj që deri në fund të qershorit, por edhe në korrik, kur vazhdon periudha e sezonit, do të kemi mundësi të bëjmë shpërndarjen e të gjitha kartave”, tha Veliaj.

Ai theksoi se falë edhe vetofrimit të një sërë subjektesh dhe biznesesh private numri i shërbimeve që përfitojnë studentët, vetëm duke pasur Kartën e Studentit, është rritur ndjeshëm. “Momentalisht kemi rreth 50-60 produkte ose ulje për shërbime publike të bashkisë, të Ministrisë së Kulturës, të enteve të tjera, kryesisht me fokus shërbimet publike për studentët, e thuajse po aq nga kompani private: kryesisht kancelari, dyqane veshjesh, supermarkete, restorante, dhe shërbime të tjera elektronike, që u vijnë në ndihmë studentëve”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku nënvizoi se puna për shpërndarjen e kartave do të vijojë edhe gjatë javëve që kanë mbetur, para se studentët të marrin pushimet e verës, me synimin që çdo student të ketë mundësi që të aksesojë gamën e shërbimeve që i ofrohet nëpërmjet këtij dokumenti të posaçëm. “Duam të vazhdojmë këtë ritëm gjatë gjithë verës. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak krijuam një agjenci më vete, që është Agjencia për Kartën e Studentit për qytetin e Tiranës. Nëse ky projekt, siç ka funksionuar deri tani, përfundon me sukses, do të jetë pastaj një shembull, pra një bazë, edhe për bashkitë e tjera, që mund ta përshtasin fare mirë, duke qenë se tashmë e kemi ngritur databazën dhe ka funksionuar shumë mirë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se interesi që kanë treguar studentët për kartën është i lartë, ndërsa bëri të ditur se ministria që ajo drejton, përmes institucioneve apo subjekteve që kanë lidhje me të, do të ofrojë shërbime të tjera shtesë për studentët. “Interesi është shumë i madh për ta marrë këtë kartë, pasi është një kartë që do t’i ndihmojë të gjithë studentët, pasi nga lista që pashë janë absolutisht shërbime për të cilat ka nevojë studenti. Përmes Ministrisë ne mund ta ndihmojmë këtë proces me subjekte që janë të lidhura me ne, për t’i lehtësuar dhe për të shtuar listën e subjekteve të cilat ofrojnë shërbim për kartën”, përfundoi Balluku

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *