AKTUALITET

Karta e studentit, Xhemollari: Studentët e rretheve, të diskriminuar

17:15 - 19.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pajisja me kartën e studentit ka qenë një prej kërkesave të mijëra studentëve gjatë protestës së dhjetorit të vitit që kaloi. Me zbatimin e Paktit për Universitetin, nisi dhe shpërndarja e kartave, por vetëm për studentët e IAL-ve publike që ndodhen në kryeqytet. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, drejtori ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare”, Rigels Xhemollari tregon se sipas ligjit 80/2015 për arsimin e lartë, përgjegjës i vetëm për prodhimin dhe lëshimin e kartës së studentit është Ministria e Arsimit. Ai e cilëson si shkelje ligjore daljen e VKM në prill të këtij viti, e cila i delegon këtë kompetencë Bashkisë së Tiranës. Prej disa kohësh, Qëndresa Qytetare ka organizuar takime me studentë nga Durrësi, Vlora dhe Shkodra. Xhemollari shton se studentët e rretheve ndihen të diskriminuar dhe të papërfillur jo vetëm për shkak se nuk ju është dhënë mundësia njëlloj me studentët e Tiranës për të përfituar kartën por edhe për proceset e tjera të Paktit për Universitetin që nuk kanë nisur ende si restaurimi i konvikteve apo infrastruktura në universitete.




Bashkia e Tiranës ka nisur shpërndarjen e kartave të studentit për studentët e IAL-ve publike në kryeqytet. A është bashkia institucioni përgjegjës për të realizuar këtë proces?

Çdo institucion duhet të zbatojë detyrat që i ngarkon ligji, i cili në hierarkinë e akteve normative është më lart se të tjerat. Sipas ligjit 80/2015 për arsimin e lartë Karta e Studentit është një dokument unik dhe përgjegjës i vetëm për prodhimin dhe lëshimin e saj është Ministria e Arsimit. VKM që doli në prill të këtij viti i delegon këtë kompetencë bashkisë Tiranë e cila ka filluar me prodhimin dhe shpërndarjen e kartave në disa fakultete. Në kuptimin e ligjit por edhe në zbatim nuk ka asnjë rast ndërkombëtar që bashkia të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Në bindjen time ky precedent është realizuar në shkelje të ligjit dhe në nxitim e sipër.

Ju si përfaqësues i organizatës “Qëndresa Qytetare”, keni pasur takime me studentët e qyteteve të tjera universitare. Si janë shprehur ata? A ndihen të diskriminuar?
Bashkë me ekipin e Qëndresës kemi takuar studentë nga Durrësi, Vlora dhe Shkodra. Ata ndihen të diskriminuar dhe të papërfillur jo vetëm për shkak se nuk ju është dhënë mundësia njëlloj me studentët e Tiranës për të përfituar kartën, por edhe për proceset e tjera të Paktit për Universitetin që nuk kanë nisur ende si restaurimi i konvikteve apo infrastruktura në universitete.

Pse Ministria e Arsimit nuk i pajisi me karta studentët e qyteteve të tjera?
MASR nuk mori përsipër këtë përgjegjësi që i ngarkon ligji duke nxjerrë një akt që ia delegon përgjegjësitë bashkive, të cilat ose janë në prag të zgjedhjeve ose nuk kanë asnjë projekt për kartën e studentit, përveç asaj të kryeqytetit që nxitoi të nxjerrë një kartë, e cila ngjan me shumë me një paketë për turistët që vizitojnë vendin tonë sesa me një dokument që i shërben nevojave reale të studentëve.

Sa është buxheti i vënë në dispozicion për kartat e studentit?
Qëndresa i ka drejtuar kërkesa për informacion edhe MASR edhe bashkisë Tiranë në lidhje me buxhetin e vënë në dispozicion të Kartës së Studentit, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga këto institucione. Si rregull duhet të ishte transparent dhe të përkonte me të gjitha uljet që i akordohen operatorëve privatë dhe publikë që ofrojnë produkte dhe shërbime me ulje ndaj studentëve. Nuk mundet që për shkak të dëshirës së mirë për të nxjerrë një kartë bashkia të përdorë autoritetin e saj për të krijuar lehtësira për studentët, duhet të ketë një plan buxhetor dhe çdo kompensim të jetë transparent.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit apo edhe më gjerë, çfarë shërbimesh ofron karta shqiptare e studentit? A janë të kënaqur studentët me këto shërbime?
Karta e lancuar nga Bashkia Tiranë në përmbajtjen e saj ka mungesa thelbësore sa i takon nevojave të përditshme që kanë studentët. Në të nuk përfshihen produkte apo shërbime që lidhen me ushqimin, kancelaritë, barnat farmaceutike, transportin publik dhe libraritë. Në vendet perëndimore dhe ato të rajonit karta e studentit ofron shërbime me çmime të reduktuara për kreditë studentore, mensat apo ato të telefonisë dhe internetit. Nga takimet që ne kemi zhvilluar me studentët ata jo vetëm që nuk janë të kënaqur por edhe të zhgënjyer nga ato shërbime që aktualisht përmban karta pasi kanë shkuar të blejnë abonenë e studentit dhe nuk e kanë marrë dot, kanë shkuar në teatër dhe nuk i kanë lejuar me zbritje çmimi prandaj është e drejtë të mendojmë se kemi të bëjmë me një punë të nxituar dhe të stimuluar nga fushata elektorale.
Sa është zbatuar Pakti për Universitetin? Po kërkesat e studentëve të ngritura në protestën e dhjetorit?
Së pari mes zgjidhjeve që u ofruan nga pakti dhe kërkesave të studentëve në dhjetor ka një hendek të madh pasi në shumë pika nuk përputhen. Por edhe ato hapa që u ndërmorën në kuadër të paktit nuk janë realizuar në afat apo në përmbajtje. Sot nuk është bërë asgjë për plagjiaturat, as për librat as për transparencën dhe studentët çdo ditë ndihen të kërcënuar nga dhuna psikologjike që vijojnë të ushtrojnë pedagogët në auditore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.