KULTURË

Një vëzhgim austriak, filmi që tregon Shqipërinë e ndritshme

15:30 - 16.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Mes komunizmit dhe kapitalizmit, lindjes dhe perëndimit, bankave dhe bunkerëve. Një vend krenar. Dhe një vend shpesh i keqkuptuar. Paragjykimet dhe hija e gjatë e diktaturës komuniste janë ende të dukshme në të gjithë vendin. Për shumë, Shqipëria është një vend i panjohur. Një diamant i papërpunuar shpesh i nënvlerësuar. Vitet e fundit ka shumë ndryshime: arti dhe jeta kulturore lulëzon. Një brez i ri artistësh kanë pushtuar vendin. Në kryeqytetin Tiranë, arti i egër politik ndeshet me patosin socialist. Metropoli ballkanas është një ‘work in progress’ i pandërprerë. I larmishëm, jo konvencional dhe gjithmonë i mirë për surpriza”.




Ky që ishte teksti prezantues i filmit dokumentar “Shqipëria – Një vend në lëvizje”, qe një përmbledhje besnike e asaj që u shfaq në 45 minuta. Shfaqja e tij u parapri ditë më parë nga fjala e ambasadorit austriak Johanes Sattler, ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Kujtim Çashku, në shkollën e të cilit në një kinema verore, bezja e bardhë mori ngjyra. “Mirë se keni ardhur në fund të botës!”, – tha me humor diplomati austriak, duke kujtuar vështirësinë tonë për të ndjekur ngjarje kulturore, që e kalojnë sheshin e Tiranës. Për Sattlerin, që në këtë vite si ambasador ka njohur shqiptarët duke gjurmuar edhe fshatrat sipas shënimeve të lëna 100 vite më parë nga bashkëkombës të tij që patën ardhur si antropologë, Shqipëria e sotme është ndryshe. Ai flet për talente e art dhe vlerëson ç’është për t’u vlerësuar, duke lënë mënjanë mbase me dashje protestat, kaosin, mosfunksionimin e shtetit dhe institucioneve, siç janë jashtë filmit dokumentar.

Qasja pozitive e Austrisë ndaj Shqipërisë është një e dhënë historike, që vijon udhëtimin e saj edhe në këtë film, ku shfaqet Shqipëria e ndritshme që ka tejkaluar: kohët e lavdishme dhe të tmerrshme me Skënderbeun e sundimin osman, që ka tejkaluar komunizmin, 1997-ën, që ka tejkaluar vitet e para te tranzicionion për të bërë siç shfaqet në dokumentar: një vend i kulturës, koncerteve, muzeve e qyteteve historike. Reportazhi 45-minutësh u prodhua në kuadër të Vitit Kulturor Austri-Shqipëri 2018 në partneritet me Ministrinë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme të Austrisë dhe është shfaqur në televizionin shtetëror austriak.

Artistë si Edi Hila rrëfejnë artin e jetën e tyre, raportin me shtetin dhe problemet sociale. Kompozitorë si Zef Çoba, kineastë si Kujtim Çashku, apo emra të tjerë që merren me art si Valentina Koçi e Ardian Isufi.

Kalimet historike që e kanë shndërruar e i kanë dhënë formë vendit nuk lihen mënjanë, ashtu sikundër një vend te veçantë zë në to, edhe raporti me Austro-Hungarinë e dikurshme, gjurmë të së cilës po ndiqen ende sot nga ambasada austriake. Për shikuesit e filmit dokumentar del në pah edhe njëherë edhe ruajtja në Vjenë e armëve të heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ajo që pati nisur në fillimin e 1900-ës si një interes religjioz, kryesisht mbi katolikët e veriut të Shqipërisë, i njohur me emrin Kultusprotektorat, Vjena me kalimin e viteve do ta zgjeronte interesin e vet për shqiptarët, saqë në mesin e shekullit XIX do të themelohej një shkollë austriake mendimi mbi origjinën, kulturën dhe antropologjinë e shqiptarëve. Janë të asaj shkolle bazat e albanologjisë me emra të tillë referues edhe sot për kontributet e tyre si konsulli austriak në Janinë, Johann Georg von Hahn, gjuhëtari Jokl, arkeologët Karl Paç, Camillo Prashniker e Arnold Shober, Teodor Ipen a konsulli Lippich.

Pas interesit religjioz e atij studimor, 100 vite më parë, nga 1916 deri më 1918 dy të tretat e Shqipërisë gjendej nën kontrollin austro-hungarez.

100 vite më pas, Austria dhe media e saj shkon në Valbonë, në Shkodër, në Tiranë, në Universitetin e Arteve, në sheshin ku protestohet për lumin e Valbonës, në muzeun ‘Marubi’, te Piramida dhe sjell në vetëm 45 minuta historinë e Shqipërisë, pak a shumë siç është, por duke e ruajtur fytyrën e saj, të pastër.

“Muzeu” i Enverit, hija e tij, sistemi që ndërtoi dhe që zhbëri shqiptarët, gjurmët e errëta, trashëgimia me bunkerë dhe të shfaqurit e asaj që u la pas në muze të ndryshëm sjell një Shqipëria plotë ngjyra, jo prej ekzotizmit që kërkojnë shpesh europianët te ne, por prej asaj që duket se është dëshirë për të jetuar dhe dëshirë për të ndërtuar jetë të reja.
Ja pse filmi dokumentar “Shqipëria – Një vend në lëvizje” na tregon ne një vend më të bukur e më të mirë se ç’e shohim veten.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.