Kryesore

Video/ Basha: Rama ka plan diabolik, ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta

11:46 - 14.06.19 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryedemokrati Basha, ka dalë në një deklaratë për mediat ku denoncoi urdhrin për ndalimin e dhjetëra anëtarëve e mbështetësve të PD në Elbasan e Librazhd, si dhe arrestimin disa drejtuesve të kësaj force.




Në mesin e protestuesve të cilët u grumbulluan për t’i bllokuar rrugën kryeministrit Edi Rama për të shkuar në takimin e radhës elektoral, që u arrestuan janë dy drejtuesit e Partisë Demokratike të Librazhdit, Kryetari, zotin Bujar Vreto dhe Sekretari Erlind Gurra, dy drejtuesit e PD-së Prrenjas, Kryetari Arjan Karriqi dhe Sekretari Leonard Ozuni,  ish-deputeti dhe ish-kryetari i PD-së Elbasan, zotin Aurel Bylykbashi, si dhe dy mbështetës së Partisë Demokratike Dashamir Boja nga Gostima dhe Bujar Kllojku nga Librazhdi.

Duke deklaruar se Rama ka vënë nën kontroll të gjitha pushtetet dhe po i përdor ato si vegla për të ushtruar dhunë, Basha u bëri thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjejnë veten njerëz të ligjit dhe të rendit të mos u binden urdhrave politikë dhe të paligjshëm të kryeministrit.

Basha theksoi se në “planin diabolik” të tij, Rama ndihmohet nga Arta Marku dhe Sandër Lleshi. “Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumenta të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës”, deklaroi Basha.

Fjala e plotë e kreut të PD, Lulzim Basha: 

Dje gjatë mbrëmjes dhe vonë gjatë natës policia politike e Edi Ramës ka ndaluar dhjetëra anëtarë dhe mbështetës së Partisë Demokratike në Elbasan dhe Librazhd dhe ka arrestuar:

− dy drejtuesit e Partisë Demokratike të Librazhdit, Kryetarin, zotin Bujar Vreto dhe Sekretarin zotin Erlind Gurra;

− dy drejtuesit e PD-së Prrenjas, Kryetarin zotin Arjan Karriqi dhe Sekretarin zotin
Leonard Ozuni;

− ish-deputetin dhe ish-kryetarin e PD-së Elbasan, zotin Aurel Bylykbashi;

− si dhe dy mbështetës së Partisë Demokratike Dashamir Boja nga Gostima dhe Bujar Kllojku nga Librazhdi.

Këto veprime janë raprezalje të hapura politike ndaj kundështarëve politikë dhe qytetarëve që protestojnë kundër regjimit të Edi Ramës.

Ato vinë mbas ndalimit të rreth 500 anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike gjatë pesë muajve të fundit. Ndërkohë mbi 50 mbështetës dhe anëtarë të Partisë Demokratike mbahen në arrest në burgje.

Qindra qytetarë të tjerë që kanë protestuar kundër qeverisë nga Kukësi në Shkozë, tek Unaza e Re dhe kudo në Shqipëri janë ndaluar, keqtrajtuar, rrahur, dhunuar dhe arrestuar në mënyrë të paligjshme këto muajt e fundit.

Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian.

Ndërkohë sistemi i drejtësisë është shpartalluar. Parlamenti është shpartalluar. Administrata publike është militantizuar në ekstrem.

Tashmë nuk ka më asnjë iluzion. Edi Rama ka vendosur në Shqipëri një pushtet autokratik, jashtë Kushtetutës dhe të kundraligjshëm.

Pasi vuri nën kontroll të gjitha pushtetet, tani ai po i përdor ato si vegla për të ushtruar dhunë, përndjekur dhe kërcënuar çdo kundërshtar dhe kritik të regjimit të tij.
Raprezaljet e fundit politike të Edi Ramës kanë një qëllim të qarta politik:

Të intimidojnë opozitën dhe qytetarët për t’u tërhequr nga beteja jonë kundër regjimit të tij kriminal.

Është plani diabolik i një njeriu në panik total për humbjen e pushtetit. Është rruga pa krye që po e çon Ramën drejt greminës, ku kerkon të tërheqë me vetetë gjithë Shqipërinë.

Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumenta të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës.

U bëj thirrje policëve dhe prokurorëve që e ndjejnë veten njerëz të ligjit dhe të rendit të mos u binden urdhrave politikë dhe të paligjshëm të autokratit të korruptuar dhe të inkriminuar Edi Rama dhe të veglave të tij.

Askush të mos ketë dyshimin më të vogël:

Këto akte represive për t’u mbyllur gojën dhe goditur kundërshtarët politikë thjesht po thellojnë me shpejtësi gropën, ku ka rënë Edi Rama.

Ato e bëjnë të pashmangshëm dhe të shpejtë fundin e tij të keq, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij, pa asnjë përjashtim, nga kriminelët e bandave deri tek policët dhe prokurorët e kriminalizuar që i shërbejnë Edi Ramës.
Asgjë dhe askush nuk e ndal betejën tonë për Shqipërinë si gjithë Europa.
Asnjë hap pas, deri në triumfin e demokracisë mbi narkoshtetin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.