OPINION

Importojmë pensionistë të huaj dhe eksportojmë të rinj brilantë dhe intelektualë…

07:25 - 16.06.19 Klodian Muço
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 “Importojmë pensionistë të huaj dhe eksportojmë të rinj brilantë dhe intelektualë”. Të bën të ndihesh keq ta thuash, por shkatërrimi i Shqipërisë po bazohet mbi këtë shkëmbim. Shkëmbim, i cili është provokuar nga paaftësia jonë për të vlerësuar meritat.




Përgjatë tranzicionit ekonomik Shqiptar, administrata shqiptare po mbushet gjithmonë e më tepër me militantë parazitë, të cilët të vetmet aftësi që kanë janë: servilizmi dhe shpërdorimi i financave publike. Punësimi i tyre po ashtu “vret” shpresën për të ardhmen, pasi Shqipëria sot promovon injorancën dhe traskuron intelektualët. Duhet qartësuar fakti që për intelektualë nuk nënkuptoj vetëm drejtuesit apo profesorët, por personat që mbartin kapacitete profesionale e motivacionale mbi normën mesatare të çdo aktiviteti, nga mjekësia tek ekonomia, nga inxhinieria tek akademia.

Jemi i vetmi vend që nuk kemi një sistem për të matur talentin. Nëse nuk kemi një sistem të tillë, atëherë nuk ka sesi të ekzistojnë stimuj për t’u bërë.

Te ne nuk ka më stimuj të “studiosh”, në të tilla kushte nuk ka sens as të shpenzosh për arsimimin.

Pse të çosh fëmijën në një universitet të mirë e të vështirë për të arritur rezultate të larta kur shteti nuk ka një vlerësim për cilësinë e arsimit?

Pse të studiosh kur vendin e punës nuk ta jep studimi që ke bërë, por njohjet apo lobimi?

Pse të studiosh kur drejtor, deputet, kryetar bashkie apo ministër bëhesh edhe me një diplomë të përfituar nga universitetet që vetëm emri u ka ngelur i tillë?

Por kur nuk ka vlerë të studiosh, ngelet pa përgjigje pyetja: si mund të zhvillohemi ekonomikisht?

Mund të quhet ndryshe si evazioni, por çdo vit gati 20% e maturantëve më të mirë aplikojnë për të studiuar jashtë shtetit, pa harruar këtu edhe dhjetëra mijë të tjerë të rinj shqiptarë të arsimuar mirë, që kërkojnë fatin e tyre jashtë Shqipërisë.

Ikja e të rinjve dhe e të diplomuarve është problem mbi problemet në Shqipëri, është një krizë pa dalje që po shkatërron gjithçka.

Studime të shumta empirike e konsiderojnë kapitalin human, faktorin primar për zhvillimin ekonomik të një vendi. Kapitali human karakterizohet nga niveli i arsimimit, moshës dhe shëndetit.

Sipas një studimi të Universitetit të Uashingtonit, mbi konfrontimin e zhvillimit të kapitalit human në nivel global për periudhën 1990–2016, rezultoi se Shqipëria është vendi me regresionin më të madh, jo vetëm në nivel europian, por në nivel global në këto 26 vjet. Në 1990, Shqipëria renditej e 75-ta në botë për zhvillimin e kapitalit human, ndërsa në 2016 u rendit në vendin e 91, duke humbur plot 16 pozicione. 

Përsa i përket kapitalit human, jo vetëm që jemi të fundit në rajon, por mund të krahasohemi pa frikë me shumë vende afrikane.  

Përsa i përket inovacionit, në një listë me 110 vende ne renditemi të 68-tët, duke lënë vetëm Maqedoninë mbrapa.

Jemi vendi që prodhojmë doktor shkencash pa fund, të cilët nuk prodhojnë vlerë të shtuar për shkencën.

Jemi vendi ku fondet për kërkimin shkencor jo vetëm që janë të papërfillshme për të mos thënë inekzistente. Por edhe kur kërkimi shkencor apo formimi i kapitalit human në kompleks financohet nga të huajt, ne nuk jemi në gjendje ta rivlerësojmë atë.

Vallë nuk ka nevojë një vend i varfër për t’u ofruar mundësi punësimi të rinjve shqiptarë që diplomohen në universitetet e huaja?

Mendoni për një moment për GDP-në e Shqipërisë si fryt i një përzierjeje të faktorëve prodhues: makineri, terren, njohuri teknologjike, punë e pakualifikuar, profesionalitet individual etj. Kjo përzierje komplekse bëhet sipas disa rregullash, normash kulturore, institucionet që përkufizohen si “sistem ekonomik”, që shpërndan produktin për secilin faktor dhe nxjerr në pah efiçencën për secilin faktor. Tashmë është shumë e thjeshtë për të kuptuar se rregullat socio-ekonomike dhe karakteristikat e faktorëve prodhues përcaktojnë efekte komplementare apo tërheqin drejt vetes faktorë të caktuar. Një vend me toka do të tërheqë bujq, një vend me universitete të mira do të tërheqë aspirantë shkencorë. Ndërsa një vend që nuk promovon meritat, do të tërheqë drejt vetes vetëm të paaftë, mediokër dhe servilë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.