SPORT

Lerda: Krenar që jam te Partizani, merkaton do ta bëjë Olsi Rama!

11:09 - 18.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jeton Selimi – Franko Lerda është prezantuar ditën e djeshme si trajneri i ri i Partizanit. Italiani, që kishte mbyllur çdo detaj javën e shkuar me drejtuesit e kuq, ka dalë përpara mediave ku ka folur për atë çka ai pret nga sezoni i ri me klubin kryeqytetas. Ish-trajneri i Torinos dhe Leçes, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm Olsi Rama, iu përgjigj interesimit të mediave.




A kishe dëgjuar për Partizanin më parë?
Për mua është një kënaqësi e madhe që ndodhem këtu. Vend i cili është i afërt edhe nga ana kulturore me Italinë. Jam krenar që do të përfaqësoj këtë klub. Specifikisht nuk është se e njihja Partizanin, por gjithsesi mund të them se kam njohuri.

Cili është objektivi?
Objektivi ynë primar është të përgatitim ndeshjet e Champions, i pari është të përgatitim sa më mirë ndeshjen. Duke folur me Olsin dhe presidentin, objektivi ynë është të krijojmë mentalitet, stil e imazh për skuadrën nëpërmjet punës, idesë së futbollit për rritjen e tij. Më bën të ndihem krenar që do drejtoj një skuadër kampione. Gjithsecili, ka mënyrën e vetë të punës, shpresojmë që të jemi në të njëjta nivele sezonin e ardhshëm dhe të synojmë titullin. Dua të përgëzoj trajnerin e mëparshëm Gega.

Trajnerët italianë te Partizani kanë dështuar!
Do të punojmë! Nuk mund të flas për problemet që kanë pasur bashkëkombësit e mi më përpara. Secili ka stilin e tij të interpretimit të gjërave, gjithçka bëhet nëpërmjet punës. Nuk ka gjë të lehtë në jetë. Projekti që më ofruan drejtuesit ishte shumë ambicioz. Unë jam një njeri ambicioz. Vij në një realitet të panjohur, por ekzistojnë mundësitë për të eliminuar ato që cilësohen si pengesa.

A është Partizani, maja e karrierës për ju?
Kam trajnuar lojtarë shqiptarë edhe në Itali, si Memushaj dhe Çani, të cilin e bëra unë të debutonte. Tani kemi një avantazh, por vetëm puna praktike në krahasim me klubet e tjera shqiptare do të më japë përgjigje. Futbolli në Shqipëri, Rusi, Kinë është në fushë, një raport klub-shoqëri-lojtarë. Gjithçka varet nga puna, fusha dhe strategjia që do të mundohemi të arrijmë.

Merkato…
Për momentin nuk kam asnjë lojtar specifik që u kam kërkuar drejtuesve. Me merkaton do të merret drejtori Olsi Rama. E di që do vijnë lojtarë, me kalimin e kohës do të jem këshilltar. Frikën ua lë të tjerëve, unë nuk kam frikë. Unë punoj, mendoj të punoj sa më mirë. Objektivi ynë i parë është që të luajmë ndeshjen e parë me një përgatitje teknike-taktike-fizike të një mënyre të caktuar me ato që janë mundësitë tona për momentin. Frikën në këtë moment nuk e shoh, kam vetëm entuziazëm e besim për atë që mund të bëjmë.

Me ç’skemë do të luani?
Çdo gjë do ta bazojmë në bazë të lojtarëve që do të kemi në organikë. Nuk kam ndonjë kundërshtar të preferuar, të gjithë janë mjaft të vështirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.