KULTURË

1920/ Zbulohet letra e Aqif Pashë Elbasanit: Shqipnija kërkon flina të mëdha

18:30 - 14.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli –  Bido: Gjoba drejtorëve, nëse nuk dorëzojnë dokumentet e paravitit 1945 – Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave mbledh 5000 dokumente me rëndësi kombëtare




Ju falem nderit për gëzimet e urimet për detyrën e randë që më ngarkoi Kongresi Kombëtar. Shpresoj të dalim faqebardhë në këtë vepër të madhërishme të kombit shqiptar që lyp të drejtat e veta të rrojë i lirë e indipenedent.

Shqipnija kërkon flina të mëdha të ec lart, do të i bajmë kajd e saj si… jemi udhëheqës të vërtetë.

Lushnjë, 4. 2. 1920.

Me nderimë prej Këshillës së Naltë

Aqif Pasha.

Më 1920, i zgjedhur nga Bashkia e Peqinit, Aqif pashë Elbasani përfaqësoi kazanë e Peqinit si delegat në Kongresin e Lushnjës, ku emërohet kryetar dhe me vendosjen e rendit të Regjencës, emërohet si një nga anëtarët e Këshillit të Naltë duke përfaqësuar elementin bektashi.

Kjo letër e tij nuk njihej deri tani. E megjithatë, për kohën kur u shkrua merr rëndësi. Ajo u prezantua dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në një konferencë për mediat ku u tha se do t’u vihet gjobë drejtorëve nëse nuk dorëzojnë dokumentet e paravitit 1945. Drejtori i DPA-së, Ardit Bido bëri me dije se muajt e fundit janë mbledhur rreth 5000 dokumente me rëndësi historike kombëtare.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, gjatë inspektimeve në institucione të ndryshme të vendit, ka vërejtur se në kundërshtim me ligjin “Për Arkivat”, muzeume, shkolla dhe institucione të tjera, mbajnë jashtë çdo kriteri teknik dokumente të para vitit 1945.

Sipas drejtorit të DPA-së, ligji i arkivave përcakton qartë se: “Arkivi Qendror Shtetëror ruan, përpunon, administron dhe shërben:

  1. a) dokumentet që janë trashëguar nga shteti shqiptar nga periudha parashtetërore; b) dokumentet që janë krijuar nga institucionet qendrore e vendore të administratës shtetërore deri në vitin 1944.

Në këtë kuadër, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka grumbulluar gjatë dy muajve të fundit, më shumë se 5000 dokumente me Rëndësi Historike Kombëtare, para vitit 1945.

Ndër to mund të përmendim dokumente greqisht dhe osmanisht të shek. XIX dhe fillim shek.XX,

-Dokumente të Institutit “Nana Mbretreshë“ Tiranë të vitit 1933 e në vijim.

-Dokumente të Institutit Bujqësor në Kavajë te viteve 1939-1943.

-Të shkollës fillore femërore në Berat te vitit 1927.

-Amza të shkollave të ndryshme.

-Letra e Aqif Pashë Elbasanit 1920.

-Diplomë e vitit 1916, etj.

Këto dokumente do t’u ofrohen studiuesve në kohë shumë të shkurtër, pas përpunimit të tyre. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave u bën apel të gjitha institucioneve shtetërore që mbajnë dokumente të këtij lloji dhe që ende nuk janë inspektuar nga DPA, t’i dorëzojnë ato sa më shpejt, sipas ligjit. Në të kundërt, do të merren masat përkatëse administrative ndaj titullarëve dhe punonjësve të sekretari-arkivave të këtyre institucioneve.

KUSH ISHTE AQIF PASHË ELBASANI
Aqif Pashë Elbasani lindi në Elbasan më 20 mars të vitit 1860 në familjen e Biçakçinjve. Biçakçinjtë takohen për herë të parë në dokumentet arkivore në fillimet e shek. XV. Ishte një nga familjet më të mëdha çifligare në trevën e Elbasanit dhe të tërë Shqipërisë. Shumë pinjollë të derës së Biçakçinjve gjatë zotërimit të Perandorisë Osmane kanë mbajtur tituj dhe ofiqe të larta si: Sinan Pashë Biçaku, gjeneral i perandorisë, Sinan bej Biçaku, kryekomandant, Seit Pasha, mësues i oborrit, Selim Beu, guvernator në Egjipt, Ibrahim Biçaku, vezir, Dervish bej Biçaku, sundimtar i Elbasanit, Mahmut Pasha, prefekt i Elbasanit, babai i Aqif Pashës, e shumë të tjerë… Dera e Biçakçinjve mbahej për fëmijë të ditur dhe të shkolluar. Aqif Pasha, pasi mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, studimet e larta i kreu në Stamboll. Atje ai u lidh që në fillim me qarqet patriotike shqiptare. Pas fitores së Revolucionit Xhonturk u bë kryetar i klubit atdhetar të shqiptarëve “Bashkimi”. Merr pjesë në Kongresin e Dibrës, në korrik 1909 dhe më vonë në Kongresin Arsimor të Elbasanit, shtator 1909. Së bashku me bashkëpatriotë të tjerë elbasanas kontribuuan në hapjen e Shkollës Normale, në dhjetor të vitit 1909. Aqif pashë Elbasani u bë kontribuuesi kryesor në organizimin e kryengritjes së përgjithshme për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke u vënë pa asnjë hezitim në krah të Ismail Qemalit. Ai miratoi që në fillim, pa asnjë mëdyshje, në unitet të plotë, planin për organizmin e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të organizimit të shtetit të ri shqiptar. Më 25 nëntor, Aqif Pashë Elbasani, bashkë me patriotët Lef Nosi, Qemal Karaosmani, E. Jorgaqi, F. Papajani e të tjerë, ngriti flamurin në qytetin e Elbasanit, duke shpallur pavarësinë dhe duke i treguar pushtuesve serbë “se kishin shkelur në viset e Shqipërisë së pavarur”. Aqif Pashë Elbasani është bërë i njohur si besnik i qeverisë së Vlorës dhe i Ismail Qemalit veçanërisht. Ai kreu shumë detyra në këtë qeveri, duke dëshmuar përkushtim atdhetar, por më së shumti kontribuoi në ngritjen e institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri, të cilat nuk mbështeteshin në kurrfarë baze shkencore. Ai e përjetoi me dhimbje ndarjen e trojeve shqiptare dhe nuk u kursye për t’iu kundërvënë armiqve të kohës. Veçanërisht në Elbasan, në vitin 1913, udhëhoqi protestat kundër copëtimit të trojeve etnike. Mbështeti Princ Vidin dhe së bashku me Luigj Gurakuqin, Pecin, Hil Mosin… krijuan Komitetin Kombëtar për t’i shërbyer çështjes kombëtare, me platformë të qartë dhe të mirorganizuar. Nuk pranoi të merrte pjesë në Kongresin e Durrësit. Aqif Pashë Elbasani mori pjesë dhe ishte organizator i Kongresit të Lushnjës më 1920 dhe për merita të padiskutueshme, u zgjodh njëzëri kryetar i tij. Është autor i telegramit të famshëm dërguar Fan Nolit, në 1920, ku e ftonte atë dhe të gjithë patriotët e tjerë shqiptarë në Amerikë, të mendonin, bashkëpunonin dhe të vepronin për një Shqipëri të bashkuar. Në vitin 1922, Aqif Pasha largohet nga Shqipëria për në Austri për shkaqe aspak personale, por si emigrant politik, duke krijuar partinë kombëtare me program kryekëput liberalo-demokrat. Në vitin 1923, grupi i Fan Nolit e propozoi deputet në Asamblenë Kombëtare për Korçën, ku edhe fitoi. Ai kthehet në atdhe në vitin 1924, merr pjesë në disa mbledhje të Asamblesë Kombëtare, punon për bashkimin e elementëve liberalë-demokratë dhe më vonë, për arsye shëndetësore, tërhiqet nga jeta politike. Aqif pashë Elbasani vdes në Elbasanin e tij që e deshi aq shumë, më 20 shkurt të vitit 1926 dhe përcillet në banesën e fundit me shumë nderime. Ai kujtohet si një atdhetar i madh, politikan i ndershëm dhe me vizion krejtësisht evropian. Burrë shteti, i cili u vlerësua sa qe gjallë, por edhe më pas.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.