AKTUALITET

Bizneset që marrin pjesë në tendera, kusht që të trajtojnë në mënyrë të drejtë punonjësit e tyre

17:30 - 15.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Operatorët ekonomikë duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrimet që rrjedhin nga Kodi i Punës për të trajtuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë punonjësit e tyre pavarësisht gjinisë apo karakteristikave të tjera. Për këtë qëllim u nënshkrua një Marrëveshje Mirëkuptimi midis Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.




Në emër të ISHPSHSH marrëveshja u nënshkrua nga z. Arben Seferaj, ndërsa në emër të Agjencisë së Prokurimit Publik nga znj. Reida Kashta. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Erjon Luçi dhe përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, znj. Maryam Salim. Banka Botërore dhe Agjencia Franceze e Zhvillimit janë angazhuar fort në nxitjen e marrjes së përgjegjësive prej korporatave si dhe mbështesin axhendën e qeverisë shqiptare në këtë drejtim.

Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Erjon Luçi falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen e dhënë për këtë nismë dhe theksoi se një ndër aspektet sfiduese të saj është pikërisht fuqizimi i grave dhe vajzave, e jo thjesht barazia gjinore. “Pjesa rajonale është një aspekt sfidues i kësaj nisme, por aspekti tjetër sfidues është pikërisht synimi që ka marrëveshja nuk është thjesht barazia gjinore, por është pikërisht fuqizimi i grave dhe i vajzave, që është një potencial i madh ekonomik që në duhet ta shfrytëzojmë, por edhe në aspekt të dhënies së oportunitetit.

Oportuniteti nuk ka të bëjë vetëm më pjesën gjinore, por shtrihet në të gjithë shoqërinë, përfshirë edhe njerëzit më në nevojë dhe është një fjalë kyçe kur vjen puna te ulja e varfërisë dhe rritja e mirëqenies”,-u shpreh z. Luçi, duke shtuar se një rëndësi e veçantë i duhet kushtuar dhe zbatimit të masave konkrete. Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Tiranë, znj. Maryam Salim, tha se: “Më këtë Marrëveshje Mirëkuptimi qeveria shqiptare jep një sinjal të fortë se të bësh biznes me shtetin, punëdhënësit duhet të sigurojnë se ata janë duke zbatuar ligjin dhe trajtuar punonjësit e tyre në mënyrë të barabartë. Diversiteti më i madh në tregun e punës në Shqipëri do të sillte përfitime të mëdha ekono-mike”. Kryeinspektori z. Arben Seferaj vlerësoi se bashkëpunimi me Agjencinë e Prokurimit Publik i shërben në vetvete edhe ISHPSHSH në përmbushjen e misionit të tij për krijimin e kushteve të denja të punës.

“Deklarimi nga ana e operatorëve ekonomikë mbi garantimin e zbatimit të dispozitave ligjore në marrëdhëniet e punës, konkretisht për mbrojtjen e të drejtës për punësim dhe profesion nga çdo formë diskriminimi dhe për lidhjen e kontratave të punës për çdo punëmarrës, si dhe garantimi i marrjes së të gjithave masave në drejtim të sigurisë dhe shëndetit në punë, e në mënyrë të veçantë, për grupet e rrezikuara, do të sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në marrëdhëniet e punësimit të çdo punëmarrësi”, u shpreh z. Seferaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.