Kryesore

“Luarasi”, bursa e trajnime për studentët në universitetet europiane

11:35 - 13.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Shkëmbimet akademike dhe mundësitë për studim apo trajnim jashtë vendit janë ndër synimet kryesore të universitetit “Luarasi” në rrugën drejt ndërkombëtarizimit. Tre studentët e Fakultetit Ekonomik, Renis Vangjelaj, Realb Taka dhe Ergys Basha ishin të parët që provuan këtë eksperiencë të vlefshme për të ardhmen e tyre profesionale. Për një semestër ata ndoqën studimet në universitetin Sehir në Stamboll të Turqisë e përfaqësuan me rezultate të shkëlqyera vendin e origjinës.




Bashkëpunimi
Rektori i univeritetit, prof. dr Ethem Ruka vlerësoi bashkëpunimin me universitet e huaja dhe theksoi se po punohet intensivisht për të fuqizuar partneritetin ndërkombëtar. “Luarasi” iu jep një rëndësi të veçantë marrëdhënieve ndërkombëtare, pra të bashkëpunimit të ‘Luarasit’ me institucione të tjera analoge jashtë vendit nga i cili duhet të përitojnë studentët dhe pedagogët. Ne kemi punuar intensivisht për të siguruar lidhje me një sërë universitetesh në hapësirën evropiane. Studentët në të gjithë botën bashkohen përmes programit Erasmus plus, shkëmbejnë përvojat e tyre, njihen. E rëndësishme është që tre studentët e ‘Luarasit’ janë dalluar dhe kanë marrë rezultate të shkëlqyera në raport me të gjithë studentët e tjerë”,-tha Ruka.

Bursa në Turqi
Vetë studentët Renis Vangjelaj, Realb Taka dhe Ergys Basha që për një semestër ndoqën studimet në universitetin Sehir në Stamboll të Turqisë falenderuan universitetin e stafin akademik për mundësinë e dhënë dhe iu bënë thirrje të gjithë të interesuarve që të aplikojnë në programin Erasmus Plus. “Duhet të falenderojmë Shkollën dhe gjithë pedagogët me radhë, të cilët ishin një mbështetje shumë e madhe për ne e na orientuan në çdo hap”,tha studenti. Ndërkohë kreu i Këshillit Studentor ën “Luarasi” Renis Vangjelaj tha se rezultatet e larta në universitetin turk u arritën edhe falë cilësisë së mësimdhënies në KUL. “Kaluam shumë mirë duke marrë parasysh që ne dolëm me rezultate shumë të larta, kjo nënkupton cilësinë e lartë të mëdsimdhënies te ‘Luarasi'”,-tha Vangjelaj. Sakaq Basha iu sugjeroi të gjithë studentëve që të provojnë një eksperiencë të tillë nëpërmjet programit Erasmus Plus. “Ia sugjeroj çdo studenti të aplikojë për Erasmus plus. Kur ata të diplomohen, e kanë shumë të thjeshtë të aplikojnë për punë”,-u shpreh studenti i Ekonomikut.

Shkolla verore
Një tjetër mundësi do të ofrohet për studentët ekselentë të secilit fakultet në Luarasi. Përkatësisht Amanda Hodaj, Rei Bengu dhe Bernarda Islamaj do të ndjekin një shkollë verore në Rumani. “Këtë e shoh si një eksperiencë shumë të mirë, e cila do më ndihmojë shumë në të ardhmën time akademike. Në momentin që ne shkojmë në një universitet të huaj me studentë të tjerë internacionalë, ne nuk jemi thjesht studentë, por ambasadorë të vendit tonë”,-tha studenti i Tekonologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. E të njëjtit mendim është edhe Amanda. “Do të jetë patjetër një eksperiencë e vlefshme jo vetëm për mua, por dhe për grupin. Do të kemi mundësi të njohim dhe të shprehim veten”.

Bursa në Kinë
Studentja e vitit të parë në degën Informatikë Ekononike, Enriketa Qallija tregon se mes dilemës për të studiuar në shtet apo privat, ajo zgjodhi “Luarasin”. Pas rezultateve të larta që arriti në semestrin e parë, vetë universiteti i ofroi bursë të plotë në Kinë. “Mbarova semestrin e parë në ‘Luarasi’ ,me rezultate shumë të mira dhe nisur nga drejtuesit e institucionit por dhe stafit pedagogjik më është ofruar një bursë shkollimi nga ambasada e Kinës.”,-tha Qallija. Aktualisht është rritur gama e universiteteve partnere por vitin e ardhshëm synohet dyfishimi i numrit të universiteteve të huaja bashkëpunuese. Kështu studentët e interesuar mund të aplikojnë për të përfituar bursa studimi në Gjermani, Itali, Austri, Turqi, Sllovaki, Polani dhe Çeki duke shkuar kështu drejt ndërkombëtarizimit të Luarasit.

Erasmus plus
Zyra Shqiptare Erasmus+ funksion në mënyrë autonome, duke përfaqësuar interesat e Komisionit Evropian dhe përbën një qendër reference për të gjithë aktorët e arsimit të lartë, aplikantët e mundshëm, përfituesit dhe të gjithë të interesuarit e tjerë në lidhje me aktivitetet e Erasmus+ në fushën e Arsimit të Lartë. Funksionimi saj mbështetet nga Agjencia Ekzekutive për Arsimin, Kulturën dhe Mediat Audiovizuale (EACEA). Zyra Erasmus+ luan një rol të rëndësishëm në promovimin dhe këshillimin për aplikime në kuadër të programit Erasmus+. Ky i fundit ushtron, ndër të tjera, këto funksione: përpunon, promovon dhe shpërndan në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL) informacionin dhe dokumentacionin e Programit Erasmus+;
Këshillon, informon dhe ndihmon të gjithë personat e interesuar se si të aplikojnë në projektet Erasmus+; kryen monitorimin e zbatimit të projekteve Tempus, të cilët nuk kanë përfunduar ende; mbështet dhe koordinon aktivitetet e grupit kombëtar të Ekspertëve për Reformat e Arsimit të Lartë, HERE (Higher Education Reform Experts), të cilët kanë rol këshillues dhe mbështetës për arritjen e objektivave të programit Erasmus+.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.