OPINION

Shoqëria civile, e vetmja shpresë e jona

07:10 - 18.06.19 Kujtim Drishti
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

– Edhe populli është përgjegjës për situatën. Mençuria e tij duhet të përqendrohet në shoqërinë civile, prej saj do të dalin njerëzit që kërkon koha dhe Shqipëria.




Ne shqiptarët morëm të drejtën e mendimit të lirë dhe kujtuam se po ndërtojmë demokracinë.

E kuptuam se gabuam. Kjo ishte vetëm themeli i ndërtesës.

Ne ndërtuam partitë dhe kujtuam se ndërtuam demokracinë.

E kuptuam se u gabuam, sepse kishim përfunduar aty ku ishim: fatet e kombit u varën në dorën e vetëm një njeriu. Dhe ky njeri ndërtoi drejtësinë e tij.

Atëherë ne kuptuam se mendimi i lirë në themelet e ndërtesës demokratike nuk ishte i mjaftueshëm pa Kushtetutë dhe pa boshtin e saj: drejtësinë që do të krijonte shtetin e së drejtës.

Por ajo që ne nuk ndërtuam ishte shoqëria civile, e vetmia forcë opozitare, më e madhe, përballë çdo partie dhe çdo pushteti, që do të qëndronte në mbrojtje të Kushtetutës e të drejtat e njeriut, ndoshta më mirë se vetë Gjykata Kushtetuese. Kjo ndodhi sepse ne u bazuam te mentaliteti i klanit.

Por për demokracinë, për punën e për drejtësinë duhej një mentalitet i ri në popull. Duhej që vetë populli të merrej me politike, por jo më politikën e përpara televizorit, as politikën e kafeneve e të rrugëve. I organizuar në shoqëri dhe organizma, ai duhej të survejonte Kushtetutën, sepse ajo sot e ka kthyer popullin nga sovran në një qenie amorfe, zëri i së cilës është mbyllur me mekanizma antidemokratike të mbivendosura artificialisht në një Kushtetutë e lindur për të qenë demokrate.

shoqëria civile i qëndron mbi kokë e mbi ndërgjegje të gjitha partive.

Kështu partitë, e akoma më pak shefat e partive, nuk mund ta konsiderojnë veten mbi popullin, ashtu siç ndodhi në këto 30 vjet të humbura.

Çështja shtrohet: ose një shoqëri civile me ndërgjegje demokratike, ose diktature e një partie. Ose një shoqëri që zgjedh idenë e shtetit të së drejtës, ose një shoqëri që preferon individin që bëhet i pakontrollueshëm.

Shoqëria civile është e vetmja shpresë e jona kundra psikologjisë së klanit, që na solli në ditë ku rinia e pa shpresë kërkon të lërë vendin.

Mësimi kryesor që del nga këto 30 vite është:

– Nuk mund të ketë shoqëri të drejtë e demokratike vetëm me parti e pa shoqëri civile.

– Shoqëria vetëm me parti harroi Shqipërinë dhe popullin e saj.

– Sa më e ndërtuar është shoqëria civile, aq më cilësorë do të jenë dhe shtypi dhe mediat.

– Shoqëria civile e ndërtuar rreth Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut është opozita e parë e çdo partie, e çdo pushteti. Është kjo opozitë që çdo parti duhet të futë në ndërgjegjen e saj për të kontrolluar veten.

Edhe populli është përgjegjës për gjendjen e krijuar.

Vetëm ndjenja e përgjegjësisë e popullit e te çdo qytetar mund ndryshojë radikalisht situatën.

Gjëja më lehtë për një popull është të zgjedhë individë pa përgjegjësi. Papërgjegjësia e popullit kthehet në papërgjegjësi të udhëheqësit të tij.

Nëse populli dhe individi brenda tij ndjehet përgjegjës për këtë situatë, atëherë kthesën mund ta marrë vetëm ai, pa shpresuar më te politikanët e sotshëm, sepse ata e mbaruan ciklin e tyre me një situatë të rëndë, që nuk u përmirësua si në treguesit demokratikë, ekonomikë, demografikë, ashtu edhe në treguesit e shpresës për ditë më të mira.

Prandaj do të doja t’u bëja thirrje të gjithë profesioneve të çfarëdo fushe qofshin, të organizohen për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të popullit,

duke përdorur Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut si udhëheqësin e tyre.

…Të beja thirrje të dalin nga logjikat e partive e të shpëtojnë Kushtetutën.

.. T’u bëja thirrje në radhë të parë avokatëve të Shqipërisë dhe njerëzve që kanë për profesion drejtësinë.

Avokatët dhe njerëzit e rinj të këtij profesioni do të jenë në gjendje të konfrontojnë praktikën e shtetit me parimet e Kushtetutës, për rrjedhojë edhe shkeljet e saj ose tradhtinë e saj.

…T’u bëja thirrje të gjithë pedagogëve të universitetit publik e atyre të universiteteve private.

…T’u beja thirrje të gjithë mjekëve të Shqipërisë që nëpërmjet ‘Urdhrit’ të tyre te mobilizohen rreth Kushtetutës.

… T’u bëja thirrje të gjithë shkrimtarëve, artistëve e të gjithë njerëzve të shkolluar të dalin nga guaskat e tyre për interesat e popullit e të lidhen me Kushtetutën për ta shpëtuar atë.

… T’u bëja thirrje padronëve të të gjitha shtëpive botuese të mobilizohen për të shpëtuar Kushtetutën.

Kushtetuta nuk është një ‘copyright’ e shtetit, as e individëve në krye të tij ose të partive, ajo është një ‘copyright’ e popullit.

I bëj thirrje të gjithë popullit të dalë në rrugë i qetë, me qirinj të ndezur, pa violencë, në heshtjen e fuqishme të tij.

Për t’u treguar politikaneve tanë dhe Europës se ne e meritojmë Kushtetutën, të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Se ne nuk jemi të padenjë për të, se ne jemi kundra korrupsionit dhe padrejtësisë.

Deri tani populli ka heshtur i shpërndarë.

Le ta grumbullojmë e përqendrojmë heshtjen

në rrugë e bulevarde, ditën e natën me qirinj. Qetësia është forcë e mendjes. Violenca është dobësi.

Manifestim në heshtjen e grumbulluar dhe përqendruar do të tregojë pjekurinë e një populli që ka kuptuar se armiqësitë e udhëhequra nga partitë ishin vetëm një alibi e konfliktit midis korrupsionit, i cili bëri të harrohen interesat e Shqipërisë.

Heshtja në manifestime do tregojë forcën e një populli sovran që nuk del për të shfryrë, por për të treguar përgjegjësinë që ka për fatet e veta.

Konflikti i hapur fizik do t’u jepte armë njerëzve që duan violencë. Shqipëria ka nevoje për mendjen dhe vullnetin e fortë të një populli të përgjegjshëm, që ka kuptuar gabimet e veta të shfaqura te politikanët e tij.

Vetëm një parullë: Mbrojtja e Kushtetutës së tradhtuar dhe mbrojtja e shtetit të së drejtës së braktisur.

Partitë tani për tani mbajnë urrejtjen më shumë se idetë e të dyja klaneve, urrejtje që ato duan të injektojnë në popull, siç e kanë tashmë injektuar në skenat qesharake të parlamentit.

Urrejtja nuk është ndërtuese. Ajo është vetëm shkatërruese.

Guri i provës për çdo parti te re, për çdo organizim duhet të jetë Kushtetuta e Republikës dhe shteti i së drejtës

Le ta fillojmë nga e para.

Shtet ligjor kishte edhe Zogu, edhe E.Hoxha, por jo shtet të së drejtës.

Kjo nuk është thjesht një thirrje e imja, personale. Kjo është një thirrje që bën zemra e popullit, e ndërgjegjësuar se 30 vjet ishin boll për të kuptuar se udhëheqësi ynë i vërtetë do të jetë dashuria për Shqipërinë, jo urrejtja midis nesh, urrejtja që harroi principet e larta të demokracisë të kristalizuara në Kushtetutë dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut.

Ka ardhur koha që populli të tejkaloje veten e të sfidojë forcat e errëta që e kane futur në kaos dhe padrejtësi.

Uroj me zemër të rrojë Kushtetuta demokratike në zemrën e popullit e jo individët në krye të klaneve.

Nuk mund të ketë shoqëri të lirë pa një shoqëri civile. Shoqëria vetëm me parti harroi Shqipërinë.  Fati ka dalë në derë e po na pret.

Përndryshe do të jetë përsëri diktatura.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kujtim-o,si nuk e njihke shoqerine civile ti,qenke shume mbrapa.Shoqerija civile,te ka dalur bile edhe lakuriq,sic e ka bere nena,bile bashke me nje antare tjeter,qe eshte rrit ne pergjegjesi,dhe na eshte bere kryetari i krimineleve,hajduteve,injoranteve dhe idioteve ,qe i ka futur edhe ne Parlament,por tani pret qe te rritet akoma,te behet lider rajonal,e me vone edhe boteror.Ehu,more Kujtimo,qenke mbrapa shume.

    Përgjigju ↓