KULTURË

RUNE OTTOSEN: Shqipëria më 1976 dhe si mundën norvegjezët të adhuronin Hoxhën e komunizmin

17:50 - 19.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Për të rinjtë revolucionarë nga e gjithë Europa, përfshirë edhe Norvegjinë, Shqipëria nga fundi i viteve 1960, ishte një vend pelegrinazhi dhe objekt studimor për ëndrrat revolucionare. Udhëtimet turistike në regji të Shoqatës së miqësisë Norvegji-Shqipëri, organizoheshin sipas të njëjtit shabllon vit pas viti prej fundit të viteve 1960 deri në fillim të viteve 1980. Disa mijëra norvegjezë morën pjesë në këto udhëtime për në Shqipëri. Madje ata mbështesnin sistemin komunist dhe Enver Hoxhën duke besuar te ideologjia e shkruar dhe barazia mes njerëzve. Por çfarë ndodhte në ato vite dhe pse të rinjtë e Europës Veriore kishin këtë marrëdhënie me Shqipërinë?




Pyetja thelbësore në këtë libër është: Si mundën mijëra revolucionarë norvegjezë të mbështesnin dhe adhuronin regjimin e Enver Hoxhës, një diktaturë të tillë brutale?

Çdo shqiptar, i cili një pjesë të mirë jetës e ka kaluar në diktaturë, i kujton fare mirë grupet e “turistëve” të rinj të Europës veriore, që shpesh, si pjesë e grupeve m-l, silleshin rrotull Shqipërisë në vitet 70-të, nëpër kantieret e mëdha të socializmit, të preknin “sukseset” e planeve pesëvjeçare dhe përparimin e këtij fanari të vetëm në botë, të cilit i kishte mbetur detyra t’i ruante të pacenuara idetë staliniste. Mu aty në zemër të represiont, të hapur e të fshehtë, kjo turmë naïve dhe e shkujdesur, u bë një dëshmitare e verbër e një prej regjimeve më të egra të këtij planeti.
Mes tyre ishte edhe Rune Ottosen, autori i një libri që sjell përshkrimet e atyre ditëve, si edhe refleksionin e tij të thellë të kthimit pas dekadash në Shqipëri.
Të enjten më 20 qershor në orën 18:00 te Odeoni i Muzeut Historik Kombëtar promovohet libri “Turist në Utopi – udhëtime në ideologji dhe në peizazhin shqiptar” i autorit norvegjez Rune Ottosen. I përkthyer nga origjinali norvegjisht prej Myrteza Shinit, “Scanderbeg Books” sjellin në Shqipëri edhe autorin që rrëfen njohjen e tij dhe brezit të tij me Shqipërinë, përmes vizitave në vitet 1970.

Ai është një libër udhëtimesh. Udhëtimesh faktike dhe udhëtimesh mendore. Ottosen tregon në libër për udhëtimet e tij si turist politik në kuadër në AKP-së në vitet 1970 dhe për udhëtimet e mëvonshme pas rënies së komunizmit në vitet 1990. Por është gjithashtu një udhëtim në historinë shqiptare, që tregon se si tiparet autoritare nga komunizmi vazhdojnë të mbahen gjallë në Shqipërinë e sotme. E gjithë kjo e bën këtë libër shumë interesant, por, veç tjerash, vjen edhe si një lloj ndjese njerëzore për naivitetin rinor dhe besimin e verbër tek “e drejta”, që në fakt, në prapaskenë luftoi edhe me të drejtën më themelore: atë të jetës njerëzore, të mijëra jetëve njerëzore, të humbura nën ethen e ndërtimit dhe të instalimit të një prej regjimeve më të tmerrshme në historinë e njerëzimit.

Pas udhëtimeve të viteve 1970, ai ka udhëtuar tri herë për në Shqipëri (në 2013, 2014 dhe 2016). Ka vizituar të njëjtat vende dhe ka takuar disa prej njerëzve që kishte takuar në vitet 1970.
Ottesen është gazetar e profesor i gazetarisë. U lind në vitin 1950. Ai është profesor i gazetarisë në Shkollën e Lartë në Oslo dhe Akershus. Ka qenë drejtues i Shoqatës së Shkrimtarëve e Përkthyesve të Literaturës Profesionale (NFF). Ottosen ka shkruar një sërë librash profesionalë në norvegjisht dhe anglisht mbi historinë e shtypit, rolin e gazetarit dhe mbulimin mediatik të luftës dhe konflikteve.

TURISTë NË UTOPI
(Parathënie e autorit)
Ky është një libër udhëtimesh. Udhëtimesh të vërteta dhe udhëtimesh mendore. Për revolucionarët e rinj nga e gjithë Europa, përfshirë Norvegjinë, Shqipëria, që nga fundi i viteve 1960 ishte një vend pelegrinazhi dhe objekt studimor për ëndrrat revolucionare. Këto ëndrra nuk ekzistojnë më për autorin, dhe fakti i vetëm i pandryshueshëm në rrëfimin tim, është dashuria për atë vend të vogël. Shqipëria dhe populli i saj janë përballur dhe po përballen me sprova të vështira. Ndaj ky udhëtim në historinë e Shqipërisë dhe historia ime politike, u kushtohet të gjithë shqiptarëve, të cilët, në të vërtetë, kurrë nuk kanë mundur të vendosin për llojin e shoqërisë që duan të kenë.
Udhëtimet turistike nën regjinë e Shoqatës së Miqësisë Norvegji-Shqipëri, janë organizuar sipas të njëjtit shabllon përvit nga fundi i viteve 1960 deri në fillim të viteve 1980. Destinacioni ishte përshkruar nga Mao si “fanar ndriçues i socializmit në Europë”. Ne e dëgjonim Maon, ndaj udhëtimet do të bëheshin në vendin e vetëm vërtet socialist në anën tonë të globit. Pjesëmarrësit udhëzoheshin që të silleshin miqësisht, mirë e me edukatë, por fatkeqësisht të mos kritikonin. Si miq në Shqipërinë socialiste, ne respektonim doket e zakonet e tyre. Ndaj, për shembull, flokët e gjatë dhe pantallonat e gjera në fund ishin të ndaluar. Udhëtimet përgjithësisht bëheshin në po ato vende. Në krye ishin uzina e traktorëve në Tiranë, muzeu ateist në Shkodër, kombinati i çelikut në Elbasan, qyteti i mrekullueshëm mesjetar i Gjirokastrës me ndërtesat e vjetra prej guri dhe qyteti i bukur bregdetar i Sarandës në jug të vendit përballë ishullit grek të Korfuzit. Për dy javë duhet të njiheshim me shoqërinë e pretenduar ideale si dhe të bënim një dozë pushimi e turizmi. Ky kokteil qe i përshtatshëm për të krijuar entuziazëm ndër norvegjezët që shfrytëzonin dy javë të verës për atë pushim disi të pazakontë.

rune ottosen Rune Ottosen në moshë të re Rune Ottosen imazh komunizmi Rune Ottosen imazh komunizmi 2
<
>

Në këto udhëtime në Shqipëri kanë marrë pjesë mijëra norvegjezë. Pjesa më e madhe ishin marksistë-leninistë ose simpatizantë të Partisë komuniste norvegjeze AKP (m-l). Ndër ta kishte shumë AKP-istë dogmatikë, të cilët e kishin përgjigjen gjithnjë në majë të gjuhës nëse dikush dyshonte apo reagonte ndaj diçkaje që shihte a dëgjonte. Por kishte edhe disa elementë individualistë “mikroborgjezë”, të cilët mendonin që programi ishte tepër i ngjeshur dhe dëshironin më shumë kohë për plazh e pushim. Hera-herës shfaqej madje edhe ndonjë SF/SV-ist apo ndonjë mik i pjesëmarrësve që vinte vetëm për të bërë një udhëtim.

Në udhëtimin tim të fundit në Shqipëri në vitin 1978, rolin si “kuadër drejtues” e kisha unë. Në atë kohë punoja si funksionar partie dhe isha sekretar redaksie i revistës Røde Fane (Flamuri i kuq). Udhëheqja e partisë më kërkoi të isha si “përgjegjës” për udhëtimet e asaj vere. Ishte fjala për dy udhëtime brenda një muaji. Dhe nuk e patën të vështirë për të më bindur. Unë kisha qenë vetë turist në udhëtimet e Shoqatës së miqësisë Norvegji-Shqipëri në vitet 1973 dhe 1976, kështu që e njihja programin. Një muaj si i ngarkuar nga partia në një vend të ngrohtë e me diell, s’ishte detyrë e keqe. Por ky udhëtim do të bëhej më dramatik nga ç’e kisha përfytyruar. Mu në kohën e udhëtimit, ndodhi prishja mes Kinës dhe Shqipërisë, gjë që shkaktoi një tronditje të thellë brenda partive komuniste, përfshirë edhe AKP-në.
Shqipëria është një vend i veçantë e me një histori të veçantë. Praktika e shkrimit të këtij libri, para së gjithash është gazetari. Kam bërë disa intervista me ish-të burgosur politikë, por kam folur edhe me njerëz të takuar rastësisht dhe u kam marr lejë të pasqyroj historitë e tyre. Thuajse çdokënd që takon në Shqipëri, ka një histori për të treguar, dhe të gjithë bashkë rrëfejnë se Shqipëria ka qenë një diktaturë e tmerrshme dhe mizore.

Gjatë udhëtimit të kthimit në Shqipëri jam përpjekur të shkoj pas në kohë në udhëtimin tim ideologjik. Si munda ta besoj komunizmin si një ide të qëndrueshme? Pse në krye më dukej e drejtë, dhe me kalimin e kohës tepër e gabuar, ta lidhje jetën me një projekt politik që në nënshtresë rezultoi të ishte aq brutal dhe çnjerëzor?

Titulli “Utopi” në ballinë, është përdorur 500 vjet para se të shkruhej ky libër. Vepra klasike e shkrimtarit Thomas More ku e ka origjinën kjo fjalë, u botua në 1516. Thomas More e shkroi librin kritik duke pasur në mendje Anglinë e asaj kohe. Shoqëria që përshkruan More ka disa tipare të përbashkëta me diktaturën 40-vjeçare të Enver Hoxhës në Shqipëri. More përshkruan një shoqëri ku e gjithë pasuria i përket kolektivit dhe ku të gjithë banorët duhet të kontribuojnë për kolektivin në ekonominë bujqësore. Këtu shohim paralele të qarta me kolektivizimin e detyrueshëm në Shqipërinë e Hoxhës. Utopia e Mores kishte pak ligje dhe asnjë avokat. As diktatura komuniste në Shqipëri nuk kishte ndonjë gjykatë të pavarur. Sistemi juridik nën regjimin e Hoxhës kishte ligje që interpretoheshin nga komisarë politikë. More përshkruan një shoqëri, ku mendimi për të mirën e bashkësisë ka përparësi në raport me vlerësimet morale të praktikës sunduese politike. Shqipëria komuniste drejtohej nga objektivi për një shoqëri pa klasa. Në praktikë pamë një kastë klasike ku udhëheqësit jetonin në lagje të privilegjuara të shoqërisë, të shkëputur nga masat. Utopia e Mores është një shoqëri e mirëorganizuar, ku njerëzit bëjnë një jetë që është e përcaktuar nga lindja deri në vdekje, dhe ku dobësia nuk tolerohet. Kur flet me njerëz të zakonshëm për shkallën e vështirësisë së jetës së shqiptarëve në diktaturë, të duket si një gjë e njohur. More është kritik ndaj idesë së krijimit një shoqëri perfekte.
Një nga tezat themelore në këtë projekt gazetaresk, është se Shqipëria ka një raport të pambyllur me historinë e vet politike, ashtu si edhe shumë anëtarë të AKP-së. Ka kaluar një periudhë, është hedhur pas krahëve pa reflektuar siç duhet për çfarë ka kaluar. Shqipëria, ashtu si disa AKP-istë, në vitet 1990 u rrokullis në një gjendje të re pa u ndalur për të shtruar pyetje thelbësore për projektet e kaluara politike. Çfarë ishte ajo që mbështetëm, çfarë ishte ajo që mbrojtëm, a ka aty vlera që mund t’i mbartnim më tej dhe t’i ruajmë? Sjell në kujtesë këtu teorinë e diktaturës së proletariatit, e cila po zbatohej në Shqipëri në kohën që ne e vizitonim si turistë këtë vend. Për ne ajo ishte një teori, një ide në ajër. Për shqiptarët ishte një realitet brutal.

Një diktaturë shtypëse komuniste që ndikoi në një farë shkalle për ta nxjerrë vendin nga varfëria e tmerrshme, por çmimi i paguar qe i lartë. Një regjim totalitar, që nën udhëheqjen e diktatorit Enver Hoxha, e sundoi vendin për më shumë se 40 vjet. Regjimi që shqiptarët kanë tani, është më i mirë, por ata meritojnë shumë më tepër.

Pyetja thelbësore në këtë libër është: Si ishte e mundur që mijëra revolucionarë norvegjezë e nderonin këtë njeri dhe këtë regjim? Unë përpiqem të hedh dritë mbi këtë prej burimeve të reja historike dhe shqyrtimeve të mia. Përpiqem gjithashtu të përshkruaj radikalizimin tim dhe përkrahjen e një ideologjie totalitare, bashkë me rrugëkthimin drejt një botëkuptimi vlerash që bazohet në demokraci dhe në të drejtat e njeriut. Ka një dallim mes një vendi dhe një regjimi me polici sekrete, burgje, qeli torturash e vendekzekutime e që ushtron një pushtet diktatorial mbi popullin dhe një partie të vogël në një vend tjetër që e mbështet ideologjikisht këtë regjim. Por natyrisht që nuk ndjehemi mirë të ishim bashkëpunëtorë me të për një periudhë.

Ne kurrsesi s’mund t’ia hedhim fajin paditurisë. Informacioni gjendej, por ne zgjodhëm ta injoronim ose të mos e besonim. Unë kam një kopje të raportit vjetor të Amnesty International të vitit 1978. Aty flitet për ndryshime të reja ligjore në kodin penal dhe ndjekjen penale të priftërinjve katolikë të dyshuar në Shqipëri. Ata rrezikonin 3-10 vjet burg për agjitacion fetar dhe propagandë armiqësore ndaj shtetit. Aty raportohen përndjekje priftërinjsh për shkak të mbajtjes së shërbesave fetare në fshehtësi. Përmendet edhe rishikimi e ashpërsimi i dispozitave të kodit penal të vitit 1958 për ushtrimin e feve si islamit, ortodoksisë greke dhe katolicizmit.4 Por Amnesty thotë se është e vështirë të gjenden burime parësore për shkak të kufizimeve të udhëtimeve.
Megjithatë disa mundën të vinin. Neve që merrnim pjesë në udhëtimet propagandistike, në Muzeun e Ateizmit në Shkodër na siguronin se ushtrimi privat i fesë në shtëpi lejohej. Dhe ne ishim aq naivë sa ta besonim këtë.
Pse kishim pafta në vesh dhe ç’duhej të kishim ditur? Ç’lidhje kishte në të vërtetë mes asaj ideologjie që ne vetë mbronim, dhe të gjitha abuzimeve e shkeljeve që bëheshin në emër të ideologjisë? Ne duhet t’ia heqim shtresat qepës, shprehej Gunter Grass kur shkroi historinë për veten si një djalosh i ri. Komunizmi ishte një ide e bukur për barazi dhe shoqëri pa klasa. Entuziazmi fanatik për ta realizuar këtë përkundër dëshirës së popullit, është një dështim në vetvete. Ideja e nazizmit për një racë që është superiore ndaj një tjetre, është para së gjithash antinjerëzore. Por fanatikët që duan t’i zbatojnë këto ide nëpërmjet qëndrimit “qëllimi justifikon mjetin”, kanë natyrisht sjellje me tipare të përbashkëta.
Tipare të përbashkëta ka edhe mes diktatorëve si Adolf Hitler dhe Enver Hoxha.
Populli shqiptar jetoi për katër dekada me idenë se partia vendoste për gjithçka, sepse ajo kishte socializmin shkencor në anën e vet dhe dinte shumë më tepër. Tani flitet për narrativa neoliberale. Shteti nuk kujdeset më për ty – ti je farkëtar i fatit tënd. Prapë janë udhëheqësit që qeverisin në emër të popullit, tashmë në emër të demokracisë dhe jo të socializmit. Asnjëra prej këtyre qasjeve nuk është në gjendje t’i japë përgjigje shqiptarëve se si t’i zgjidhin problemet që kanë. Në libër unë përshkruaj rrugëtimin tim hyrje-dalje në bindjen që një parti m-l i kishte përgjigjet për problemet e mëdha me të cilat ballafaqohej njerëzimi.

A jam penduar?, më pyet ndokush. Kjo çështje është e vështirë. Unë kurrë nuk do të zgjidhja sërish atë platformë politike, dhe jam i vaksinuar për gjithë jetën ndaj ideve madhështore dhe mendimit totalitar.

Përvojat, mësimet dhe përjetimet nga ai dhjetëvjeçar i veçantë më kanë bërë ky që jam sot. Shpresoj të kem fituar më shumë urtësi. Përveç kësaj, kalova edhe disa përvoja të rëndësishme që në kushte të tjera nuk do t’i kisha pasur kurrë. U njoha me Shqipërinë. Gjeta shokë për jetë. Gjeta dashurinë e Ingeborg, me të cilën ende jam i martuar, dhe të cilën ndoshta nuk do ta kisha takuar kurrë po të mos kishim qenë në të njëjtën lëvizje. Kemi dy djem të rritur e të mrekullueshëm. Ndoshta me këtë libër mund t’u shpjegoj atyre zgjedhjet që bëra, si i mendova dhe si veprova, si edhe sa shumë gabova në disa çështje thelbësore, si liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.