BLUETOOTH

Alma Çelaj: Jam në luftë me kohën, si i kam njohur VIP-at në emisionin tim

17:13 - 14.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali– Më datë 7 qershor në Pallatin e Brigadave u mbajt për herë të parë “Albanian Fashion Awards”, organizuar nga “Scan Media Group”. Nën moderimin e Alma Çelajt dhe Erald Farrukut, ky event ishte mirorganizuar deri në detaje. Po çfarë është ky kompeticion mode? Një mbrëmjen që bëri bashkë stilistë nga Shqipëria e Kosova, të cilët punuan intensivisht për disa muaj që të sillnin koleksionet e tyre. Vlerësimet në këtë event u bënë nga emra të mëdhenj të modës si Mirela Nurçe, Ardi Asllani, Anila Zajmi Katanolli dhe Petrit Kaceli. U ndanë 10 trofe, të cilët finalizuan punë e madhe të stilistëve. Për të na folur më gjatë rreth këtij eventi ne kemi bërë pjesë të intervistës sona Alma Çelaj, që është dhe prezantuesja e organizimit të madh. Për “Gazeta Shqiptare”, moderatorja na zbulon të fshehtat e punës, momentet e bashkëprezantimit me Eraldin dhe copëza nga jeta përtej ekranit. Alma thotë se nuk e pati të vështirë të ishte prezantuese, duke qenë se eksperienca që ka me emisionin e modës e ka diktuar në rrugën e suksesit. Çdo gjë e mirë vjen nga fryma në grup dhe bashkëpunimi. Nuk pati asnjë hatërmbetje sa u përket çmimeve që u shpërndanë. Të gjithë morën atë që meritonin. E teksa na tregon për emisionin në TV “Scan”, Alma ndan me ne edhe personazhin më me kompleks në radhët e VIP-ave dhe natyrisht më të thjeshtën, që sipas saj është Zaimina Vasjari. Më tej, kur heq petkun e personazhit publik, Çelaj nuk harron të jetë vajza e thjeshtë që di t’i bëjë të gjitha. E përkushtuar pas familjes dhe miqve, ajo ka qenë kurdoherë aty kur u duhej personave të shtrenjtë. Alma është vajza solare e ekranit dhe e personave që e njohin nga afër. Mesa duket, vera do jetë e ngarkuar e moderatorja kohën e relaksit do ia kushtojë familjes.
U mbajt për herë të parë në vend “Albanian Fashion Awards”, si lindi ideja?
Ideja nisi nga formati “Si të vishemi”, që e moderoj bashkë me kolegun tim, Erald Farrukun. Vendosëm që në mbyllje të sezonit të kishim një “fashion show” që do të bënte bashkë jo pak, por 10 stilistë nga Shqipëria e Kosova. Fatmirësisht ia dolëm me sukses, pasi komentet dhe mesazhet ishin të panumërta.
Çfarë të veçante pati ky kompeticion që lidhej me modën?
Pikërisht grumbullimi i 10 stilistëve shumë të talentuar, të cilët prezantuan koleksionet e tyre në një mbrëmje të vetme. “Albanian Fashion Awards” unë e quaj ndryshe pagëzimi i modës shqiptare në një natë. Vërtetë mbrëmja e 7 qershorit në Pallatin e Brigadave finalizoi eventin, por dua të theksoj punën e kahershme të 10 stilistëve, markave dhe prestarëve, të cilët i krijuan koleksionet e tyre gjatë disa muajve për të sjellë tek ne më të mirën e tyre.
Sa e vështirë ishte të prezantoje një organizim aq të madh?
Puna shpërblehet gjithmonë. Unë besoj shumë te kjo shprehje, por ishte e vështirë sepse evente të kësaj natyre kërkojnë një koordinim shumë të saktë dhe staf që ta dojë sa ne punën që po bën. Përsa i përket prezantimit, i cili prej 3 vitesh është bërë i domosdoshëm, si frymëmarrje për mua, di të them që nuk ishte i vështirë. Unë njihesha mirë me eventin, e kisha ndjekur në çdo detaj dhe kur erdhi momenti i bukur para publikut, isha gati të prezantoja para të ftuarve gjithçka kishim përgatitur për ata.
Momenti më i sikletshëm gjatë moderimit, për të cilin ke qeshur me Eraldin?
Ky projekt ka pasur shumë momente emocionuese dhe më bëhet qejfi që nuk më pyete për ato të vështirat. Është e vërtetë që kemi qeshur shumë gjatë këtij eventi, pasi situatat kanë ardhur të tilla. Po të rrëfej vetëm një. Ishte një ndër ditët e provave, ku në televizion ne prisnim modelët dhe realizonim prova për gjithë eventin. Mbaj mend që në një moment u mendua të kishim dalje teke në skenë. Del Eraldi dhe nis të lexojë tekstin e tij dhe ishte momenti i parë që e merr në dorë skenarin. Gjatë interpretimit mbetet te fjala “stil controversial”, sepse e lexon ndryshe dhe kthehet nga ne e pyet “kush e ka shkruar këtë?”. Qeshëm të gjithë dhe ai emërtim u hoq nga skenari më pas.
Pati hatërmbetje për çmimet?
Aspak në fakt. Jemi habitur nga gjithë dashamirësia që kanë treguar me njëri-tjetrin të gjithë konkurrentët dhe sesa profesionistë janë treguar për të finalizuar punimet e tyre në mbrëmjen e madhe. Dua të përmend që trofetë ishin vlerësime më tepër sesa çmime dhe të gjithë morën në fund atë për të cilën kishin punuar.
Përtej eventit, ka kohë që prezanton një emision në lidhje me modën në TV “Scan”. Cili nga personazhet e ftuar ka pasur më shumë komplekse? Po më i thjeshti, kush ka qenë?
Po, u bë viti im i dytë si moderatore e formatit të modës në televizionin “Scan” dhe puna më ka bërë të ndeshem me shumë figura publike, që i kam njohur dhe pa “petkun” e VIP-it. Personazhi më me komplekse ka qenë një ndër të ftuarat e mia në vitin tim të parë të punës si moderatore e emisionit tim. Ajo (sepse nuk dua t’ia zbuloj emrin) është edhe vetë moderatore, por në emision shfaqi një anë jo të mirë të vetes. Pati tepër komplekse me kamerat dhe me faktin që unë isha shumë më e gjatë se ajo dhe kjo e shqetësonte. Ndërkohë një mikeshë e mirë dhe një personazh fantastik, të cilin e kam njohur këtë vit është Zaimina Vasjari. Di të them që Zaimina nuk është një artiste si gjithë të tjerat, por shumë më tepër. Modeste, e dashur dhe e thjeshtë dhe emisioni bashkë me Eraldin doli një mrekulli.
Si është Alma përtej
ekranit?
E vështirë gjithmonë të flasësh për veten. Alma përtej ekranit është një njeri i zakonshëm si gjithë të tjerët, që përpiqet të jetë një partnere e mirë, një shoqe e mirë, një bijë e mirë. Gjithmonë në luftë me kohën për të përmbushur çdo objektiv që i ka vënë vetes. Ah po, Alma përtej ekranit është fanse e çmendur e “Netflix”.
Një detaj që nuk e ke bërë publik?
Një detaj që nuk është bërë ende publik do të vazhdojë edhe për pak të jetë sekret. Pa mister, asgjë s’do të ishte më interesante.
Për çfarë nuk kursehesh kurrë?
Për mirësjellje. Askujt nga ne nuk i kushton gjë të thotë “më fal, faleminderit, mirëmëngjesi’ etj. Sikur të buzëqeshnim pak më tepër, bota do të ishte më e bukur. Nuk mundemi t’i zgjidhim hallet askujt, por mundemi t’i japim dashuri, respekt dhe mirënjohje kujtdo që e ndiejmë.
Ka nisur zyrtarisht sezoni veror. I ke
planifikuar pushimet?
Jo ende, pasi mund të angazhohem në ndonjë projekt pune edhe këtë vit. Por di të them që qoftë edhe pak ditë do t’ia kushtoj vetes familjes sime. Detyrimet e para i kemi ndaj atyre që shohim shumë pak gjatë gjithë vitit, e që në rastin tim është familja.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.