Në konferencën e sotme për mediat, Gazmend Bardhi është pyetur nga gazetarët nëse Basha do të shkojë në Prokurori më datë 20 qershor.
Bardhi u shpreh se Basha është i gatshëm të shkojë kur organi i akuzës ta thërrasë sipas ligjit.
“Do të preferoja që pas përgjimeve që tregojnë inkriminimin e kryeministrit të shtrohej pyetja kur do merret i pandehur Edi Rama? Kjo është pyetje që duhet të bëjë çdo shqiptar. Zoti Basha është i hapur ndaj çdo hetimi të Prokurorisë edhe pse të gjitha faktet provojnë se këtu nuk ka drejtësi të pavarur, ai ka shprehur gatishmërinë të paraqitet sa herë e thërrasin”,- vijoi Bardhi.
Kujtojmë se një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës vendosi shoqërimin e detyrueshëm të kreut të PD-së Lulzim Basha pasi ai nuk ka shkruar në prokurori siç ishte thirrur pak ditë më parë për lobimin ne SHBA.
Basha nuk iu përgjigj ftesës me arsyetimin se nuk i ka vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar.