Uncategorized

Ku ta kërkojmë dhe gjejmë PS-në e parë?

07:45 - 12.06.19 Xhevat Mustafa
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“…qysh kur në fronin e kryetarit të PS-së u ul Edi Rama ka filluar edhe tjetërsimi, shpërfytyrimi, formalizimi, familjarizimi, pronësimi apo privatizimi i saj, si një nga pronat e shumta, të deklaruara e të fshehta të tij…”




 Si sot 28 vjet më parë, mbi bazën, trashëgiminë politike dhe ideologjike, mentalitetin dhe tradicionin, anëtarësinë dhe ambientet me gjithë pajisjet dhe artikujt e kancelarisë së PPSH-së, përfshirë edhe gazetën “Zëri i Popullit”, u krijua” PSSH-ja. Edhe brenda “sallës së lindjes”, me një “operacion cezarian” të tepër shpejtuar, qysh atë ditë, pati kundërshtime, sidomos nga kurajozi dhe vizionari Dritëro Agolli, për mënyrat apo format e “pjelljes” së saj, por pa fituar nderin të hynte në histori si disident. Megjithatë, pavarësisht rezervave dhe vërejtjeve, Ramiz Alia dhe Fatos Nano e futën veten, më shumë për keq se sa për mirë në histori edhe për këtë ngjarje. Sikur të ishin të sinqertë e transparentë, sikur të mendonin dhe dëshironin me të vërtetë një parti të re, një të majtë krejt ndryshe nga ajo e 8 nëntorit 1941, shumë më tepër konstruktive, shumë më tepër të veprave se sa të fjalëve, qartësisht e thellësisht njerëzore, sociale, më shumë shqiptare e kombëtare, mund të mos nxitonin. Parapërgatitja serioze, me strategji  afatgjatë e program shkencor e vizionar, do të ndihmonte për një “lindje normale”, sipas standardeve të partive të vërteta socialiste apo socialdemokrate në Evropën Perëndimore… Se më 12 qershor 1991 ishte kryer thjesht një “operacion plastik”, një ndërrim formal emri, flamuri, frazeologjie…, u shpreh qartësisht sidomos në tsunamin shqiptar apo në “çmendurinë popullore” të dimrit 1996-1997, shkaktuar në ortakëri, ndoshta deri në përqindje të barabartë “aksionesh”, faji, përgjegjësie me PD-në, sidomos me Sali Berishën individualisht dhe institucionalisht. 8 vitet apo dy mandatet e qeverisjes së vendit nga PS-ja, më 1997-2015, sidomos mandati i dytë, 2001-2005, do të kujtohen nga shumë shqiptarët e rritur, si periudha kur PS-ja u lakuriqësua dhe u vetëshfaq edhe më shumë si vazhduese gjenetike e PKSH-së apo PPSH-së.

Shumica e qeveritarëve dhe e politikanëve të saj e diskretituan dhe turpëruan në vend e në botë për akte të qarta e të panumërta papërgjegjshmërie, korrupsioni deri në limitet e pangopshmërisë e të paskrupullsisë… Në ato vite, realisht PS-ja humbi me duart dhe mend e saj të drejtën të quhej parti me ideal apo flamur përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të shtresave më të varfra të popullit. Ajo u bë partia e bosëve të bizneseve, milionerëve, oligarkëve, e politikanëve, qeveritarëve dhe zyrtarëve, që mendonin dhe nuk linin gur pa lëvizur, rrugë e formë pa përdorur, në emër të interesave dhe përfitimeve ngushtësisht individuale, familjare, ortakërore, klanore, partiake… Kjo e keqe pati të “të mirën” ngushtësisht partiake, sepse i siguroi PS-së për jetë e mote edhe pushtetin ekonomik, të cilin do të jetë e pamundur ta humbë më kurrë, siç mund të ndodhë për periudha të shkurtra me pushtetin politik e qeverisës. Nëse do të bëhen analiza dhe statistika të individëve, që përbëjnë ushtrinë e njerëzve më të pasur në Shqipëri, të bërë milionerë dhe miliarderë brenda pak viteve, brenda një mandati si deputet, kryeministër, president, ministër, zv.ministër, prefekt, kryebashkiak, drejtor i përgjithshëm…, nuk do të përbënte surprizë se shumica e tyre, deri rreth 70%, janë me “origjinë”, bindje, votë nga e “majta”. Krejt ndryshe nga sa është premtuar në tribunat e fushatave elektorale, gjatë këtyre 6 vjetëve të qeverisjes prej “rilindjes”, ka ndodhur edhe varfërimi i tejskajshëm i ushtrive të të papunëve, pensionistëve, të rinisë dhe të masave të tjera të shoqërisë në qytet dhe në fshat, me të ardhura dhe mbështetje sociale minimale, duke përfshirë edhe shumicën e anëtarësisë dhe të elektoratit të PS-së. Personalisht kam opinionin dhe bindjen se qysh kur në fronin e kryetarit të PS-së u ul Edi Rama ka filluar edhe tjetërsimi, shpërfytyrimi, formalizimimi, familjarizimi, pronësimi apo privatizimi i saj, si një nga pronat e shumta të deklaruara e të fshehta të tij. Njëkohësisht, ai ka fajin dhe përgjegjësinë se i ka bërë strukturat, kolegjialitetin, konsensualitetin, kujtime për histori, nostalgji e mall nga e kaluara. U dobësua dhe harrua gradualisht edhe debati për shumëçka lidhur me partinë dhe qeverisjen, si për kandidaturat në kryesinë qendrore dhe në ato lokale të partisë, për president, kryeministër, ministër, zv.ministër, drejtorë të përgjithshëm…

Merret me mend se të gjitha këto rrëshqitën apo ranë “pa u vënë re” në duart e dopiokryetarit. Ky, sipas parapëlqimit, interesit dhe mendjes së vet të merrte edhe nga hiçi, nga e panjohura apo nga bandat e të inkriminuarve e të befasonte me një post e kolltuk, që mund të mos e kishe ëndërruar e që mund t’i linte të tjerët gojëhapur e të pakënaqur, por në heshtje… Ata që kanë guxuar ta shprehin kundërshtimin apo mendimin “ndryshe”, dihet se si e kanë pësuar e ku janë tani. Në epokën “Rama” në drejtimin e PS-së u ngushtua gjithnjë e më shumë hapësira për themeluesit, idealistët, intelektualët elitarë, kontribuuesit me vepra e sakrifica. Lista e tyre është e gjatë, prandaj për të shmangur edhe subjektivizmin, nuk po përmend emra. Paralelisht u zgjeruan rrugët, rrugicat, shtigjet për të kapur poste të rëndësishme partiake dhe shtetërore edhe plot njerëz pa lidhje të hershme, të forta, të sinqerta e të sprovuara me PS-në, për njerëz me lidhje shumëformëshe me krimin shumëgjyrësh e me dosje voluminoze në drejtësinë shqiptare e të vendeve të tjera. Për të kuptuar se në ç’gjendje e ka katandisur Edi Rama PS-në e parë apo të 12 qershorit 1991, në këta 6 vjet të “rilindjes” ndihmon edhe një detaj viziv, qoftë edhe nga jashtë i selisë qendrore të PS-së dhe selive të degëve në qytete. Deri në vjeshtë 2013, kur ishte edhe koha për ndarjen e copave të byrekut në tepsinë e pushtetit, për të marrë si shpërblim për merita të pastra apo të pista, një post, detyrë, sidomos në vende ku paraja në mos rridhte me vrull, pikonte pareshtur, në sheshet, korridoret dhe zyrat e tyre, kishte turma masive dhe gjallëri të madhe. Më 6 qershor 2019, rreth orës 17:00 kalova para selisë qendrore të PS-së dhe nuk u befasova kur e pashë në “heshtje varreze”, ndërkohë që fushata për gjasme zgjedhjet e 30 qershorit është në “pikun” e saj. Merret me mend se kjo zbrazëti e selive të PS-së vjen nga fakti se shumë punë që kryheshin në ato, tani vendosen, firmosen dhe vulosen në kabinetet e kryetar-kryeministrit dhe të besuarve që kanë “prokurë” prej tij, të kryetarëve të bashkive, pa e parë më të nevojshme konsultimin, qoftë edhe formal apo sa për të larë gojën, me drejtuesit e strukturave të partisë apo të ish partisë… Ndërsa, konsultimi me bazën ka vite që ka mbetur një “përrallë nga e kaluara” dhe është bërë thjeshtë një shou propagandistik dhe mediatik.

Falë idealizmit, besnikërisë dhe mirënjohjes akoma masive te “populli i majtë” ndaj PKSH-së, PPSH-së, PSSH-së, Edi Rama me shokët e shoqet e tij me maskat e “rilindjes”, kanë 6 vjet që përfitojnë nga mbyllja e syve, e veshëve, gojëve nga adhuruesit e të majtës, nga mbështetësit dhe votuesit e tyre. Kjo ndodh edhe  kur mund të shikohet edhe nga të “verbrit” se “qeveria që duam” po i nëpërkëmb, mashtron, vjedh, shfrytëzon, turpëron dhe diskretiton në vend e në botë, në mënyrë thellësisht të papërgjegjshme dhe antinjerëzore, njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë. Po kaq e drejtë dhe e logjikshme sa mosndërhyrja te të “majtët” për çka bëjnë me jetën dhe familjen e vet, me lirinë dhe votën e vet, me të sotmen dhe të ardhmen e vet, është edhe që ata të ndihmohen të “kujtohen”, të ndërgjegjësohen, të emancipohen, të kuptojnë thellë e qartë, se viktima të keqqeverisjes nga “rilindja” nuk janë vetëm kundërshtarët e tyre politikë, “armiqtë e partisë së tyre”, por edhe ata vetë. Të jesh socialist idealist, i vërtetë, i ndershëm, konseguent… është e drejtë, zgjedhje dhe zgjidhje e lirë e secilit. Prandaj nuk është demokratike dhe e logjikshme të paragjykohet dhe keqkuptohet. Por, sipas opinionit tim subjektiv, të jesh sot “rilindas’, pas 6 vitesh mbushur me skandale, abuzime me premtimet dhe realizimin e tyre, me dështime, gjëma, turpërime, viktima, që ia kanë bërë së pari vetë PS-së dhe shumicës së shqiptarëve, shpreh shumë më tepër se sa vetëverbërim, vetëshurdhim, vetëskllavërim politik, varfëri formimi arsimor, kulturor, emancipimi qytetar dhe demokratik… Nuk mund t’i ndalohet shumëkujt e drejta të mendojë se ky kontingjent “rilindasish” arrijnë deri në atë shkallë të lartë individualizmi dhe cinizmi, sa të thonë me vete apo edhe hapur: “tymi i oxhakut tim të ngrihet lirisht përpjetë, pa shtëpive të tjera përreth u rëntë zjarri!”. Por, paralelisht me shtimin e skandaleve, dështimeve e të rreziqeve nga “rilindja”, në gjirin e “ushtrisë së socialistëve të vërtetë”, sidomos të intelektualëve elitarë, po bëhet gjithnjë e më masive dhe e dukshme, burim optimizmi, shprese dhe besimi, dukuria e zhgënjimit, pakënaqësisë, kundërvënies dhe braktisjes së Edi Ramës me shokë e shoqe. Gjithsesi, me të mirat dhe të këqijat, me meritat dhe turpet, me sukseset dhe dështimet, me tjetërsimin e fortë gjatë rreth 14 viteve të drejtimit të saj nga Edi Rama, padyshim, Partia Socialiste e Shqipërisë, është vlerë dhe pasuri kombëtare. Ajo përbën një nga shtyllat kryesore të këtij sistemi politik, ekonomik, juridik, social… që “kemi zgjedhur” pas 22 marsit 1992, që për mua, jo rastësisht, jo nga mungesa e përvojës, na u servir jo sipas recetave më të mira të vendeve të Evropës Perëndimore dhe veriore, nga SHBA-të, Kanadaja, por si një çorbë allalindore, allaballkanike, allashqiptare, duke mbetur një sistem as 50% kapitalist dhe demokratik në standardet më të përparuara të Perëndimit. PS-së mund dhe do t’i rritet edhe më shumë vlera në qoftë se më 30 qershor shmang skandalin apo turpërimin e ri, të radhës, distancohet nga sekti sororosian e mafioz “Rilindja”, duke e lënë Edi Ramën me shokë e shoqe, me kandidatët e tyre dhe “kundërshtarët” e sajuar, të vetëm apo me soin dhe sorrollopin e vet, në qendrat dhe kutitë e votimit… Nëse PS-ja e vërtetë, me aq sa ka mbetur “e parilindur”, nuk ka përgjegjshmërinë dhe vendosmërinë ta bëjë këtë, do të mbetet përpara historisë bashkëfajtore dhe do t’u shtojë “vepra të reja” turpëruese dhe penalizuese arkivit 78-vjeçar të së majtës. Kur të vijë dita që historianët e sotëm dhe të nesërm, skrupulozë, objektivë dhe jo partiakë, si shumica e akademikëve nën udhëheqjen e Skënder Gjinushit, do të bëjnë studime dhe analiza të thella e serioze, ka më shumë të ngjarë që t’u dalë se dosjet me gabime, krime, eksperimente me rrjedhoja katastrofike, me gjëma ndaj popullit dhe vendit, janë ndjeshëm më të shumta se sa ato të punëve të mira, meritave, sukseseve, përparimeve… Mjafton t’i referohemi vetëm faktit se “e majta” e mori qeverisjen e Shqipërisë, me pasuri të shumta nën e mbitokësore, më 29 nëntor 1944, kur ishte e fundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekonomik e të mirëqenies dhe e ka sjellë, duke “marshuar nga fitorja në fitore”, edhe sot, më 12 qershor 2019, pra pas rreth 75 vjetësh, po të fundit në Evropë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.