KULTURË

Kontributet e klerit për kulturën dhe artin

16:50 - 14.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Erjon Papagjoni – Kur u ngritën orkestrat e para në vend dhe kontributi i kishës – Është e padyshimtë se kisha katolike në Shqipëri ka qenë promovuese e fuqishme e kulturës dhe artit para shpalljes së pavarësisë, duke nxitur, përkrahur dhe financuar veprimtari të shumta artistike, sidomos ngritjen e bandave të para muzikore, grupeve të para teatrore, ku fuqia e ndikimit dhe edukimit në publik ishte shumë e madhe. Qarku artistik i Shkodrës u bë epiqendër e këtij misioni fisnik.




Kleri katolik ka meritën se u bë nismëtarja e ngritjes së bandave muzikore në vitet 1878-1909. Në vitin 1876 vjen një e dhënë nga numri përkujtimor “Kongregacioni i Zonjës Nunciate rrokull pesdhet vjetëve”, ku ndër të tjera shkruhet: “I paharrueshmi Atë Gabriel Musati zgjodhi ndër kongreganista nja 20 djelmosha që kishin za e vesh të mirë e në Gusht të vjetës 1876 çeli shkollë muziket për ta, e aq mirë xune me këndue me nota, sa me ba nji kangtori me rregull”.

Ky fakt dëshmon për kujdesin dhe prirjen që kisha katolike kishte në përhapjen e kulturës dhe artit, në këtë mes edhe ngritjen e një orkestre në Shqipëri dhe një kori, sigurisht në shërbim të liturgjive të saj, por njëherazi edhe në dobi të kulturës kombëtare e të muzikës. Është me shumë interes të citohet këtu një fragment nga libri i muzikologut Tonin Zadeja në librin e tij “Jeta kulturore e Shkodrës (mesi i shek.–mesi i shek), në përmbledhjen “Mvsica Albanica, studime dhe dokumente II”, ku del në pah vëmendja dhe përkushtimi i klerit katolik në Shkodër për zhvillimin e muzikës përmes krijimit të orkestrave frymore, bandave dhe koreve.

“Në gusht të vjetës 1877 u ba nji akademi e bukur me orkestër: u muernë tre copa muziket të zgjedhuna. At Luigj Mazza e Karlo Vasiliko i ranë violinave e karnetës nji kongresit tjetër karnetës… Kështu bani dorë së parit orkestra e kongregacionit”.

“Prapë dy herësh tjera kjenë porositë vegla të reja me shumicë… e orkestra e Kongregacionit u plotësue e s’pat çka me dëshirue ma tepër. Ditën e Këshndellave të kësaj vjete (1878), në Meshë të mesditës, trembëdhjetë kjenë kongresistat qi u ranë veglave muzikore”.

Banda qytetase e Shkodrës u ngrit nga misionari françeskan arbëresh, Atë Tom Marozzi, më vitin 1978, i cili pasi bleu në Itali instrumentet muzikore për bandë, solli nga Napoli dirigjentin Giovanni Canale dhe u mundësua që në Krishtlindjet e vitit 1878 të jepej edhe koncerti i parë i saj. Pas Giovanni Canales, bandën muzikore e drejtoi Palok Kurti, i cili ka kontribute të çmuara në ecurinë e saj. Në vitin 1900 autoritetet turke e shpërndanë bandën, pasi e konsideronin si institucion të “dëmshëm” që shkonte përkundër interesave të perandorisë, nënkupto kulturës orientale dhe prapambetjes.

Një nga bandat e mirënjohura të fundshekullit XIX dhe fillim shekullit XX është Banda e Kishës Katedrale, e themeluar në vitin 1898 nga imzot Jak Serreqit, famullitar i qytetit të Shkodrës. Ajo ishte vazhdim e plotësim i bandës së Kongregacionit të Zonjës Nuncianë. Repertori ishte i përzier, ku përfshiheshin një sërë këngësh popullore qytetare si dhe ato atdhetare; po ashtu edhe pjesë të zgjedhura nga repertori klasik i orkestrave frymore. Në vitin 1916 ajo u fut në vartësi të Bashkisë së Shkodrës. Dirigjent i saj qe Frano Ndoja.

“ROZAFAT”, “VLLAZNIA” DHE “BOGDANI”

Në vitet 1918-1919 në Shkodër u krijuan tri shoqëri të mëdha “Rozafat”, “Vllaznia” dhe “Bogdani”, të cilat në përbërje të diletantëve, por edhe në kushtet e promovimit të veprimtarive artistike kulturore, duhet pohuar se kisha katolike e qytetit pati një hapësirë të gjerë ndikimi dhe mbështetjeje. “Rozafat” ishte kryesisht shoqëri muzikore, por përgatiti edhe shfaqje teatri. Ndër to, “Besa” e S. Frashërit, “Bylbyli” në Shkodër e N. Vasisë, Moisi Golemi e K. Mirditës, “Atdheu nuk mohohe”t e Gj. Sheldisë etj.

Shoqëria “Bogdani” (1919-1939) pas shoqërisë “Vllaznia” (1919-1922) dhe “Teatrit Shkodra” (1923-1926), ka qenë më afatgjata. Kjo shoqëri ishte e tëra nën patronazhin e klerit dhe arriti një përmasë kulturore të nivelit kombëtar dhe u shpërnda nga pushtuesit fashistë. Ajo u ngrit nga disa zejtarë, punëtorë e të rinj që vinin nga grupi jezuit “Oratoria e Zemrës së Krishtit”, të cilët qenë pjesë e Kolegjit Saverian, grupi i rrethit të Shën Jozefit dhe grupi i Oratorios. Z. M. Harapi ishte kryetari dhe regjisori i kësaj shoqërie për disa vjet. Edhe pse në lëmin e muzikës, përmes orkestrës së saj, përgatiti mjaft koncerte, më shumë ajo u shqua në lëvrimin e artit skenik dha gjithsej 41 pjesë teatrore duke realizuar dy, e deri tri premiera në vit, për të arritur në një vit gjer në 7 shfaqje. Tok me një sërë dramash nga autorët e huaj u vunë edhe drama të autorëve shqiptarë, ku spikatën pjesët e klerikëve të njohur Atë Gjergj Fishtës apo të Zef M. Harapit si: Oso Kuka, Mustafa Pasha i Shkodrës, Veturdhnimi i Ali pashë Tepelenës, Hamza Kazazi etj. Ndër veprat që u mirëpritën nga publiku i kohës qenë: Dy gungaçët, Dredhitë e patukut, Rueju sherrit të grues, Shkuesi me rrena, Palla në thes nuk hyn, Gopçi në tavolinë, Fotografisti, Analfabeti, Në mos qofsh i marrë do të bëhesh, Shtrydhni limonj se u heq gungat, Dreqi në dyshek, Zojë e shpisë, Me padit nipin te daja, Telegrafia e një prillit, Bilbili në Shkodër etj. Në vitin 1931, në konkursin e zhvilluar në Tiranë, midis grupeve teatrore të vendit, amatorët e shoqërisë “Bogdani” u nderuan me Çmimin e Parë për pjesën Prej robnije në liri. Ndër shfaqjet me jetëgjatësi në repertorin e kësaj shoqërie përmenden edhe: Ferdinand Kortez, Ora e Shqypnisë, Flamuri i Shqypnisë, i padituni për gjaksi, Trimi ngadhnjyes, Beomundi i Altemburgut, Pjetër Nika, Të ikunit e zonjës së Shkodrës, Ferdinandi i Mediçajve, Ugenotët, I ligu për mend, Një natë në Firence, Konti i Retimos, Themistokli, fatos i Athinës, Atrakserksi, Kumbonat e mbramjes, Besë e trimni ose Atil Reguli, Laku i mallkuem etj. Banda muzikore e shoqërisë “Bodani” u bë orkestra frymore më e madhe e qytetit të Shkodrës në vitet ’30.

Banda e Shoqërisë “Bogdani” në Shkodër

Nga arritjet e shënuara të kësaj bande, që ka mbetur në kujtesën historike kulturore ka qenë ekzekutimi i melodramës “Ora e Shqypnisë”, sikurse edhe koncerti i dhënë më 7-8 qershor të vitit 1921 përballë një publiku të zgjedhur. Në vitet ’30 ajo jepte para publikut dy herë në javë koncerte të ndryshme.

Falë kishës katolike, në vitin 1935 u krijua grupi artistik muzikor “Scuola Cantorum”, i drejtuar nga famullitari i Shkodrës, njëkohësisht edhe muzikant, Mikel Koliqi. Aty u aktivizuan të rinj të korit të kishës dhe të shoqërisë “Bogdani”. Grupi u shqua për vënien në skenë të melodramave kombëtare, si “Rozafa”, “Ruba e kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, me tekst të Ndre Zadesë dhe muzikë të Mikel Koliqit, ku frymonin ndjenja e ide atdhetare.

Që nga viti 1900-1910 në Shkodër nën kujdesin e klerit katolik u dhanë 7 melodrama, me 10 shfaqje; gjithashtu 10 komedi, me 33 shfaqje. Sipas të dhënave që nga viti 1880-1940, në tërësi, në çdo formë skenike u dhanë rreth 588 shfaqje. Premiera ishin gjithsej 311, por pretendohet edhe për 465. Gjatë kësaj kohe janë aktivizuar si amatorë 1.952 veta, djem e vajza. Nga viti 1912-1939 janë dhënë rreth 356 shfaqje.

Urdhrat fetarë të kishës katolike kanë pasur kontribute të papërsëritshme në lëvrimin e kulturës shqiptare, diturimin dhe qytetërimin e popullit, me botimet e shumta e të larmishme, hulumtime shkencore dhe zbulesa në fusha të tilla ku shfaqej identiteti kombëtar si arkeologjia, antropologjia, etnologjia, etnografia, muzika, teatri, letërsia, artet, arsimi. E jashtëzakonshme ka qenë puna e tyre këmbëngulëse për emancipimin e njerëzve, arsimimin e rinisë, me një veprimtari të gjerë e kapilare, çka e orientoi kulturën dhe njeriun shqiptar drejt Perëndimit, projektit madhor të Rilindjes sonë Kombëtare.

Spikati Urdhri i Françeskanëve i themeluar qysh në shekullin e XIII kur Shën Françesku erdhi në Lezhë. Ky urdhër dha kontribut posaçërisht në lëvrimin e gjuhës shqipe dhe përveç tri shkollave që hapi qysh në shekullin e XVII Zejmen, Troshanë dhe Blinisht, çeli të parën shkollë fillore publike më 1861 dhe më pas liceun e mirënjohur “Illiricum” për nxënës të krishterë dhe myslimanë. Nga gjiri i Urdhri Françeskan kanë dalë intelektualë të shquar me ndihmesa të shquara në fushën e dijes, gjuhëtarë, antropologë, historianë, shkrimtarë, njerëz të kulturës si Monsinjor Vinçenc Prennushi, Atë Anton Arapi, Atë Gjergj Fishta, Atë Justin Rrota, Atë Marin Sirdani, Atë Pashko Bardhi, Atë Bernardin Pali, Atë Donat Kurti, Atë Gjon Shllaku, Atë Aleks Baqlin, Atë Frano Kiri, Atë Benedikt Dema, Atë Viktor Volaj, Atë Daniel Gjeçaj etj. Me punën e tyre ata sollën në Shqipëri kulturën perëndimore dhe me shkrimet dhe kontributet e tyre të shquara e orientuan vetëdijen kombëtare drejt vlerave të qytetërimit evropian.

Atë Gjergj Fishta ishte kleriku i lartë katolik i këtij urdhri, që u shndërrua në figurën e madhe dhe imponuese kombëtare, një nga poetët, shkrimtarët dhe dijetarët më të shquar shqiptarë, ndër nismëtarët dhe themeluesit e Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Kongresin e Manastirit. Ai gëzoi një famë të merituar edhe jashtë hapësirës shqiptare. Por regjimi komunist e flaku tej trashëgiminë e jashtëzakonshme të Atë Gjergj Fishtës, eposin e tij madhështor “Lahuta e Malcisë”, poezinë dhe dramën, shkrimet estetike dhe ato teologjike, kontributin si politikan dhe filolog i klasit të parë, si akademik dhe atdhetar i flakët, në krijimtarinë e të cilit gjallëronte slogani “Fe dhe atdhe”. Ai u mohua, u quajt shkrimtar dhe intelektual reaksionar, antikombëtar; librat e tij u ndaluan dhe u hoqën nga programet shkollore.

Në Kolegjën Saveriane dhe në Seminarin Papnuer zhvillonin veprimtarinë e tyre dijedhënëse e ndriçuese njerëz të tillë me mendje të hapur dhe edukatorë të nderuar në breza të tërë shkollarësh e të rinjsh si: Atë Jan Jungu, Atë Genovizzi, Atë Anton Xanoni, Dom Ndre Mjeda, Atë Mark Harapi, Atë Gjon Karma, Atë Jak Gardin, Atë Daniel Dajani, Atë Giovanni Fausti, Atë F. Corgignano, Atë Zef Valenini, Atë Pjetër Meshkalla, Atë Ndoc saraçi, Atë Zef Saraçi etj.

Kuvendi i motrave Stigmatine, Servite, Viçenciane ishte një urdhër i formuar me femra që i shërbenin kishës katolike dhe në qendër të vëmendjes së tyre qenë vajzat shqiptare, edukimi e kulturimi i tyre, shkollimi fetar, shërbesat në spitale ndaj të sëmurëve, të pamundurve dhe të vobektëve. Më tutje kryenin veprimtari fetare dhe jo vetëm, urdhri i Salezianëve, ku spikati figura e përndritur e Gjon Don Boskos, sikurse edhe Orionitët, të cilët ecnin nëpër po këto udhë për diturimin e rinisë, shkollimin, kulturimin dhe formimin e tyre.  Shoqëri dhe ente fetare si “Veprimi Katolik”, “Rrethi Dom Bosko”, “Rethi i Shën Prosprit”, “Shoqnia Antoniane”, “Shoqnija e Bijave të Zojës”, “Shoqnia e fëmijve Kryqzata”, “Uratorium” dhe “Orfanotrofin e Zemrës së Krishtit”, “Zoja Rruzare” dhe “Kongregacioni i Zojës Lurdë”, të gjitha u shpërndanë, shteti i ndaloi veprimtaritë e tyre të deriatëhershme, qofshin ato me karakter dijeformues, kulturor e artistik, qofshin me karakter mjekësor. Ndonëse me kontribute të mëdha dhe një vëllim pune të pamat me natyrë edukative, arsimore e kulturore, ato u konsideruan nga shteti komunist si armiqësore për popullin dhe rininë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.