Kryesore

Qeveria miraton procedurat e reja për të përfituar strehim social

18:00 - 15.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Qeveria ka miratuar ditën e djeshme procedurën e aplikimit për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të përfitojnë nga programi social i strehimit. Kështu, përfshirja në programet sociale të strehimit bëhet nëpërmjet aplikimit në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore të vendbanimit të aplikantit. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot vendimin e qeverisë ku përcaktohen kategoritë përfituese, fazat e aplikimit, mënyrën e përzgjedhjes, ankimimin si dhe dokumentacionin e plotë që duhet të dorëzojnë aplikantët e interesuar.




Kategoritë përfituese
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të drejtën për aplikim për përfitimin nga programet sociale e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç, kujdestarët ligjor për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar, dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet e përcaktuara. “Të drejtën për aplikim e kanë edhe individët/familjet rome të paregjistruar/a në zyrën e gjendjes civile të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku aplikojnë, për të cilët njësia e vetëqeverisjes vendore ka informacion se banojnë në atë njësi të vetëqeverisjes vendore. Aplikimi i të miturve nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastet kur, bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre, bëhet me kërkesën e një përfaqësuesi të caktuar me vendim gjykate ose akt administrativ”,-theksohet në vendim.

Fazat e aplikimit
Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social të strehimit, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata/o individë/familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. “Individi/familja paraqet kërkesën për të përfituar nga programet e strehimit social në çdo kohë, sipas formatit të miratuar nga këshilli bashkiak, bazuar në modelin që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “A” dhe sipas deklarimit tip për vërtetësinë e të dhënave që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “B”. Për paraqitjen e kërkesave verbale, struktura përgjegjëse për strehimin mund të caktojë një orar të posaçëm brenda orarit zyrtar të punës së njësisë së vetëqeverisjes vendore. Ky orar bëhet publik edhe në faqen e internetit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”,-thuhet në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, aplikimi paraqitet drejtpërdrejt në strukturën përgjegjëse për strehimin të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose në zyrën e qëndrimit me një ndalesë të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në rast se ka një të tillë. Njësitë e vetëqeverisjes vendore mund të vendosin që kërkesa të tilla të paraqiten pranë njësive administrative më të afërta me qendrën e banimit të personave që paraqesin kërkesën, duke përcaktuar edhe kompetencat e tyre në përputhje me legjislacionin për vetëqeverisjen vendore. Personat që ekzekutojnë dënimin penal me burgim mund ta paraqesin kërkesën pranë institucionit ku gjenden të ndaluar ose ku ekzekutojnë dënimin penal me burgim. Aplikimet për përfitimin nga programet sociale regjistrohen dhe përpunohen nga strukturat përgjegjëse për strehimin në njësitë e vetëqeverisjes vendore në një sistem elektronik. “Aplikimet mund të jenë: a) në formë të shkruar; b) në formë të shkruar elektronike në adresën e postës elektronike, që çdo njësi e vetëqeverisjes vendore bën publike për aplikimin për përfitimin nga programet e strehimit përmes njoftimit në faqen e saj të internetit dhe njoftimit publik; c) në formë deklarate verbale para strukturës përgjegjëse për strehimin ose zyrës së qëndrimit me një ndalesë, kur ka të tillë, e që regjistrohet nga kjo strukturë apo zyrë”,-bëhet me dije në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Përzgjedhja
Strukturat përgjegjëse për strehimin bëjnë përzgjedhjen e kërkesave pa të meta dhe i regjistrojnë sipas rendit kronologjik në sistemin e posaçëm elektronik. “Regjistri i kërkesave përmban informacionin që mundëson përpunimin e të dhënave, si më poshtë vijon: a) Identitetin, emrin, atësinë, mbiemrin; b) Numrin e kërkesës; c) Datën e dorëzimit/paraqitjes së aplikimit; ç) Objektin e kërkesës, përfshirë edhe preferencën e paraqitur për programin e strehimit social; d) Numrin dhe emërtimin e dokumenteve që i bashkëngjiten kërkesës; dh) Adresën e kërkuesit; e) Përbërjen familjare në momentin e aplikimit; ë) Statusin e punësimit; f) Kushtin social, sipas nënndarjeve “i” deri në “xv”, të shkronjës “c”, të nenit 16, të ligjit nr. 22/2018; g) Kushtin e strehimit, sipas nënndarjeve “i” deri në “VI”, të shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit tilla, sipas formatit që i bashkëlidhet këtij vendimi, si shtojca “C””,-theksohet në vendim. Ky vërtetim lëshohet edhe kur kërkesa paraqitet në formë elektronike ose me postë. Në rastet kur aplikimet janë verbale, aplikantit i lëshohet menjëherë një vërtetim për regjistrimin e aplikimit. Në rastin kur aplikimi bëhet me shkrim apo edhe elektronik, aplikantit i dërgohet në adresën e dhënë të komunikimit ose në adresën elektronike, nëse ai ka dhënë pëlqimin për përdorimin e një adrese elektronike për komunikim, vërtetimi për regjistrimin e aplikimit. Strukturat përgjegjëse për strehimin ose zyra e shërbimit me një ndalesë ofron ndihmë aktive për plotësimin e formularëve të aplikimit për përfitimin nga programet e strehimit social për cilindo aplikues, duke u kujdesur veçanërisht për individët me aftësi të kufizuar në të parë e në të folur nëpërmjet interpretuesit të gjuhës së shenjave ose lehtësuesit të komunikimit, të moshuarit, personat që nuk kuptojnë gjuhën shqipe ose ata që nuk dinë shkrim e këndim, si dhe siguron që çdo individ/familje që ka vështirësi komunikimi, për shkak të gjendjes shëndetësore ose sociale, të marrë informacionin e ndihmën e nevojshme për këtë qëllim. Faza e dytë e aplikimit fillon kur njësia e vetëqeverisjes vendore planifikon zbatimin e njërit prej programeve apo instrumenteve të strehimit social.

Procedurat
Bazuar në kërkesat specifike të çdo programi, njësia e vetëqeverisjes vendore ndjek procedurat, si më poshtë: a) Miraton çdo vit sistemin e pikëzimit; b) Klasifikon kërkesat për strehim sipas sistemit të pikëzimit; c) Njofton subjektet që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me një program për plotësimin e dokumentacionit, duke i njoftuar, në çdo rast, edhe afatin për plotësimin e dokumentacionit; ç) Mbledh cilindo prej dokumenteve të përmendura në pikën 16, të këtij vendimi, që e mbajnë organet publike në vend, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre. Gjithashtu, njësia e vetëqeverisjes vendore bën verifikimin e dokumentacionit, brenda ditëve nga data e dorëzimit; harton dhe miraton listën e përfituesve, mbështetur në klasifikimin e kërkesave; njofton individët/familjet që përfitojnë nga programet specifike të strehimit, si dhe ata/ato që nuk kanë përfituar brenda 10 ditëve nga data e miratimit të listës së përfituesve nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore të përfituesve. “Njësia e vetëqeverisjes vendore garanton që viktimat e dhunës në familje të përfitojnë nga njëri prej programeve sociale të strehimit. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, për strehimin e viktimave të dhunës në familje, vendos, me procedurë të përshpejtuar, menjëherë me paraqitjen e rastit për vendimmarrje. Aplikantëve jofitues, struktura përgjegjëse për strehimin u njofton edhe arsyet e kësaj vendimmarrjeje. Vendimet e marra përfshijnë edhe përcaktimin e mjetit ligjor mbrojtës, gjykatën kompetente, si dhe afatet kohore për ushtrimin e këtij mjeti mbrojtës”,-thuhet në Fletoren Zyrtare.

Rastet emergjente
Aplikantët që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren. Gjendja e verifikuar pasqyrohet në një procesverbal që mbahet nga struktura përgjegjëse për strehimin dhe firmoset edhe nga aplikanti. Kur rastet e emergjencës për strehim identifikohen nga vetë njësia e vetëqeverisjes vendore, ajo nis procedurën duke njoftuar individët/familjet për strehimin për shkak të situatës emergjente. Në të gjitha situatat e gjendjes së emergjencës, kur procedura fillon me kërkesë të individit/familjes përfituese, ose kryesisht nga vetë njësia e vetëqeverisjes vendore, emri/at / lista e aplikantëve paraqitet/n menjëherë në këshillin e njësisë së vetëqeverisjes vendore për miratim.

Ankimimi
Aplikantët jofitues mund të paraqesin ankesat e tyre pranë kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, por kjo nuk pengon ushtrimin e mjetit ligjor mbrojtës pranë gjykatës kompetente. Aplikantët mund të refuzojnë programin e strehimit dhe të mbeten përsëri në listën e pritjes, vetëm kur nuk u plotësohet strehimi sipas normave në fuqi. Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë.

Përfituesit

-Të drejtën për aplikim për përfitimin nga programet sociale e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç.
-Kujdestarët ligjor për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar;
_Familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, të cilat, në momentin e aplikimit, plotësojnë kushtet e përcaktuara.
-Të drejtën për aplikim e kanë edhe individët/familjet rome të paregjistruar/a në zyrën e gjendjes civile të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku aplikojnë, për të cilët njësia e vetëqeverisjes vendore ka informacion se banojnë në atë njësi të vetëqeverisjes vendore.
-Aplikimi i të miturve nën moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç, pas lirimit ose përfundimit të programit të masës alternative të shmangies, në rastet kur, bazuar në një vendim gjyqësor ose një akt administrativ, mbeten të pastrehë për arsye se nuk duhet të jetojnë me prindërit, kujdestarin ligjor ose me familjen e tyre, bëhet me kërkesën e një përfaqësuesi të caktuar me vendim gjykate ose akt administrativ .

Dokumentacioni

a) Për të dhëna personale të aplikantit:
I) certifikatë e lindjes së aplikantit, me përjashtim të rasteve specifike kur individi/familja nuk ka regjistrim në gjendjen civile; II) vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore, ku kërkohet strehimi social, për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
b) Për vërtetimin e kushteve të strehimit:
i) vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për pronat që disponohen në emër të secilit anëtar të familjes;
II) vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat e strehimit në fuqi;
III) vërtetim nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për çdo anëtar të familjes, që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi;
IV) aktverifikim nga njësia vendore për:
– banesat në rrezik shembjeje;
– rastet kur familja ka mbetur e pastrehë, si rezultat i fatkeqësive natyrore;
– banesat që prishen ose përjashtohen nga procesi i legalizimit.
v) Vendim i gjykatës për familjet që humbasin banesën për shkak të zbatimit të vendimit të gjykatës;
VI) akt i verifikimit nga njësia vendore për familjet rome/egjiptiane, që banojnë në banesa individuale ose struktura, të cilat nuk klasifikohen si banesë.
c) Për vërtetimin e kushteve familjare:
I) certifikatë familjare;
II) vendim i gjykatës që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara.
ç) Për vërtetimin e kushteve sociale:
i) vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar për individë me aftësi të kufizuara;
II) vërtetim përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezë e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar për individët me statusin e jetimit;
III) dokument që vërteton se ka mbetur i pastrehë si rezultat i lirimit të banesave, ish-pronë e subjekteve të shpronësuara;
IV) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”;
v) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të shtetit dhe të Policisë së Burgjeve;
VI) urdhër mbrojtjeje apo urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, lëshuar nga gjykata për viktimat e dhunës në familje;
VII) vetëdeklarim nëse individi/familja i përket pakicës kombëtare rome ose egjiptiane;
VIII) dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse për të miturit në konflikt me ligjin;
IX) vetëdeklarim se i përket grupimit LGBTI;
x) vërtetim me certifikatë familjare se individi i përket kategorisë vajzë-nënë.
d) Për vërtetimin e kushteve ekonomike:
I) vërtetim i të ardhurave neto të familjes ose një deklaratë me shkrim nga aplikuesi për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre, të cilat duhet t’i bashkëlidhen dokumenteve zyrtare që e vërtetojnë atë, përfshirë vërtetimin nga punëdhënësi për pozicionin dhe pagën e aplikantit e të personave të tjerë të familjes, që janë në marrëdhënie pune;
II) dokument nga organet tatimore dhe ato të sigurimeve shoqërore për derdhjen e kontributeve, për të gjithë anëtarët e vetëpunësuar të familjes;
III) vërtetim nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
IV) vërtetim nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
v) vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.