BLUETOOTH

Stërmbesa e Skënderbeut nxjerr këngën e parë: Frymëzimi im dhe projekti i radhës

17:00 - 15.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Sofi Kastrioti: Dua të bëj koncerte bamirësie për njerëzit në nevojë – “Noizi dhe Elvana Gjata, këngëtarët shqiptarë që preferoj”




Para disa kohësh bëri shumë bujë lajmi se ishin gjendur rrënjët e largëta të gjakut të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare”, ajo na rrëfeu se kush ishte ajo dhe familja e saj si dhe lidhja e gjakut të saj me heroin kombëtar shqiptar. Ndërkohë që pak ditë më parë Sofi Kastrioti ka publikuar këngën e saj të re të titulluar “Gone for the night”. Siç dihet, Sofi merret me muzikë dhe kënga është pritur mjaft mirë nga publiku dhe detaji që u ka tërhequr vëmendjen të gjithëve është flamuri kuqezi që qëndron pas Sofisë. Siç dihet, Sofia dhe familja e saj prej vitesh janë larguar nga Shqipëria, mirëpo ajo ka arritur të bëhet e njohur në muzikë dhe zëri i saj pëlqehet shumë. E pyetur sërish, ajo ka rrëfyer për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” si lindi ideja e këngës dhe motivet shqiptare që dëshiroi të përfshinte brenda. Jo vetëm pasion për këngën, por Sofi ka një zemër shumë të madhe dhe shpreson që në të ardhmen, nëse do të ketë mundësi, do të bëjë koncerte bamirësie për njerëzit në nevojë. Për më tepër ndiqni intervistën e mëposhtme:

Para disa ditësh nxorët këngën tuaj të parë, shumë suksese! Për çfarë flet kënga?

Faleminderit! Kur e shkrova këtë këngë, ishte më tepër si një refleksion i të diturit kur duhet të largohesh nga një lidhje e keqe dhe të paturit vërtet fuqinë për t’u larguar. Duhet shumë që të kuptosh nëse je në një marrëdhënie emotive apo abuzive dhe më pas të largohesh nga ai person që të rifitosh dashurinë dhe vetëvlerësimin që kishe para abuzimit.

Ka disa elemente shqiptare në këngë. Pse vendosët t’i përfshinit, kanë ndonjë kuptim?

Gjithnjë kam dashur të përfshij fjalë shqiptare në muzikën time. E para, sepse e dua gjuhën shqipe dhe e dyta, unë isha në Kosovë duke shkruar një pjesë të këngës dhe në atë kohë atje ishte një person i veçantë që më frymëzoi, kështu që e ndjeva ta bëja.

A keni në plan të bëni një këngë në shqip së shpejti?

Unë do të vijoj të shkruaj më shumë muzikë, qoftë në anglisht apo shqip. Do më pëlqente të këndoja në shqip, thjesht jam duke pritur kohën e duhur.

Cili është projekti juaj i radhës?

Për momentin jam në procesin e filmimit të videos së këngës tjetër, që do të vijë shumë shpejt, kështu që bëhuni gati!

A keni ndonjë kontratë me ndonjë studio diskografike?

Jo nuk kam. Jam e pavarur.

Kush është këngëtari juaj i preferuar shqiptar?

Do thosha që inspirohem shpesh nga njerëz të ndryshëm, në mënyra të ndryshme. Kalova një kohë që dëgjoja Noizin, për të cilin mendoj se ka një zë shumë të mirë dhe është shumë i talentuar. Gjithashtu, kalova një periudhë që dëgjoja Elvana Gjatën, sepse në atë kohë ndjeja se muzika e saj sintonizohej me mua dhe ishte shumë e ndjeshme, gjë për të cilën unë kisha shumë nevojë. Unë dëgjoj muzikë bazuar në mënyrën se si ndihem dhe në gjendjen shpirtërore që kam.

Do të donit të bënit duet me ndonjërin prej tyre?

Nëse është koha e duhur dhe na kryqëzohen rrugën, pse jo?!

Përveç talentit tuaj për muzikë dhe fotografi, cili është pasioni më i madh dhe projekti që jeni duke punuar për të ardhmen?

Duke qenë se jam një natyrë empatike, kam shumë pasion të ndihmoj personat që kanë nevojë në botë, por nuk kam shumë burime të arrij të bëj atë që ndjej se duhet bërë. Një ditë shpresoj të jem në pozitën që të paktën të kontribuoj. Kam kaluar probleme të shpeshta personale, që mendoj se i kalojnë shumë njerëz në jetë dhe mbase ata do të jenë të parët që do t’u adresohem kur të jem e aftë në të ardhmen të bëj koncerte bamirësie.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.