AKTUALITET

Seanca për pajtim, por në gjykatë plas sherri/ Tufa: Kërkoni falje

14:36 - 12.06.19 gsh
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Seanca për pajtim mes drejtuesit të Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agron Tufës, dhe Spartak Brahos, Arben Dukës, Sabit Brokajt, Fatos Tarifës e Shaqir Vukajt dështoi.




Këta të fundit janë paditur për shpifje nga Tufa, ndërsa Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë në themel padinë, pasi askush nuk pranoi të kërkonte falje, pavarësisht se të gjithë folën për faljen. Gjatë seancës së djeshme, gjyqtari Besnik Hoxha bëri të ditur se ishin në një seancë ndërmjetësimi dhe pyeti Tufën nëse ishte i gatshëm të pajtohej.

Drejtuesi i ISKK-së tha se ishte dakord me pajtimin, por me një kusht, që të akuzuarit nga ana e tij për shpifje të kërkonin falje publike për të gjitha deklarimet e bëra. Duke pretenduar se për një kohë rreth 1 muaj ai ishte fyer dhe ndaj tij ishte shpifur përditë, Tufa tha se vetëm me ndjesë publike mund të mbyllej. Ndërkohë, sa i takon kërkesës që të akuzuarit të kërkonin ndjesë, deputeti Spartak Braho iu përgjigj duke thënë se e falte Tufën dhe ishte i gatshëm për pajtim. Kësaj fjalie iu përgjigj drejtori i ISKK, i cili tha se “Falja ishte gjë e mirë, por fal i dëmtuari”.

Me zgjidhjen e padisë me pajtim ishte edhe avokati i 4 të akuzuarve, Ardian Visha. Ky i fundit tha dje se, me aq sa kishte lexuar padinë, e shikonte situatën si të krijuar nga këndvështrime të ndryshme të historisë dhe nuk kishte materie për çështje penale. “Mendoj se kjo situatë e krijuar ka të bëjë më shumë me këndvështrime të ndryshme të historisë së këtij vendi.

Në këtë përplasje të mendimeve dhe ndjenjave unë nuk gjej vend që të kemi këtë proces gjyqësor. Unë inkurajoj pajtimin, pasi denoncimi nuk ka materie për çështje penale”, tha avokati Ardian Visha.

Në përfundim të pretendimeve të të gjitha palëve nuk u pranua kërkesa e Tufës për të kërkuar ndjesë nga ana e të akuzuarve, duke bërë që Gjykata të kalojë çështjen në gjykim.

DEBATI NË GJYKATË

Agron Tufa: Nuk kam asgjë me pajtimin, por unë kam një kusht për padinë. Për të gjitha shpifjet e bëra ndaj meje, dua që të kërkohet falje publike. Dua të kërkohet ndjesë nga institucionet dhe media ku është bërë. Unë e lë këtë shteg hapur.

Spartak Braho: Unë nuk jam kundër pajtimit dhe dua të them se e fal Agron Tufën për shpifjet dhe drejtimin e gabuar të institucionit. Agron Tufa: Falja është një gjë e mirë, por fal i dëmtuari. Sepse u tha nga i nderuari Braho që më fal. Falja duhet të bëhet nga akuzuesit për shpifjet që janë bërë ndaj meje. Unë mbroj emrin tim të ngritur nga edukata familjare dhe shoqërore.

Arben Duka: Unë jam ndjerë i surprizuar nga padia e ngritur ndaj meje, nuk e prisja një gjë të tillë. Unë kam shkruar në shumës në të gjitha krijimet e mia dhe nuk kam asgjë personale me zotin Tufa. E them këtu se nuk kam zënë asnjëherë në gojë emrin e tij dhe u jam drejtuar disa personave, duke iu referuar situatës së krijuar në drejtimin e Institutit. Unë nuk kam pse të kërkojë falje dhe të jap falje. Unë nuk kam pasur qëllim të fyej askënd, por këta i janë kundërvënë historisë.

Fatos Tarifa: Unë jam studiues dhe sociolog, ato çfarë kam shkruar janë koncepte sociologjike dhe janë bërë në kuadrin e një debati publik që mban gjallë shoqëritë në të gjithë botën. Nuk kam asgjë me pajtimin dhe mendoj të zgjidhet kështu, por unë nuk kam pse të kërkoj falje, nuk tërhiqem nga ato çfarë kam shkruar dhe ato që i kam bindje.

Shaqir Vukaj: Unë nuk e di pse jam paditur, pasi shkrimi i publikuar në gazetë nuk është i imi, por i shoqatës, pjesë e së cilës jam edhe unë. Në këtë shkrim vetë gazeta ka vendosur foton time, por shkrimi përfaqëson mendimin e shumë personave. Nuk e di kë ka paditur, mua apo shoqatën.

Agron Tufa: Desha të risjell në vëmendje se artikujt ndaj meje kanë qenë të shumtë dhe shpifjet ndaj meje kanë vazhduar për 33 ditë me radhë. Ndaj meje janë bërë fyerje me karakter racist, më kanë konsideruar fashist dhe me natyrë përçarëse. E them edhe një herë që jam dakord me pajtimin, por duhet të më kërkohet ndjesë publike për fyerjet e bëra./ Panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.