OPINION

Do të kemi një ‘97-të të dytë?

07:40 - 16.06.19 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për ata nga brezi i ri, që nuk e përjetuan ose ishin shumë të vegjël për të kuptuar breshëritë e kallashnikovëve çdo natë në marsin e vitit 1997 në të gjithë vendin është e vështirë të kuptohet viti 1997. Në qershor të vitit 1996, investues italianë në fabrika të prodhimit të veshjeve me material porositësi kudo në Lezhë, Shkodër, Durrës, Vlorë e me radhë habiteshin. U ofronin njerëzve punë me 20 mijë lekë të vjetra në ditë dhe shumë prej tyre përgjigjeshin “Po, unë fitoj 25 mijë lekë në ditë nga paratë që kam tek ‘Sudja’ e ‘Gjallica’. Përse ta dua punën tënde?”. Vendi ishte si ndër ethe nga eldorado e parave piramidale. Si i ngrirë në hipnozë. Ishte hipnoza e fitimit të lehtë dhe pasurimit të menjëhershëm. Mirëpo në janar-shkurt të vitit të mbrapshtë 1997, 80 mijë familje shqiptare ngecën në firmat “Sudja”, “Vefa”, Gjallica”, “Populli” me mbi 1 miliard dollarë. Këto firma, të cilat në 3-4 vite (marrëzia nisi në vitin 1994) u frynë si tullumbace, me sportele të përmbytura nga njerëz që prisnin që në një të natës radhën të depozitonin lekë dhe dollarë, nisën të shfaqnin problemet e para me pagesat në periudhën tetor-nëntor 1996. Po afrohej momenti i plasjes së skemave Ponci (skemave piramidale të njohura në shumë vende të botës). Aq shumë para morën borxh (pranonin çdo qytetar që u vinte dhe në shuma pa kufi), sa në dhjetor 1996 nisën të mos kishin më mundësi të paguanin jo vetëm kërkesat për kthim të menjëhershëm të depozitave të qytetareve tek ata, por as edhe përqindjet e interesave që maturoheshin (bëheshin gati për t’u paguar). Mbi 25 mijë familje shitën shtëpitë për t’i ngrirë paratë tek firmat piramidale. Sidomos në vitin 1996, me shpresë se do të arrinin të paktën t’i dyfishonin. Në të kundërt, panë paratë e shtëpive të shitura apo kursimet e gjithë jetës të avulloheshin sa hap e mbyll sytë. Kjo solli dëshpërimin dhe tronditjen më të madhe që kemi pësuar si popull, pas dy luftërave botërore.




Ky dëshpërim u kthye në të zi, kur humbën përfundimisht shpresat se paratë mund të rikuperoheshin. Dhe me qindra-mijëra njerëz nisën të fajësonin qeverinë që mbylli fajdet. Pastaj ndodhi kataklizma që njohim dhe që ka hyrë në kujtesën tonë kolektive, krahas xhiros në të gjitha mediat e botës në mars 1997. Po sot? Sot kemi varfëri të përhapur edhe fshatrave të bregdetit. Kemi 50-60 mijë prej nesh që ikin çdo vit nga sytë këmbët në emigrim. Sidomos në Gjermani, me shpresë për një jetë më të mirë. Kemi një në tetë vetë që aplikon për lotarinë amerikane. Kemi sipërmarrës që ikin duke turfulluar “ky vend nuk bëhet!”. Por nuk kemi dëshpërimin e zi të 22 viteve më parë. Dëshpërim dhe revoltë që shkërmoqi shtetin dhe armatosi me kallashnikov mbi 80 mijë shqiptarë (shumica i morën armët për të mbrojtur familjet e tyre). Sot kemi shumë njerëz të pakënaqur, madje të revoltuar nga qeverisja e sotme. Janë mes tyre me mijëra nga biznesi i vogël. Por jo të gjithë kanë përqafuar kauzën e opozitës reale të vendit, që qëndron jashtë parlamentit. Dhuna e shfaqur në shumicën e protestave ka larguar një pjesë të mirë të të pakënaqurve me shumicën e sotme qeverisëse. Në protestat e opozitës kemi parë me mijëra të pakënaqur dhe me qindra të revoltuar. Por jo atë masë që të bën të bindesh se opozita i ka numrat për të fituar në garën zgjedhore. Se ka jo vetëm një kauzë të fortë, por edhe frymë opozitare. Besimin e pjesës më të madhe të qytetarëve se ajo është e aftë të sjellë ndryshimin për më mirë në jetët e tyre. Prej këtej, edhe mossuksesi i protestave të njëpasnjëshme. Sigurisht që rreziku për incidente dhe përplasje mes militantëve të opozitës dhe organizuesve të votimeve dhe atyre që do të dalin të votojnë më 30 qershor do të jetë i lartë dhe i pranishëm gjithkund. Sidomos më i lartë në zonat më të thella të vendit, ku edhe kontrolli dhe mbikëqyrja mbi zgjedhjet do të jenë më të dobët. Por një ‘97-të e dytë nuk vjen më në 30 qershor 2019. As atë ditë, as edhe më përpara, ose më pas. ‘97-a përsëritet vetëm nëse qindra-mijëra njerëz humbin edhe njëherë sa humbën 22 vite më parë dhe në mënyrë të pakthyeshme. Prandaj dhe situata, nëse shumica tregohet kokëfortë dhe shkon në zgjedhjet e 30 qershorit, do të jetë shumë e nderë dhe delikate. Do të ketë me dhjetëra e ndoshta edhe më shumë incidente. Por, një apokalips si ai që përjetuam në vitin 1997 nuk do të ndodhë më.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.