KULTURË

Kërkimet nënujore në ujërat shqiptare

15:40 - 16.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pasditen e datës 14 qershor, në ambientet e portit të Durrësit, në prani të trupit diplomatik në Shqipëri u prezantuan kërkimet nënujore në ujërat shqiptare nga dy prej institucioneve më të rëndësishme botërore në këtë fushë, “RPM Nautical Foundation” dhe “INA Instituti Naval” i arkeologjisë në Universitetin e Teksasit. Këto dy institucione amerikane lider në teknologjinë e kërkimeve nënujore janë prezente edhe në detin shqiptar prej 12 vitesh, duke krijuar hartat shkencore nënujore. Prezantimi u hap nga kryetari i Këshillit Shkencor të UNESCO për pasuritë nënujore botërore, Auron Tare, me një historik të shkurtër të kërkimeve detare në Shqipëri, duke përmendur në veçanti përpjekjet e arkeologëve shqiptarë, Mokom Zeqo dhe Neritan Ceka në kërkimet e tyre nënujore si dhe krijimin e të parit batiskaf në vitet ’70, si një përpjekje për të eksploruar historinë e brigjeve shqiptare. Anija “Herkules”, e cila me teknologjinë e saj të sofistikuar ka skanuar një të tretën e territorit shqiptar duke krijuar hartat tredimensionale të funddetit, ka zbuluar mbi 41 relike historike duke filluar nga shek. VI para Krishtit e deri në bashin e anijes britanike “Volage”, e cila hapi siparin e historisë së famshme të incidentit të Kanalit të Korfuzit. Mbi këto zbulime foli kryetari i “RPM Nautical Foundation”, James Goold, një prej figurave kryesore ndërkombëtare në fushën e së drejtës ndërkombëtare detare, duke theksuar rëndësinë e madhe që kanë këto zbulime jo vetëm për historinë detare të Shqipërisë, por në kontekstin mesdhetar. Në veçanti James Goold përsëriti faktin se në incidentin e Kanalit të Korfuzit, Shqipëria është e pafajshme pasi zbulimet e kryera nga ekspedita amerikane tregojnë qartë se anijet britanike nuk kanë qenë në kursin e deklaruar, por kanë shkelur sovranitetin e ujërave shqiptare, duke e bërë këtë incident një provokim ushtarak dhe jo një kalim paqësor. Anija “Herkules”, e cila ka qëndruar për disa ditë në portin e Durrësit për të ndihmuar autoritetet shqiptare në skanimin e portit do të vazhdojë kërkimet e saj, duke sjellë të reja shkencore nga fundi i detit dhe për të hedhur dritë në rëndësinë e madhe që kanë zbulimet detare jo vetëm për historinë, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor përgjatë brigjeve tona.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.