AKTUALITET

Kadastra/ Frroku: Të gjitha pasuritë pas martese do vendosen me dy emra

20:00 - 14.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Agjencia Shtetërore e Kadastrës shpjegon procedurat që duhet të ndjekin personat që kanë blerë ose ndërtuar shtëpi pas martesës, por prona është regjistruar vetëm në emër të bashkëshortit për të marrë bashkëpronësinë. Të gjithë ata bashkëshortë që e kanë blerë apo ndërtuar banesën pas martese tashmë do të kenë mundësi të kenë bashkëpronësi, në rastet kur në certifikatë është emri i vetëm njërit prej tyre.




Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nxjerrë një urdhër, i cili ka hyrë në fuqi dhe parashikon që t’i japë të drejtën, duke mos u kërkuar asnjë pagesë shtesë. Tashmë qytetarët duhet që të aplikojnë pranë zyrave të Agjencisë së Kadastrës për të përfituar. Kadastrat do të nisin korrigjimin certifikatave të pasurive, duke u dhënë të drejtën bashkëshortëve të jenë bashkëpronarë në pasuritë e krijuara pas lidhjes së martesave. Për këtë qëllim është miratuar një urdhër i posaçëm që do të krijojë mundësinë e korrigjimit të gabimeve.

Në një prononcim për mediat Eglantina Frroku shpjegon procedurën që duhet të ndjekin qytetarët për korrigjimin e kartelave të pasurisë “Kërkesën për korrigjimin e kartelës së pasurisë dhe më pas drejtoritë vendore të agjencisë shtetërore të kadastrës kanë marrë masa për të konstatuar këto pasuri nëse janë pjesë të pasurive martesore ose jo. Korrigjimi i kartelës së pasurisë nuk bëhet në rastet kur me pasurinë është kryer transaksion, kur ka kaluar në pronësi të tretëve si dhe kur është pasuri e familjes bujqësore”-thotë Frroku. Ajo ka shpjeguar se si do zbatohet udhëzimi për korrigjimin e kartelave të pasurisë. “Urdhri ka për qëllimi korrigjimin e kartelave të pasurisë për pasuritë e paluajtshme që janë përfituar gjatë regjimit martesor sipas dispozitave të kodit të familjes, por në kartelat e pasurisë është regjistruar vetëm një nga bashkëshortët si pronar i kësaj pasurie. Të gjithë të interesuarit tashmë mund të paraqiten pranë sporteleve të Agjencisë së Kadastrës dhe të bëjnë kërkesën dhe nuk do të kenë asnjë tarifë. Ky korrigjim nuk përbën kalim të së drejtës së pronësisë, ndaj nuk i nënshtrohet tatimit të kalimit të pronësisë. Udhëzimi përjashton mundësinë e ndarjes së pasurisë mes bashkëshortëve të krijuara para lidhjes së martesës”-thotë Eglantina Frroku

Regjistrimi
Pasuria e fituar nga individi gjatë martesës, në periudhën nga hyrja në fuqi e Kodit të familjes (2003) e në vazhdim konsiderohet se është në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve, nëse nuk ka një kontratë për regjim tjetër martesor. Konstatimi i bashkëpronësisë së bashkëshortëve (bashkësisë ligjore) bëhet duke u mbështetur në dy elemente: lloji i aktit (dokumentit) të fitimit të pronësisë dhe certifikata e përbërjes familjare, në kohën që përkon me datën e aktit të fitimit të pronësisë (ose certifikata e martesës). Për korrigjimin e kartelave të pronës ndiqen dy mënyra, ose me kërkesën e të interesuarit për të kryer korrigjimin e kartelës së pasurisë, ose gjatë regjistrimit të kontratës së kalimit të pronësisë mbi pasurinë. Urdhrin nr. 1150, datë 3.6.2019, ka për qëllim korrigjimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme në rastet kur, pasuria e paluajtshme, ose pjesa takuese e saj është regjistruar vetëm në emër të njërit bashkëshort, ndërkohë që përfitues të së drejtës së pronësisë janë të dy bashkëshortët, sipas dispozitave të Kodit të Familjes për bashkësinë ligjore, apo të legjislacionit të kohës për bashkëpronësinë mes bashkëshortëve. Procedurat e korrigjimit sipas këtij urdhri iniciohen në një prej mënyrave të përcaktuara në urdhër. E para, është me kërkesën e të interesuarit për të kryer korrigjimin e kartelës së pasurisë dhe e dyta gjatë regjistrimit të kontratës së kalimit të pronësisë mbi pasurinë, ose të aktit të trashëgimisë. Për të korrigjuar kartelat e regjistrit të pasurive të paluajtshme, drejtoritë vendore të ASHK-së konstatojnë nëse pasuria që figuron e regjistruar në kartelë është ose jo pasuri bashkëshortore. Konstatimi i bashkëpronësisë bëhet duke u mbështetur në dispozitat e këtij urdhri dhe në varësi të kohës kur është fituar pasuria (dhe të ligjit të kohës). Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame thotë se ky urdhër nuk zbatohet për: a) të korrigjuar dhe plotësuar kartelat e mëparshme, në rastet kur me pasurinë është kryer transaksion (përveç trashëgimisë); kur pasuria e paluajtshme e regjistruar në favor të vetëm njërit bashkëshort, në vijim u është kaluar në pronësi të tretëve (me përjashtim të kalimit me trashëgimi) dhe ky veprim është regjistruar më parë, drejtoria nuk mund të kryejë korrigjimin e kartelës se pasurisë objekt- kërkese, pa pëlqimin e të tretëve që preken nga ky korrigjim. Subjekti i interesuar mund të kërkojë rregullimin e pasojave vetëm nëse arrihet marrëveshja me të tretët që preken nga ky korrigjim, ose në rrugë gjyqësore. Është kaluar në pronësi të tretëve (me përjashtim të kalimit me trashëgimi) dhe ky veprim është regjistruar më parë, drejtoria nuk mund të kryejë korrigjimin e kartelës se pasurisë objekt kërkese, pa pëlqimin e të tretëve që preken nga ky korrigjim.

Rastet kur korrigjohet kartela e pasurisë

1. Pasuria e fituar nga individi gjatë martesës, në periudhën nga hyrja në fuqi e Kodit të Familjes (2003) e në vazhdim, konsiderohet se është në bashkëpronësi të të dy bashkëshortëve (sipas dispozitave për bashkësinë ligjore), nëse nuk ka një kontratë për regjim tjetër martesor.
2. Konstatimi i bashkëpronësisë së bashkëshortëve (bashkësisë ligjore) bëhet duke u mbështetur në dy elemente: a) lloji i aktit (dokumentit) të fitimit të pronësisë. Konsiderohen prona të të dy bashkëshortëve, ato të fituara gjatë martesës nëpërmjet: I. shitjes; II. shkëmbimit; përjashtim bën rasti kur bashkëshorti ka shkëmbyer një pasuri të paluajtshme që i përkiste vetëm atij (pasuri që ishte fituar para martesës, ose, edhe nëse ishte fituar gjatë martesës, buronte nga dhurimi, trashëgimia në përputhje me nenin 77 të Kodit të Familjes). III. Ligjit të posaçëm, që parashikon përfitimin e pronësisë sipas regjimit të bashkësisë ligjore. b) Certifikata e përbërjes familjare, në kohën që përkon me datën e aktit të fitimit të pronësisë (ose certifikata e martesës). Përjashtimisht, për titujt e pronësisë që burojnë nga legjislacioni “Për legalizimin e ndërtimeve pa leje”, merret për bazë certifikata familjare e momentit të aplikimit për legalizim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.